Nëse ndonjëherë ju kanë kërkuar të hiqni bateritë litium-jon përpara se të hipni në avion, atëherë jeni të njohur me rreziqet që ato paraqesin. Kur një bateri mbinxehet, ekziston rreziku që të shpërthejë ose të marrë flakë.
Por sa më shumë që shoqëria kalon drejt energjisë së rinovueshme dhe elektrifikimit, aq më shumë rritet nevoja për bateri — dhe pikërisht për këtë arsye, një grup studiuesish ka zhvilluar një mënyrë të re për t’i testuar ato për rreziqe të mundshme, në mënyrë që të mësojnë si t’i bëjnë më të sigurta.
Ky studim, i publikuar në revistën shkencore Nature Energy, është realizuar nga shkencëtarë të Universitetit të Tokios, të cilët krijuan qëllimisht bateri të paqëndrueshme për t’i testuar ndaj mbinxehjes. Bateritë e tyre ishin vetëm një e pesëdhjeta e madhësisë së baterive konvencionale, gjë që i bëri shumë më të lehta dhe më të përballueshme për t’u testuar nën kushte ekstreme si nxehtësi apo presion. “Metodat aktuale të testimit të sigurisë mbështeten në bateri komerciale me kapacitet të madh, të cilat kërkojnë burime të shumta materiale, procese të ndërlikuara prodhimi dhe standarde të rrepta kundër shpërthimeve,” shpjegon profesori Atsuo Yamada.
Ai thekson: “Zhvillimi i një baterie që ishte qëllimisht e rrezikshme ishte çelësi.” Dhe falë madhësisë së vogël, testimi në laborator nuk përbënte ndonjë rrezik të madh për studiuesit. “Kjo mundëson një testim të shpejtë të sigurisë dhe rikthim të hershëm të të dhënave për përmirësimin e dizajnit të baterive, duke u ardhur në ndihmë studiuesve dhe prodhuesve që punojnë për të rritur sigurinë e tyre,” shton Yamada. “Në fund, synojmë të përshpejtojmë kalimin drejt një shoqërie neutrale në karbon.”
Bateritë luajnë një rol thelbësor në tranzicionin drejt energjisë së pastër, duke reduktuar varësinë nga burimet ndotëse si qymyri dhe gazi. Bateritë litium-jon, në veçanti, përdoren për automjetet elektrike dhe për ruajtjen e energjisë në rrjetin elektrik. Ato janë veçanërisht të dobishme gjatë ndërprerjeve të energjisë apo motit të keq — edhe kur rrjeti bie përkohësisht, rezervat e energjisë në bateri mund të sigurojnë furnizim të pandërprerë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.