Pasuria e miliarderëve rritet, ndërsa varfëria globale thellohet - Business Magazine Albania

Pasuria e miliarderëve rritet, ndërsa varfëria globale thellohet

Një raport i ri nga Oxfam ka nxjerrë në pah një rritje marramendëse të pasurisë së 1% më të pasur të botës gjatë dhjetë viteve të fundit. Sipas të dhënave, vetëm 3,000 miliarderë kanë shtuar në pasurinë e tyre një shumë prej 6.5 trilionë dollarësh (5.5 trilionë euro), ekuivalente me 14.6% të PBB-së globale. Ndërkohë, gati gjysma e popullsisë së botës , mbi 3.7 miliardë njerëz jetojnë në varfëri.Që nga viti 2015, më të pasurit kanë shtuar 33.9 trilionë dollarë në pasuritë e tyre në vlera reale. Sipas Oxfam, kjo shumë është e mjaftueshme për të zhdukur varfërinë globale plot 22 herë, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, sipas të cilave një person në varfëri ka nevojë për 8.30 dollarë në ditë për të përmbushur nevojat bazë.

Për të realizuar jo vetëm zhdukjen e varfërisë, por edhe të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, përfshirë mbrojtjen e planetit, kërkohet një fond prej 4 trilionë dollarësh në vit. Megjithatë, këto fonde nuk mungojnë: “Triliona dollarë ekzistojnë për të përmbushur këto objektiva, por ato janë të kyçura në llogaritë private të super të pasurve”, tha Amitabh Behar, drejtori ekzekutiv i Oxfam International.

Ndihma shtetërore në rënie, borxhi në rritje
Sipas raportit, vendet e pasura po ndërpresin ndihmën e huaj në nivelet më të larta që nga vitet 1960. Vendet e G7-s, që përfaqësojnë rreth 75% të ndihmës zyrtare ndërkombëtare, pritet të reduktojnë ndihmat me 28% për vitin 2026, krahasuar me vitin 2024.

Në të njëjtën kohë, 60% e vendeve me të ardhura të ulëta ndodhen në prag të një krize borxhi. Të konsideruara si “të pasigurta” për investim, këto vende detyrohen të paguajnë norma interesi më të larta, çka redukton mundësitë për shpenzime në shëndetësi apo arsim.

Lexo edhe: Fondacioni Gates angazhohet me 1.6 miliardë dollarë për Gavi-n

Oxfam thekson se zhvillimi nuk duhet të mbështetet te investimet private, duke rekomanduar një qasje publike si domosdoshmëri. “Vendet e pasura kanë vënë Wall Street-in në timonin e zhvillimit global. Kemi një kapje totale të zhvillimit nga financat private, duke zëvendësuar investimet publike dhe taksimin e drejtë,” paralajmëron Behar.

Propozimi: Taksim i pasurisë së miliarderëve
Sipas raportit, pasuria private është rritur tetë herë më shpejt se ajo publike në periudhën 1995–2023. Në total, pasuria private globale është shtuar me 342 trilionë dollarë, ndërsa ajo publike vetëm me 44 trilionë. Për krahasim, PBB-ja globale vjetore arrin rreth 100 trilionë dollarë.

Në këtë kuadër, Oxfam sugjeron që qeveritë të rishqyrtojnë sistemin e taksimit për të pasurit ekstremë, duke zbuluar se miliarderët paguajnë vetëm 0.3% të pasurisë së tyre në taksa efektive.

Në një sondazh të përbashkët të Oxfam dhe Greenpeace, i zhvilluar në 13 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, 9 nga 10 persona janë në favor të taksimit të të pasurve për të financuar shërbimet publike dhe veprimet ndaj krizës klimatike.

Megjithatë, situata është e zymtë: vetëm 16% e objektivave të OKB-së për vitin 2030 janë në rrugën e duhur për t’u përmbushur.

 

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Një ide është e mirë vetëm nëse mund ta zbatosh.”
— Mark Cuban
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0