Pse kjo kompani e braktisi javën e saj 4-ditore të punës? - Business Magazine Albania

Pse kjo kompani e braktisi javën e saj 4-ditore të punës?

4-ditore

Në fund të provës katër-ditore të javës së punës, kompania zbuloi se kënaqësia e punonjësve kishte rënë.

Në letër, një javë pune katër-ditore tingëllon mirë. Kush nuk do të dëshironte të punonte më pak orë për të njëjtën shumë parash? Hulumtimet nga Shkolla e Biznesit “Henley” në Mbretërinë e Bashkuar zbuluan se një javë katër-ditore mund të sigurojë përfitime si për punëdhënësit, ashtu edhe për punonjësit, duke përfshirë përmirësimin e cilësisë së punës, më pak stres dhe një aftësi të rritur për të tërhequr dhe mbajtur talentin.

Por a është me të vërtetë kështu? Jo gjithmonë, thotë Rebecca Brooks, themeluese dhe CEO e firmës së kërkimit të marketingut me bazë në Los Anxhelos “Alter Agents”. Kur mbërriti COVID-19, ajo dhe ekipi i saj prej 23 punonjësish kaluan në punën në distancë, më vonë zgjodhën të qëndronin plotësisht në distancë. Ashtu si shumica e kompanive, Brooks thotë se puna nga shtëpia ishte një përshtatje.

Lexoni: Kompania amerikane kaloi në një javë pune 4-ditore dhe mesa duket kjo përmirësoi produktivitetin

“Kishte shumë stres,” thotë ajo. “Punonjësit kishin gjëra personale dhe kishte shumë kaos. Ne po përpiqeshim të ndihmonim punonjësit tanë si të ruanin kufijtë”.

Brooks filloi të lexonte rreth eksperimenteve katër-ditore të javës së punës. Biznesi i saj kërkon që ekipi i saj të jetë i disponueshëm, bazuar në afatet e klientëve, kështu që mbyllja e zyrës të premten nuk do të funksiononte. Në vend të kësaj, kompania vendosi të testojë një javë pune katër-ditore për 10 javë, duke i lejuar punonjësit të zgjidhnin një ditë për t’ia nisur.

“Dy persona në të njëjtin ekip nuk mund të largoheshin në të njëjtën ditë”, thotë Brooks. “Sistemi funksionoi, sepse klientët tanë nuk e vunë re. Në fakt, ne nuk u treguam klientëve tanë se çfarë po bënim. Suksesi do të ishte nëse klientët tanë nuk do t’a kuptonin që po punonim vetëm 4 ditë në javë.

Një javë pune katër ditore krijon probleme

Ndërsa punonjësit ishin të emocionuar për të provuar orarin e ri, rezultatet ishin mikse. Disa punonjës do të kryenin ende detyra të vogla pune në ditën e tyre të pushimit dhe të tjerët do t’u përgjigjeshin emaileve, edhe pse kompania e kishte bërë të qartë se nuk kërkohej.

“Në të vërtetë në të gjithë këtë ndikon lloji i personalitetit të çdo individi”, thotë Brooks. “Disa punonjës po lejonin që ditët e tyre të pushimit të fillonin të korruptoheshin. Dhe të tjerët ishin të mirë në vendosjen e kufijve, duke thënë: ‘Do të merrem me të kur të kthehem ose dikush tjetër mund ta zgjidhë atë.’ Asnjëra nga këto nuk është e gabuar. Janë të dyja qasje të vlefshme. Por për shkak se nuk kishte konsistencë midis punonjësve, kjo krijoi konfuzion dhe zhgënjim dhe ndikoi në dinamikën midis punonjësve tanë.”

Për më tepër, skuadra e Brooks duhej të luante catch up çdo javë. “E dini atë ndjenjë kur keni qenë me pushime dhe po përpiqeni të kapni atë që ndodhi?” pyet Brooks. “U bë e vështirë për njerëzit që të mbanin hapin me atë që kishte ndodhur kur ishin jashtë. Filluam të vëmë re gjëra të vogla që rrëshqisnin dhe kjo nuk përkonte me standardet tona.”

Në fund të 10 javëve, Brooks bëri një anketë dhe zbuloi se kënaqësia e punonjësve u ul, sepse marrëveshja po krijonte më shumë stres sesa synohej të lehtësonte. “Njerëzit nuk ishin në gjendje të relaksoheshin plotësisht në atë ditë pushimi,” thotë ajo. “Edhe nëse ata vendosnin kufij, kishte ende tension, stres dhe ankth për atë që u mungonte ose çfarë do të bënin kur të ktheheshin.”

