Pandemia Covid-19/ Ja cilët sektorë po rimëkëmben dhe ata që po vuajnë pasojat - Business Magazine Albania

Pandemia Covid-19/ Ja cilët sektorë po rimëkëmben dhe ata që po vuajnë pasojat

sektorë

Sektori i fasonit, turizmit dhe transportit këtë vit shënuan rritje të aktivitetit, por ende mbeten poshtë niveleve të parakrizës. Ndërtuesit, përpunuesit e qumështit, eksportuesit e fruta-perimeve pohojnë rritje të prodhimit në raport me 2019-n. Për t’iu përshtatur realitetit të ri, sipërmarrjet po zbatojnë modele të reja të të bërit biznes. Ekspertët kërkojnë që edhe qeveria të nisë rimodelimin e ekonomisë. Shumë kompani dhe shoqata të biznesit nuk i vlerësuan pozitivisht nismat e qeverisë për marrje kredie, nëpërmjet dy garancive sovrane.

Hapja e tregjeve dhe heqja e masave kufizuese kanë ndikuar pozitivisht te shumë sektorë të ekonomisë në Shqipëri, pas bllokimit dhe kushtëzimit të ekonomisë në 2020. Përfaqësues të shoqatave dhe kompanitë pohojnë se gjatë këtij 7-mujori, aktiviteti i tyre është rritur në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s. Për disa sektorë, rikuperimi ka qenë i shpejtë në krahasim me periudhën e 2019-s, ndërsa të tjerë shprehen se normaliteti mund të kthehet në vitin 2023.

Në kahun tjetër, pandemia nxori në pah domosdoshmërinë e bizneseve për t’u përshtatur me realitetin e ri. Ndërmarrje të shumta fason kanë investuar për diversifikimin e prodhimit. Për t’iu përshtatur ndryshimit, kompanitë e sektorit të shërbimeve kanë rritur investimet për porositë delivery.

Operatorë të strukturave akomoduese më të mëdha në vend po investojnë për ngritjen e laboratorëve në resortet e tyre, që do të shërbejnë për kryerjen e testit tampon dhe dhënien e rezultatit për turistët. Përfaqësuesit e shoqatave thonë se edhe ekonomia duhet të ketë qasje të re zhvillimi, duke u orientuar drejt zhvillimit të tregtisë digjitale dhe robotikës. Ekspertët e konsiderojnë të zbatueshëm modelin e ri, nëse qeveria harton legjislacionin e duhur për përshtatjen.

Lexoni: Ministria e Financave apel tatimpaguesve të bëhen pjesë e procesit të Fiskalizimit

Pandemia diktoi nevojën e shumë sipërmarrjeve për likuiditet, qoftë për pagat e punonjësve dhe investime. Në mbështetje të sektorit privat, qeveria miratoi dy instrumente për përfitim kredie me vlerë 26 mln lekë. Pjesa më e madhe e bizneseve e konsiderojnë të paleverdishëm përfitimin e kredisë nga Garancitë Sovrane 1 dhe 2, për shkak të interesit të lartë dhe burokracive.

Kthimi i masave kufizuese të ekonomisë, për shkak të një vale tjetër të pandemisë në muajin shtator 2021 si nga përfaqësuesit e shoqatave, ashtu edhe nga bizneset, vlerësohet si një kthim mbrapsht i krizës. Ndërsa kufizimet drastike të ekonomisë përmbysin çdo parashikim pozitiv të sipërmarrjes shqiptare për kthim të shpejtë në normalitet.

Sektorët e rimëkëmbur nga pandemia

Pandemia tregoi se sektorët me varësi të lartë nga tregu i jashtëm (kryesisht vendet fqinje) ishin më të ekspozuarit ndaj krizës. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, thotë se te sektori i ndërtimit, ushqimit, fruta-perimeve e bujqësisë është vënë re kthim i shpejtë në normalitet. Vështirësi, sipas tij, po has sektori fason, i përpunimit dhe riciklimit të plastikës, si dhe vazhdon rritja galopante e çmimit të transportit të mallrave.

