Përfundon Albanian Skills, konkursi që promovon aftësitë dhe formimin profesional tek të rinjtë » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes

Përfundon Albanian Skills, konkursi që promovon aftësitë dhe formimin profesional tek të rinjtë

Në datat 26 dhe 27 Maj u zhvillua edicioni i III-të i “Albanian Skills Competition 2017”, konkursi i parë shqiptar që mbështet promovimin dhe zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional.

Albanian Skills është një iniciativë e pavarur shqiptaro-zvicerane pa asnjë qëllim ekonomik. Është besimi i organizatorëve të kësaj nisme që ekonomia e një vendi domosdoshmërisht ka nevojë për profesionistë të kualifikuar, pra të kualifikuar përveç akademikëve të arsimuar teorikisht duhet të ndërtohet mbi një sistem të fortë të arsimit dhe formimit profesional.

Pjesa e parë e ditës së parë u organizua në “Hotel Theranda” dhe nisi me konkursin e shërbimeve hoteliere dhe restoranteve. Ajo zgjati përreth 4 orë, nga ora 9:00 deri në orën 13:00 dhe në përfundim të saj u shpërndanë edhe certifikata për pjesëmarrësit. Ndërkohë, në pjesën tjetër të hotelit ishte duke u zhvilluar edhe një bisedë blogerësh, për të promovuar online turizmin në Shqipëri. Për rreth 2 orë, secili prej pjesëmarrësve, prezantoi projektin e tij/saj dhe u diskutua rreth strategjive dhe mënyrave të reja se si turizmi shqiptar mund të zhvillohet akoma dhe më shumë. Disa nga projektet ishin Visit Tirana, Vado in Tirana, ALVA – Albanian Values – Vlerat shqiptare, etj.

Pjesa e dytë u zhvillua në ambientet e Innovation Hub Tirana dhe filloi rreth orës 16:00, me konkursin e fotografisë dhe në 16:30 me konkursin e krijimit të faqeve të web-it. Pjesëmarrësve të konkursit të fotografisë iu la 3 orë kohë për të fotografuar foto të ndryshme me temën “Tirana’s Superpower”. Ndërsa rreth orës 17:30 deri në orën 19:30 u zhvillua një trajnim për konkurrentët e konkursit të faqeve të web-it.

Ndërkohë në ambientet e Protik Innovation Center u zhvillua Forumi i Aftësive, një takim me të gjithë partnerët dhe kompanitë e ftuara, nën moderimin e Ana Zacharian, e cila është edhe bashkëthemeluesja e Albanian Skills. Një bisedë mjaft interesante në skype me Tommy Hellstrom, presidentin e përkohshëm të WorldSkills Europe dhe presidenti i WorldSkills në Suedi ishte dhe pikënisja e forumit. Folës të tjerë të forumit ishin Albi Zhulali, CEO i Softmogul i cili foli rreth të ardhmes së menaxhimit të hotelve dhe se si platforma që ata kishin ndërtuar, vetëm më anën e një tableti mund t’u shërbente më mirë dhe më thjeshtë të gjithë hoteleve në botë. Z. Mario Rusca, kreu i Arsimit Profesional në shoqatën zvicerane të ICT, i cili foli rreth rëndësisë së sektorit privat në edukim ishte një tjetër folës gjatë forumit. Ndër folës të tjerë mund të përmendim: Z. Stephan Leiser, bashkëthemeluesi i Albanian Skills, Znj. Stela Pepa, menaxhere për përgjegjësinë sociale dhe mjedisin në Titan Cement, Znj. Dorina Islami, menaxhere në Schneider Electric Albania dhe Znj. Arlinda Baci, menaxhere në kompaninë “Emar Design & Publicity”.

Dita e dytë e Albanian Skills u organizua në ambientet e TEG dhe nisi në orën 9:00 me konkursin e programimit dhe në 9:30 me konkursin e dizajnit grafik. Ndërkohë u bë edhe një demostrim i drejtpërdrejtë i monitmit të një paneli me voltazh të ulët nga Schneider Electric & Albesol.

Në vazhdimësi u zhvillua Kampi i Artit të modës dhe tekstilit nga Universiteti i Arteve, Vajzat Kodojnë nga Code in Rose, Kampi i Artit të punimeve me dorë dhe Dita e Hapur e Kodimit dhe Robotikës nga Albanian ICT Academy.

Në fund të konkursit u bë edhe shpërndarja e tre çmimeve fituese për secilin konkurs, si dhe u dhanë certifikata për të gjithë pjesëmarrësit. Business Magazine, si media partner ka mbuluar konkursin përgjatë të dy ditëve të tij me foto dhe video.