Qyteti që lëngon në heshtje

Qyteti që lëngon në heshtje


Reportazh nga Sabina Veizaj

Kur hyn në Kukës, të ngjan sikur e përpin qyetetin me një të parë, për nga madhësia që ka. Kudo ku mund të rrotullohesh del sërish në qendër ku janë sistemuar të gjitha institucionet publike; Bashkia, Gjykata e rrethit, etj dhe ato pak biznese familjare që i mbajnë frymën gjallë qytetit verior.

Në bar kafetë e shtrira në shëtitore, sheh pak tavolina me njerëz dhe syri të zë kryesisht meshkuj.

Ata njerëz që i mungojnë kafeneve në orët e para të ditës, i ndesh të ulur në bordura.

Por Kukësi është si një plak i motshëm, i urtë që gjithë ç’vuan e gëlltit thellë dhe nuk e tregon.

Safeti, i cili tregton fruta-perime pranë stacionit të autobusëve, thotë se ulërima e kuksianëve ndodhet në fletoret e tij të borxheve që ai  ka pak që i ka djegur.

“Fletoret e mia mbanin 30 mln lekë fruta-perime të marra me listë ndër vite. Nuk mu kthyen kurrë dhe vendosa ti digjja fletoret. Tani vetëm fal sepse Kukësi është shumë i varfër dhe unë e di që ata që vijnë për të blerë me listë nuk do të mund të mi sjellin”- thotë Safeti.

Tregtari ambulant i fruta-perimeve, i cili vjen në Tiranë gati çdo ditë për furnizim e ndodh që të kalojë edhe 48 orë pa gjumë pasi të gjitha proceset e tregtimit i kryen vetë, më shumë se gjysmën e vitit e kalon në emigrim.

“Çmimet këtu janë më të shtrenjta se në Tiranë, gjatë dimrit nuk ka qarkullim parashë, papunësia është e madhe. Unë shkoj jashtë për të punuar.”

Safeti këtë mënyrë jetese e bën prej gati dy dekadash, ndërsa familjen e ka në Kukës dhe fëmijët studentë në Tiranë.

Safeti tregon se pamja e zonës ku ai tregton, ndryshon çdo ditë në 7 të mëngjesit tek të varfrit e fshatrave zbresin dhe ngjiten më këmbë të ngarkuar me thasë me miell e produkte ushqimore, si në kohën kur mënyra e tregtisë ishte shkëmbimi mall me mall.

“Ajo është pamja më e mjerë që mund të të shohin sytë, aty është varfëria e vërtetë dhe më e thellë” – tregon Safeti.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Bujar Muçmata më thotë se deri më 1 janar 2018 bashkia e Kukësit trajtonte me ndihmë ekonomike 6600 familje, që përkthehet në 41% të popullsisë së Kukësit. Me sistemin e ri, 36000 familje u hoqën nga skema ekonomike për mosplotësim pikësh. Aktualisht shuma maksimale që i atashohet ndihmës ekonomike është 5700 lekë të reja në muaj.

Kuksianët paguajnë ende sot sipas aktmarrëveshjes me OSHE-në, 2800 lekë shtesë në faturën e energjisë elektrike si detyrime të prapambetura, përpos shumën e harxhuar të muajit precedent, ndërkohë që vijojnë të vuajnë furnizimin me ujë të pijshëm në mënyrë të vazhdueshme.

Shkalla e papunësisë në qarkun e Kukësit sipas INSTAT rezulton me një rënie të konsiderueshme që prej vitit 2016, por duhet marrë parasysh në këtë panoramë edhe tkurrja e popullsisë si rezultat i emigrimit dhe migraçionit të brendshëm.

Muçmata më tregon se në Kukës papunësia është në masën 60%. Aktualisht aty zhvillojnë aktivitet ekonomik familjar 620 biznese shërbimi.

“Kush prodhon në Kukës? Të paktën ata quhen të vetëpunësuar. Mbajnë frymën me bukë”- thotë sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë duke u shprehur me mllef se “Kukësi është një nga vendet më të pasura për burime natyrore edhe në rajon dhe me popullsi më të varfër”.

