Rikthehet ICT Awards, më 2 Shkurt nis rrugëtimin i ri
Përditësuar së fundmi: 23/01/2018

Rikthehet ICT Awards, më 2 Shkurt nis rrugëtimin i ri

Share
nga Neada Muçaj
Jan 23, 2018

E kthyer në një arenë prestigjioze arritjesh, ku më të mirët e industrisë së ICT-së ballafaqojnë mes tyre idetë, lidershipin dhe gjenialitetin, ICT Awards është shndërruar në eventin më të dashur të komunitetit të ICT-së ndër shqiptare.

ICT Awards është një konkurs kombëtar, unik për nga karakteri dhe përkushtimi, i cili ka për qëllim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të shquar, udhëheqësve të suksesshëm të biznesit, novatorëve e të rinjve entuziastë të ICT-së.

Ashtu si në çdo vend të zhvilluar të Evropës, te rinjtë e Tiranës, Prishtinës, Shkupit e Ulqinit apo me gjerë, do të kenë mundësinë e artë që i jep ICT Awards, jo vetëm duke matur forcat mes njeri-tjetrit, por duke patentuar aftësitë e tyre në një ngjarje ku konkurrohet mes shembujve më pozitiv të shoqërisë, ku jo pak prej të cilëve kanë korrur suksese përtej kufijve të rajonit tonë.

Ngjarja ICT Awards e cila konsiderohet tashmë si një ndër më të rëndësishmet në Shqipëri e Kosovë në fushën e ICT-së, ka arritur që të gjejë mbështetje të gjerë të mediave më të mëdha në vend, aktorëve më seriozë të fushës së biznesit, komunitetit e deri në qeveri, ku vetëm një vit më parë nderohet nga Kryeministri i Shqipërisë me Çmimin Bleta e Artë.

Lexoni: Albanian ICT Awards shpalli fituesit e edicionit të pestë jubilar të garës shpërblyese në teknologji

Po çfarë sjell eventi i datës 2 Shkurt 2018?

Ceremonia pritet të hapet nga tre fjalime të shkurtra nga përfaqësues të Jurisë si dhe organizatorët e evenimentit, si dhe pasohet nga një mesazh prej kryetarit të Bashkisë së Tiranës z.Erion Veliaj. Një panel diskutimi do të vijojë më pas i përberë nga rastet më të mira të suksesit ndër vite të ICT Awards, të cilët do te rrëfejnë arritjet e tyre gjatë vitit të shkuar si dhe planet e vitit që vjen.

Në fund të ceremonisë është planifikuar një cocktail rrjetëzimi mes te ftuarve. Kompania Albvision është përkujdesur që gjate këtyre momenteve të sjellë një eksperiencë të crypto-currencies në Tiranë, duke sjellë për herë të parë Bitcoin ATM në ketë qytet.