Javët katër-ditore të punës janë masa me qëllime të mira për të reduktuar burnout dhe për t’u dhënë punonjësve hapësirë për frymëmarrje, por ato mund të përfundojnë duke mos arritur rezultatin e synuar, thotë Dr. Myra Altman, psikologe klinike dhe zëvendëspresidente e strategjisë klinike dhe kërkimit në Modern Health, platforma e shëndetit mendor në vendin e punës.

“Për shembull, javët e punës katër-ditore mund të nxisin punonjësit në industritë me presion të lartë me vëllime të mëdha pune që të punojnë në ditët e tyre të pushimit, pa u regjistruar zyrtarisht jashtë orarit, në mënyrë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre brenda kufizimeve të organizatës së tyre”, thotë Altman.

Që një javë pune katër-ditore të jetë e suksesshme, organizatat duhet të adresojnë faktorët sistematikë që nxisin burnout brenda organizatës dhe industrisë së tyre specifike. “Pa adresuar njëkohësisht këta faktorë sistematikë, një javë pune katër-ditore në fakt mund të shkaktojë më shumë probleme për punonjësit sesa zgjidh”, thotë Altman.

Kthim në javën e punës tradicionale

Në fund, Alter Agents u kthye në një javë pune pesë-ditore, 40-orëshe. Brooks thotë se nuk iu kërkua orar shtesë nga punonjësit. “Mendoj se të gjithë ndiheshin sikur po punonin ende 40 orë edhe pse supozohej të ishin 32,” thotë ajo.

“Nëse një kompani dëshiron të testojë një javë pune katër-ditore, ajo duhet të parashtrojë të gjitha detajet për punonjësit, mundësisht me shkrim, duke përfshirë sa kohë do të zgjasë periudha e provës dhe faktorët që kompania do të shikojë kur më vonë të vendosë nëse do të bëjë këtë ndryshim të përhershëm”, thotë Netta Rotstein, ndihmës këshilltare e përgjithshme dhe konsulente e burimeve njerëzore në Engage PEO, një firmë e kontraktimit të burimeve njerëzore.

Brooks pajtohet: “Njerëzit e kuptuan se ishte një provë,” thotë ajo. “Dhe disa njerëz hynë në eksperiment të pakënaqur me idenë dhe të shqetësuar se puna e tyre do të ishte më e vështirë, ndërsa të tjerët ishin të emocionuar për kohën shtesë të pushimit.”

Nëse provoni një eksperiment katër-ditor të javës së punës dhe në fund ktheheni në punë pesë ditore, Rotstein thotë se është më mirë të jesh transparent në lidhje me arsyen e kthimit prapa vendimit. “Por, nëse i atribuohet një rënieje të matshme të produktivitetit, mos e drejtoni gishtin drejt një punonjësi apo departamenti të caktuar, sepse kjo mund të krijojë një kulturë faji që është toksike në vendin e punës,” thotë ajo.

Lexoni: Java e punës 4-ditore. Sipas provave në Islandë rezulton të jetë një sukses i jashtëzakonshëm

Shumica e punonjësve do ta shohin përfundimin edhe të një programi të përkohshëm katër-ditor të javës së punës si heqje e përfitimit, kështu që përgatituni për një rënie të mundshme të moralit të punonjësve, shton Rotstein. “Punonjësit mund ta perceptojnë ndryshimin pasi kompania nuk i jep prioritet, apo nuk kujdeset për mirëqenien apo fleksibilitetin e tyre”, thotë ajo.

Brooks mendoi për frymën e javës katër-ditore të punës dhe atë që ajo shpresonte të arrinte, e cila ishte të merrte një ditë pushimi nga puna gjatë javës për ta rikthyer në mënyrë krijuese dhe jo vetëm për të grumbulluar një ditë me porosi dhe takime. Ajo dhe punonjësit e saj po pilotojnë një program të ri që shpresojnë ta arrijë këtë qëllim, i cili është dhënia e një dite pushimi në muaj përveç politikës së pakufizuar të kompanisë.

“Për shkak se është vetëm një herë në muaj, duhet të jetë e papërfillshme,” thotë ajo. “Ju duhet të jeni në gjendje të angazhoheni për ta marrë atë ditë plotësisht. Dhe ndërsa në letër dukej sikur kalimi nga katër ditë pushim në muaj në një ditë pushimi në muaj ishte një ndryshim i madh, njerëzit kanë qenë të kënaqur me këtë program, sepse kur të vijë ajo ditë, ata në fakt mund ta marrin atë. Kjo duket më mirë sesa të ekzistojë, por të mos jesh në gjendje të përfitosh plotësisht prej saj.”

/FC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0