Kuksi,- vazhdon Muçmata,- ka 31 miniera dhe 11 hidrocentrale dhe Bashkia nuk ka asnjë akses në monitorim apo vjelje taksash. “Të gjitha i shkojnë qeverisë sipas ligjit. Por është turp që këto kompani shfrytëzojnë burimet natyrore të Kukësit, shkatërrojnë natyrën, shfrytëzojnë bashkinë për shërbimet e tyre si hapje rruge, etj, nuk bëjnë asnjë punë komunitare sipas ligjit, nuk kanë punësuar asnjë banorë të zonës dhe qeveria na ka shpërndarë nga renta minerare prill 2018- 387 lekë të reja dhe për maj 2018- 29 000 lekë të reja. Ne kemi kërkuar ndryshimin e ligjit”

Loreta Cana, punonjëse në Qendrën Sociale Kukës, më thotë se  nga muaji tetor 2017 janë kthyer nga azili 107 persona, prej të cilëve 60 janë të papunë.

Muçmata tregon se një pjesë e mirë e familjeve që janë nisur për azil kanë shitur gjënë e gjallë, shtëpinë dhe tanimë që janë rikthyer janë në mes të katër rrugëve.

Referuar të dhënave të INSTAT, ekonomia e qarkut verilindor në 2016-ën shënoi rënie me 0.6%, për të tretin vit radhazi. Rënia më e fortë ka rezultuar në vitin 2014 me rreth -14.5 % si pasojë e largimit masiv të popullatës për azil ekonomik kryesisht në Françë e Gjermani, fenomen që me gjithë frenimin e fluksit,vazhdon edhe sot. Qarku Kukës ka peshën më të ulët të numrit të njësive lokale në vend me vetëm 1,5 %.  Të ardhurat për frymë në qarkun e Kukësit janë 35,7 % më të ulta se mesatarja e vendit me vetëm 319 mijë lekë për frymë.

Për shkak të varfërisë së lartë mosha mesatare e vdekjeve në këtë qark është e lartë, duke u klasifikuar në qarkun me moshën mesatare më të ulët të vdekjeve 70,7 vjeç. Familjet në qarkun e Kukësit shpenzojnë më pak në bare ; 0,6 % të totalit të shpenzimeve. Gjithashtu ato kanë shpenzimet më të ulta për veshje në rang vendi, 2,3% të totalit.

Hate Ora është në pension, por e mbetur e vetme, sigurisht edhe për pasion, ajo punon në katin e nëndheshëm të themeleve që kanë hedhur djemtë emigrantë për të ndërtuar shtëpinë. Ajo jeton me qira në shtëpinë e saj që e ka shitur dhe shpreson që një ditë djemtë do ta përfundojnë së ndërtuari shtëpinë e nisur disa vite më parë. Hatja end në vege dhe prodhon qilima, sixhade, orendi zbukuruese, etj.

Hatja duke më treguar me gisht një vegël, më thotë se atë ia ka ndërtuar i shoqi i ndjerë i cili, kujton ajo, “më ndihmonte me gjëra të vogla, aq sa mundej; ishte në kemp dhe rrinte ja këtu afër me mua.”

Hatja pas viteve “90 me këtë punë ka mbajtur familjen e vazhdon të mbajë ende veten sepse ndërmarrja ku ajo punonte u shkri që me ndryshimin e sistemeve. Edhe pse 60 vjeç dhe vegja kërkon përqëndrim dhe mund, ajo i kushton punës 2-3 orë në ditë mesatarisht.

Një sixhade kushton 10000-40000 lekë, por ajo nuk ka shumë punë; një kërkesë në 2-3 muaj përgjithësisht, thotë Hatja. “Mund të qëndroj 3-4 muaj pa punë e më pas më vijnë 2-3 punë njëherësh. E detyrohem thërras nxënëset që i kam mësuar”.

Bujqësia në qarkun e Kukësit zë 41 për qind të ekonomisë, por rajoni ka prodhimin më të ulët të perimeve, mishit dhe vezëve në vend. Ndërsa fermerët problemin më të madh kanë konkurrencën e pandershme e cila shkakton mbetjen pa shitur të prodhimit.

