Shumë prej nesh kërkojnë vazhdimisht mënyra për të ngadalësuar apo kthyer pas procesin e plakjes. Një faktor që përshpejton plakjen është inflamacioni. Për shembull, studime të mëparshme kanë treguar se një dietë kundër inflamacionit mund të reduktojë rrezikun e dëmtimit të kujtesës apo plakjen e trurit me 21%. Ndërkohë, konsumimi i ushqimeve të pasura me antioksidantë të cilat gjithashtu kanë veti anti-inflamatore – mund të ndihmojë në zgjatjen e jetëgjatësisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Një prej këtyre lëndëve ushqyese me veti anti-inflamatore është zinku, një mineral esencial që trupi nuk e prodhon vetë dhe duhet të merret përmes ushqimit apo suplementeve. Edhe pse sasia ditore e nevojshme nuk është e lartë, zinku luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e ADN-së, shërimin e plagëve dhe forcimin e imunitetit, të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e plakjes.
Shkencëtarët po e studiojnë gjithmonë e më tepër plakjen, jo vetëm për ta parandaluar, por edhe për ta matur. Tashmë ekzistojnë mjete që përdorin algoritme për të përcaktuar moshën biologjike të një personi. Ndryshe nga mosha kronologjike (vite që kanë kaluar nga lindja), mosha biologjike mat shpejtësinë me të cilën trupi ynë plaket, duke u bazuar në 12 tregues biologjikë të identifikueshëm në analizat e gjakut.
Studimi mbi zinkun dhe plakjen biologjike
Një grup studiuesish nga Kina kërkuan të kuptonin më shumë mbi rolin e zinkut në plakjen biologjike dhe se si aktiviteti fizik mund ta ndikojë këtë efekt. Gjetjet e tyre u publikuan së fundmi në revistën Clinical Nutrition.
Si u realizua studimi?
Të dhënat u morën nga UK Biobank – një studim afatgjatë me të dhëna shëndetësore dhe jetësore nga mbi 500,000 britanikë. Për këtë kërkim, u analizuan gati 69,000 persona që kishin informacion të mjaftueshëm mbi dietën, aktivitetin fizik dhe biomarkerët e nevojshëm për të llogaritur moshën biologjike. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: ata që merrnin zink dhe ata që jo. Grupi pa zink përbëhej nga mbi 35,000 persona, ndërsa grupi me zink nga mbi 33,000, me një moshë mesatare prej 56 vjeç në të dy grupet. Sasia e zinkut u llogarit përmes regjistrimeve të ushqimeve dhe pyetësorëve për suplementet. Kufiri maksimal i rekomanduar ishte 11 mg/ditë për meshkujt dhe 8 mg/ditë për femrat. Mbi 40 mg/ditë konsiderohet dozë e tepruar. Aktiviteti fizik u përkthye në MET (njësi matëse për ushtrimet fizike), ku minimumi i rekomanduar nga OBSH është 600 MET në javë – ekuivalente me 150 minuta aktivitet të moderuar ose 75 minuta të fuqishëm në javë. Mosha biologjike u llogarit me mjetin ENABL Age, që vlerëson moshën e trupit dhe parashikon gjasat për vdekshmëri në 5-10 vitet e ardhshme.
Çfarë treguan rezultatet?
Pjesëmarrësit me plakje të ngadalësuar kishin më shumë gjasa të merrnin sasinë e rekomanduar ditore të zinkut. Konkretisht, ata që merrnin sasinë optimale të zinkut shfaqnin një vonesë mesatare prej 0.11 vitesh në moshën biologjike. Por, marrja e tepërt e zinkut, më shumë se 40 mg/ditë lidhej me përshpejtim të moshës biologjike me rreth 7 vjet. Ndërkohë, ata që kombinonin sasinë e duhur të zinkut me aktivitetin fizik të rekomanduar kishin 31% më pak gjasa të përjetonin plakje të përshpejtuar, krahasuar me ata që nuk ushqeheshin mirë dhe ishin joaktivë. Kufizimet e studimit përfshijnë përfaqësimin e ngushtë etnik (kryesisht europianë të bardhë) dhe faktin që informacioni për dietën dhe aktivitetin fizik u vetë-raportua, gjë që mund të sjellë pasaktësi.
Lexo edhe: Në fillim nuk e donte emrin e saj në markë, tani është një legjendë
Sipas studiuesve, mungesa e zinkut prek rreth 17% të popullsisë globale, ndaj suplementet mund të jenë të dobishme për disa. Por, është thelbësore të mos e teprojmë, pasi doza të larta përshpejtojnë plakjen.Zinku ndikon në sintezën e ADN-së, metabolizmin e proteinave, ndarjen e qelizave, hormonët, imunitetin dhe mund të mbrojë nga sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri. Ai vepron edhe si antioksidant, duke ulur inflamacionin – çka ndihmon në ngadalësimin e plakjes.
Burime të mira natyrale të zinkut janë: frutat e detit, mishi, shpendët, produktet e qumështit, arrat dhe farat.
Gjithashtu, aktiviteti fizik përforcon efektin pozitiv të zinkut. Nuk është e nevojshme të ndjekësh një program të ngarkuar – fillo me hapa të vegjël si:
-
Lëvizje më të shpeshta gjatë ditës
-
Ecje në shtëpi
-
Ngjitje të shkallëve
-
Ushtrime të lehta gjatë pushimeve në punë
Studimi i ri tregon se një sasi e mjaftueshme e zinkut mund të ngadalësojë plakjen biologjike – dhe ky efekt është edhe më i madh kur kombinohet me aktivitet fizik. Por, teprimi me zink mund të ketë efekte të kundërta. Nëse mendon se nuk po merr mjaftueshëm zink nga ushqimi, konsultohu me një mjek apo dietolog përpara se të përdorësh suplemente.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.