Post Startup Grind, Alketa Vejsiu: “Doja të isha e pavarur, talenti më dha më shumë se kaq.”

Post Startup Grind, Alketa Vejsiu: “Doja të isha e pavarur, talenti më dha më shumë se kaq.”

Alketa Vejsiu është një personalitet i televizionit shqiptar, producente, këngëtare dhe prezantuese radiofonike. Ajo filloi karrierën e saj që në moshën 14 vjeçare, kur së bashku me një shoqe të klasës nisën gazetën e printuar “Vogëlushët”. Alketa ishte apasionuar pas leximit dhe shkrimit të romaneve e historive interesante me të cilat pasuronte këtë gazetë.

Me një produkt, plan dhe një vizion të qartë, e ardhmja e saj ishte e parashikueshme. Një ditë troket në derën e Top Albania Radio, pa kuptuar se po trokiste në të ardhmen e saj. Alketa rrëfen një sekret për Startup Grind, kishte dëgjuar se sanitaret në radio paguhen e mirë, e në konditat ku ishte familja e saj në atë kohë ajo e shihte këtë punë si një çelës të artë. Por jeta e saj mori një rrjedhë tjetër, kur u zbulua si talent nga Dritan Hoxha, themeluesi i Top Albania Radio dhe një nga mentorët e saj më të mirë.

Një femër e vendosur që zotëron të gjitha tiparet e një sipërmarrësi, arriti të ishte e suksshme në çdo produkt që mban emrin e saj.

Ajo e konsideron veten me fat, madje të mbrojtur nga Zoti. Sipas Alketës, “Njerëzit lindin për t’u bërë diçka”, por ajo çfarë ndodh gjatë rrugës përbën fatin e tyre. Dikush ja del, dikush dembeloset sepse i ka mundësit dhe nuk do të lodhet, dikush nuk zbulohet nga dora e duhur e dikush tjetër nuk menaxhohet mirë.

Vizioni është fokus! Dhe fokusi i Alketës që fëmijë ishte të ishte e pavarur dhe të ndihmonte familjen e saj, ndërkohë që i ati ishte në emigracion. “Jeta është 50% fat e 50% punë. Unë kam bërë zgjedhje të mira, çelësi është të dish ku të trokasësh,” thotë Alketa. “Por pa punë nuk ka jetë, asgjë nuk lëviz.”

Gjatë intervistës, ajo nuk harron të tregoj për raportin 20 vjeçar me Vera Grabockën, një raport që i ka dhënë shumë tregut shqiptar. “Puna në televizion, nuk është aq e bukur sa duket,” tregon Alketa që vetëm në moshën 23 vjeçare punonte si gazetare, kujdesej për fëmijën e saj të parë dhe ishte në përfundim të studimeve me rezultate shumë të mira. “Televizioni nuk është diçka që shkëlqen, nuk mund ta synojnë të gjithë. Është lodhje dhe sakrificë e madhe, pavarsisht vezullimit që reflekton nga jashtë.”

E pyetur sesi e menaxhonte kohën për të realizuar kaq shumë punë, Alketa na tregon: “Të veshësh shumë kapele që të të rrinë mirë, duhet të delegosh punët tek njerëzit e aftë.” Mësuam se si sipërmarrëse ajo krijon raporte shumë të mira me punonjësit, sepse vetëm në këtë mënyrë biznesi mund të ecë përpara. “Ide, shumë punë, njerëz të talentuar dhe kontroll. Kështu ja dalë unë.”

Në Startup Grind Tirana folëm më shume rreth sipërmarrjes së saj Class by Alketa Vejsiu, për suksesin dhe sfidat që ajo has çdo ditë në biznesin e saj.

Thuhet se shumë kunguj nën një sqetull nuk mbahen, por jo në rastin e Alketës. A i trembet ajo dështimit? Alketa përgjigjet: “Fatëmirësisht, unë nuk kam patur dështime në jetë. Por nuk duhet ta shohim atë si një kërcënim.” Dështimi nuk ka një formulë të caktuar, por kur bini gjeni brenda vetes forcën për t’u ngritur prapë. “I thoni dështimit: E çfarë pastaj? Mundësitë janë të pafundme. Mos i lini t’ju ikin, nga frika e një dështimi,” vazhdon ajo.

Business Magazine Albania ishte mbështetës i këtij eventi, si partner mediatik, ashtu si për të gjitha eventet e organizuara nga Startup Grind Tirana. Kjo është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për sipërmarrësit apo startupet, por për të gjithë të rinjtë, të cilët aspirojnë të futen në botën e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Ai organizohet në më shumë se 250 qytete dhe 100 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themelues lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm, të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e përfituara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.

Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për networking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, Startup Grind është vendi i duhur për ju.

BusinessMag iu fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.

Videot e Startup Grind Tirana mund të gjenden online dhe t’i ndiqni KËTU

Evente

Seminar për “Negociatat dhe Shitjet B2B”

Dhjetor 19, 2018
9 AM – 5:30 PM