Muhamet Muja ka një fermë të vogël 80 metra katrorë në fshatin Shtiqen, pak minuta larg me makinë nga qyteti i Kukësit. “Lopën e parë, race e kam marrë më1996 në Shijak. Ecuria është shumë e vogël, me hapa shumë të ngadaltë. Nuk ke ku e çon prodhimin. Kam çuar në spital më parë si furnizues, por më vonë e kërkuan të paketuar”-thotë Muhameti. Ferma e tij ka 9 lopë dhe 9 viça. “Janë lopë qumshti”-tregon Muhameti tek kthen kafenë. Ne jemi tek bar, restorant, hotel Amerika, biznesi më i madh dhe i frekuentuar në qyettin e Kukësit, veçanërisht nga të huajt.

“Nuk i kam shtuar lopët sepse nuk kam mundësi ta shpërndaj prodhimin.  Kopshtet e kishin pushim këtë verë dhe qumshtin e djathin i kam mbajtur për vete dhe shpërndarë nëpër fis e miqësi falas. 70-80 litra në ditë janë shumë për përdorim vetjak. Djathin nuk e shita sepse nuk ia vlente çmimi i tregut kur për 1 kg djath, unë shpenzoj 80 litra qumësht. Më  kanë humbur këtë verë 3 mln lekë.”- thotë Muhameti.Për të zgjidhje do të ishte ndërtimi i një baxhoje që të grumbullonte qumshtin, por askush nga ata që kanë potencial nuk e merr inisiativën.

Një shqetësim tjetër për Muhametin janë edhe tarifat doganore për produktet e importit si bari, etj.

Muhameti nuk na shoqëron dot tek ferma sepse ka punë në rrobaqepsi ku punon me orar të plotë. Rrobaqepsia e tij është një apartament 40 metra katrorë në katin e parë të një pallati në qendër të Kukësit. Muahmeti është një rrobaqepës i vjetër. Ai e ushtron profesionin që prej vitit 1975 dhe nga 2000 deri tani ka kaluar nëpër duar 700 kursantë, të cilët aktualisht punojnë në Kukës, disa të tjerë në Tiranë dhe jashtë kufijëve.

“Më “93 mora me qira një mjedis dhe shpenzimi ishte 20000 lekë makina qepëse. Punoja vetë për të kuptuar nëse ecte. U binda që mund të punoja dhe më pas e bleva mjedisin që shikoni ju këtu.”-thotë ai.

Muhameti biznesin e ka familjar. Ka punësuar në të gocën dhe nuset e djemëve. Ai ka dëshirë ta mbajë familjen të bashkuar dhe pranë tij.

Për të koncepti i të ndihmuarit nga qeveria është i gabuar. Muhameti mendon se njerëzit duhet të kenë vullnet dhe inisiativë që ta ndërtojnë punën vetë. Ne shkuam për të vizituar fermën tek shtëpia e Muhametit ku na pritën nëna dhe e shoqja e tij.

Aty e kuptoje konceptin e mikpritjes; gati 10 nipër e mbesa të rrethonin me përkujdesje dhe ishin në dispozicion për të të plotësuar çdo dëshirë.

Shkojmë takojmë kryeplakun e fshatit. E gjejmë në një bar kafe pranë Xhamisë së fshatit. I rrethuar nga disa djemë të rinj; nipërit, djali. Ky i fundit ishte me mendjen jashtë kufijëve. Kishte pak kohë që ishte ktheyr sepse e kishin kapur dhe priste të ikte sërish: “Po pres të bëj ca lekë e të nisem. Nuk rrihet këtu, ka varfëri”- thotë i riu.

Kryeplaku rreth të 65-ave rron vetë me 5000 lekë që paguhet për titullin që bart.

Tek e pyesim se si jetojnë banorët e Shtiqenit ai thotë se varfëria është ekstreme. “Unë nuk shkoj dot nëpër shtëpitë e tyre. Por edhe ata kanë shumë dinjitet. Nuk e bërtasin varfërinë. Mbijetojnë me borxhe dhe me çfarë iu sjellin të afërmit nga emigracioni”.

