“Rrëmbehu nga Shqipëria”, video që po bëhet virale, i kundërpërgjigjet filmit Taken
E mbani mend filmin e njohur “Taken”, në të cilin shqiptarët pasqyroheshin si kriminelë dhe rrëmbyes të femrave për t’i shitur ato për prostitucion, me “Markon nga Tropoja” dhe aktorin e mirënjohur Liam Neeson.
Në atë kohë shqiptarët, të revoltuar nga ky pasqyrim për popullin shqiptar mohuan se ne jemi të tillë dhe aq më tepër me fundin e tij ku na etiketonin si besë shkelur, kur në fakt një nga virtytet që na dallon është besa që i japim dikujt.
Epo ai ishte vetëm një film dhe aktorët thjesht po aktronin, por në kundërpërgjigje të tij vjen një video e realizuar, ku ftohet aktori Liam Neeson dhe të gjithë të tjerët nga vendet e huaja të vijnë dhe të vizitojnë vendin tonë dhe të “BeTakenByAlbania”, të rrëmbehen nga Shqipëria.
Kanë kaluar vetëm dy ditë nga publikimi i videos, por ritmi i shpërndarjes së saj është për t’u admiruar. Gjithsej kjo video është parë 36,814 herë.
“Në kulturën e përgjithshme, Shqipëria ka qenë etiketuar si një strehë për bandat, kriminelët dhe gansterët. Ndërkohë që e kuptojmë se përceptimi i marrë nga filmat e mirë si Taken (2008), kjo është tërësisht e pavërtetë. Në realitet, Shqipëria është nje vend i bukur dhe tepër i sigurt për t’u vizituar dhe jetuar,” shkruhet në përshkrimin e videos.
Prandaj ka filluar kjo fushatë për të apeluar personalisht aktorin e famshëm të Taken z. Liam Neeson. Shikojeni videon dhe bashkohuni duke nënshkruar peticionin për të sjellë z. Neeson në Shqipëri dhe të rrëmbehet nga natyra e bukur, mikpritja dhe traditat e përjetshme.
Në video dalin personalitete të fushave të ndryshme të Shqipërisë, të cilët tregojnë bukuritë shqiptare që nuk duhen lënë pa vizituar apo pa provuar, mes tyre dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Z. Blendi Klose.
Klipi mbyllet me fjalët e Markos nga Tropoja (Arben Bajraktaraj): “Siç të thashë miku im, shtëpia e një shqiptari i përket zotit dhe të ftuarve. Mirë se të vini!”
Mesa duket, Marko përtej filmit, i ka folur aktorit për bukuritë dhe mikëpritjen shqiptare.
Për të nënshkruar peticionin klikoni këtu: https://www.takenbyalbania.com/sq
Për më shumë shikoni videon e plotë: