Salesforce do të blejë Slack për 27.7 miliardë dollarë, në një prej bashkimeve më të mëdha në industrinë e teknologjisë të bëra gjatë viteve të fundit. Zërat për një marrëveshje u shfaqën javën e kaluar, duke shkaktuar rritjen e çmimit të aksioneve të Slack .
Bashkëthemeluesi dhe CEO i Salesforce, Marc Benioff u shpreh entuziast për blerjen e tij të fundit. “Kjo marrëveshje është diçka fantastike për të dy palët. Së bashku, Salesforce dhe Slack do të ndryshojnë të ardhmen e industrisë së teknologjisë dhe do të transformojnë mënyrën e të punuarit në një botë tërësisht dixhitale, nga do cep i botës, ”tha Benioff në një deklaratë.
Në vitin 2020, Slack kishte humbur rreth 40% të vlerës së saj që kur marrëveshja u bë publike. Pas bilancit të fundit, kompania humbi 16% të vlerës së saj dhe para se të zyrtarizohej shitja, kompania numëronte 12.5 milionë përdorues dhe vitin e fundit konkurrenca me Microsoft Teams, i cili aktualisht numëron mbi 100 milionë përdorues vështirësoi pozitat e kompanisë.
Sipas Yahoo dhe Google Finance, aktualisht Slack vlerësohet në rreth 25 miliardë dollarë. Marrëveshja e re e vë Salesforce në pozita më të barabarta dhe më konkurruese – me rivalin e saj kryesor Microsoft, produkti i të cilit, Teams ka qenë konkurrenti kryesor i Slack.
Vlen të përmendet se Salesforce ishte e interesuar për blerjen e Twitter në 2016, të njëjtin vit që Microsoft thuhet se ishte e interesuar për Slack, por përfundimisht u largua nga kjo marrëveshje kur aksionarët kundërshtuan, duke mos dashur të merreshin me anën e zhurmshme të rrjeteve sociale.
Slack u themelua në 2013, por origjina e saj mund të gjendet në një kompani lojërash multiplayer në internet të quajtur Glitch që u themelua në 2009. Ndërsa loja rezultoi një dështim, produkti zhvilloi një sistem të brendshëm të mesazheve në procesin e ndërtimit të asaj kompanie që evoluoi më vonë në Slack. Për shumë vite ishte numri një në listat e shumë sipërmarrësve. Aplikacioni i mesazheve që zëvendëson email-in në shumë biznese ka qenë veçanërisht popullor me pronarët e bizneseve, të cilët janë vazhdimisht në lëvizje dhe duke u përpjekur për të qëndruar në kontakt të rregullt me stafin e tyre.