Nga eksodi masiv në Kukës gjatë viteve 2014-2015 Kukësit i mungojnë gati 4000 veta.

Loreta Cana thotë se ka njerëz që vijnë informohen se si të largohen drejt vendeve të Europës për të punuar. Ka edhe gjimnazizstë që interesohen për të shkuar për të studiuar dhe punuar njëkohësisht.

Gjithë ç’takojmë në Kukës, mendjen e kanë të largohen jashtë kufijëve. Në fshatin Shtiqen çdo familje ka të paktën një person emigrant në qytetet europiane.

Në familjen Dedja djemtë janë në Angli. Aty takojmë  gruan më të vjetër të fshatit Shtiqen, Hamidie Dedjën. Në kartën e saj të identitetit dita e saj e lindjes daton më 4 maj 1918. Por nusja e djalit të saj të ndjerë thotë se ka gjasa që mamaja të jetë të paktën 5 vite më e madhe, pasi ngaqë të atit të saj i kishin vdekur disa fëmijë, për bestytni, ai e regjistroi vajzën në gjendjen civile disa vite më vonë.

Nënë Hamidija ka disa rrudha të thella ku me shumë gjasa kanë të shkruara gjithë mundimet e një jete të gjatë, që siç thotë ajo e kanë harruar ta marrin.

Lotët shndërrijnë në fytyrën plot dashuri të nënë Hamidija tek kujton të birin e larguar herët nga jeta. Fatet nuk ngjajnë dhe nënë Hamidija qan fatet e gjithë të brengosurve që mban thellë në shpirt. Ajo kujton se si është punuar në kohën e saj, kujton se si ka përjetuar luftërat…

Me gjithë hidhërimet dhe dhimbjet e saj, nënë Hamidija është një grua e moshuar me aromë karameleje, dhe e veshur me një estetikë dhe pastërti për tu patur zili. Të ngjan me një pulëbardhë tek e sheh duke rregulluar shaminë e kokës.

Fatos Bajraktari pas dy dekadash emigrim në Belgjikë është rikthyer përfundimisht në Kukës.Ai ka hapur një dyqan të ushqimeve të shpejta (Fast Food) në zonën më të rëndësishme të qytetit ku janë të pozicionuara të gjitha institucionet publike.

Çdo ditë së bashku me të shoqen dhe djalin, prej tre vitesh ai bën 8 kilometra rrugë me makinë nga fshati Bicaj në Kukës.

Edhe në Blegjikë, ai ka punuar në Fast Food, ndërsa e shoqja sanitare.

Për të riadaptimi pas 18 vitesh me jetën e vendasve ka qenë shumë i vështirë. Fillimet kanë qenë të mbushura me  panik. “Në mendjen time po e hapja lokalin, por thoja kush do konsumojë? Këtu në Kukës është papunësi e madhe, njerëzit nuk ngopen me bukë e jo më të shkojnë  në Fast Food. Kjo ishte frika ime më e madhe. Ndërsa ai ia ka dalë më së miri të riintegrohet, nuk mund të thotë të njëjtën gjë për të birin 13 vjeçar i cili ka lindur dhe është rritur në Belgjikë. “Djali kërkon të kthehet atje, nuk i rrihet këtu. Pavarësisht se ne përpiqemi të jetojmë me rregullat e atjeshme.  Fëmijët janë të urtë, të sjellshëm. Megjithatë unë nuk i pengoj nëse do të duan të ikin.”-thotë Fatosi.

Teksa Fatosi është i bindur për rithimin e tij dhe riintegrimin, keqardhet për të rinjtë e fshatit të tij që çdo ditë shfaqin dëshirën për t’u larguar sepse  nuk kanë  punë dhe përpiqen me mish e me shpirt për të gjetur mundësi konkrete për të emigruar.

Fshati Bicaj është më i madhi në Kukës dhe pjesa më e madhe janë në emigrim.

Kjo vërehet edhe tek ndërtimet. Në qytetin e Kukësit ka vetëm dy godina të larta 9 katëshe dhe prej tre mujorit të parë të 2016-ës, bashkia Kukës nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimi, pasi askush nuk ka aplikuar, sepse nuk ka nevojë.

Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Kuksit më sqaron se “pranë kësaj bashkie nuk ka patur aplikime për ndërtime të reja banimi, madje nuk ka as aplikime stok.”

A po rrudhet popullsia e re e Kuksit si pasojë e emigraçionit dhe për rrjedhojë nuk ka nevojë për ndërtesa të reja? A ka ndikuar rënia e remitançave dhe varfëria e kësaj popullsie në pamundësinë për të ndërtuar? Apo të gjitha sëbashku?

Vetë Muççmata e shpjegon mungesën e aplikimit për leje ndërtimi për banesa të reja me;1-Vendimin e Qeverisë të 2015-ës për pezullimin e lejeve deri në hartimin e planit të pushtetit vendor i çili u miratua në fundin e 2017-ës dhe mungesën e titujve të pronësisë.

“Kuksi ka probleme me titujt e pronësisë, nuk e kanë regjistruar tokën bujqësore, nuk ka ççertifikata pronësie. Që të aplikosh për leje ndërtimi është e domosdoshme dhe kusht themelor të paraqitet ççertifikata e pronësisë. Nga 2015 vetëm 3 pallate të reja janë ndërtuar në Kukës të çilët janë në proçes hipotekimi.”-thotë ai.

Sipas tij, kjo bashki ka nënshkruar një marrëveshje me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të përfunduar proçesin e regjistrimit të tokave.  Në të njëjtën kohë në kuvend qëndron një projektligj, i çili pritet të kalojë në shtator, për Përfundimin Tranzitor të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë. “Sa ka ardhur shkresa për mendim sepse ne kemi probleme me 7501. Është përgatitur një draft nga Agjençia e Zbatimit të Reformës territoriale dhe Ministria e Infrastrukturës për të bërë disa ndërhyrje ligjore me qëllim fitimin e titujve të pronësisë.”- shton Muçmata.

Aty mu kujtua momenti kur po hynim në Kukës tek kaluam në sportelet kur të hënën do të nisë të paguhet tarifa e rrugës së Kombit. Instiktivisht më erdhi të nxirrja pasaportën, sepse të krijohej ndjesia se ishe në kufi.

Liridoni na pret tek hyrja e Muzeut Historik. Ai prej një jave ka humbur të atin dhe erdhi enkas për ne që të na cicëronte në muze. “Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”-thotë ai. Liridoni ka studiuar Histori-Gjerografi dhe është diplomuar prej tre vitesh e mban pozicionin e cicëronit të muzeut të Kukësit prej 6 muajsh.

Ai na ndal tek fotografia e Kukësit të vjetër. “ Më 1912 Kukësi është i pushtuar, nuk është nën juridiskionin shqiptar . Më 1921 është arenë luftimesh mes serbëve më pas çlirohet dhe vihet  në juridiskion shqiptar. Më 1925 krijohet qyteti; vijnë njerëz nga Gora, Prizëreni, Gjakova të cilët zhvillonin shumë lloje zejesh që i dhanë  ekonomisë një rritje të dukshme. Fotoja i takon vitit 1932, ku pamja tregon spitalin e parë dhe aeroportin e parë, i cili funksionoi  deri në 1944.

Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri . Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndërtimin e Kukësit të ri  dhe në prill të 1965 filloi popullimi i tij. Më 1970 kishte 6073 banorë . Në 1978 Kukësi i Vjeter ua la vendin ujërave të liqenit të Fierzës. Në 2000 kandidat për Çmimin Nobel dhe në 2010 shpallet nga USAID si qyteti më i lumtur i Shqipërisë.

Sipas censusit 2011, Bashkia Kukës ka një popullsi prej 23131 banorë dhe 4761 familje, por sekretari i përgjithshëm Muçmata thotë se mungojnë 10000 qytetarë në census, pasi ata kanë refuzuar të regjistrohen ose nuk kanë qenë prezent në momentin e regjistrimit. Teksa Kukësin e vjetër e mbyti uji, Kukësin e ri po e mbyt buka.

 Gazeta SI

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0