Fasonët mbeten poshtë niveleve të parakrizës

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 66.3 miliardë lekë për 7-mujorin 2021, me rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT. Por ndryshe nga sektorët e tjerë që e kanë tejkaluar nivelin e 2019-s, ky grup mbetet ende poshtë niveleve të parakrizës, si rrjedhojë e ecurisë së dobët të industrisë së veshjeve të këmbëve. Ndërsa eksportet e tekstileve për janar-korrik 2021 ishin sa 97% e së njëjtës periudhë të 2019-s, ato të veshjeve të këmbëve ishin sa 82% e vitit para pandemik.

Ndërmarrjet fason në vend parashikojnë që, të paktën deri në fund të dhjetorit 2021, të arrijmë të rikuperojmë prodhimin sa në nivelet e 2019-s.  Largimi masiv i punonjësve në emigracion konsiderohet arsyeja kryesore, për mosarritjen e nivelit të parakrizës në prodhimin e këpucëve.

Baret dhe restorantet presin pranverën e 2023 për të arritur nivelet e 2019-s

Pas një viti 2020 me ulje-ngritje, që kaluan subjektet e shërbimit (baret, restorantet dhe klubet e natës ishin të parët që u mbyllën me shfaqjen e Covid-19 në muajin mars), me hapjen e ekonomisë deri në përfundim të verës, xhiroja e tyre arriti të rikuperohej.

Në periudhën vjeshtë-dimër, qarkullimi te këto biznese iu rikthye rënies me rreth 40%, krahasuar me një vit më parë, për shkak të rënies të frekuentimit nga masat kufizuese. Në fund të muajit korrik, në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve kërkoi uljen e TVSH-së sa në nivelet e sektorit të turizmit dhe ndryshimin e orarit të muzikës, për shkak të rënies të xhiros.

Sektori i turizmit, larg niveleve të 2019-s

Ardhja e turistëve të huaj dhe kthimi i emigrantëve në atdhe për të kaluar pushimet ndikoi pozitivisht këtë vit në sektorin më të prekur nga pandemia, turizmin. Strukturat akomoduese për 2021 punuan me kapacitet të plotë, pas një vere me turizëm patriotik që përjetuan në 2020, për shkak të kufizimit të lëvizjeve që u zbatuan nga shumë shtete.

Sektori i ndërtimit mbetet i paprekur nga kriza

Në vitin që lamë pas, pavarësisht se pandemia përkeqësoi ekonominë e Shqipërisë, sektori i ndërtimit ishte një ndër ata që nuk u prek nga kriza. Tirana tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi dhe aktiviteti i ndërtuesve pritet të jetë i garantuar edhe për disa vite.

Disa banka po financojnë 100% të ndërtimit nëse vendosen dy hipoteka si koletaral. Shumica e blerësve të apartamenteve në periferi janë nga kreditë e buta të bashkisë, ose me kredi nga bankat e nivelit të dytë. Në Unazën e Vogël të Tiranës, çmimet variojnë nga 1500 deri në 4,000 euro. Shitjet në një nga kullat pranë Hotel Dajtit kanë përfunduar. Të gjitha apartamentet e banimit janë shitur me 4,000 euro/m². Këto çmime nuk janë në asnjë vend të Europës.

Rritje të çmimeve për ndërtimet e reja pritet të ketë edhe për apartamentet që kompania “Kika Construction” do të ndërtojë në Komunën e Parisit. Çmimi i apartamenteve të shitura deri në mesin e vitit 2020 në kompleksin Kika ishte 1300 euro për metër katror, ndërsa për ndërtimet e reja, pritet të jenë rreth 10% më shumë. Te ndryshimi i çmimit do të ndikojë rritja e cilësisë të ndërtimit.

Lexoni: Industria e turizmit në rrugën drejt rimëkëmbjes

Përpunuesit e qumështit, rritje dyshifrore të prodhimit

Sektori i përpunimit të qumështit nuk e vuajti gjatë pandemisë mungesën e shitjeve për produktet e bulmetit, ndërsa kriza nga Covid-19 ndikoi vetëm në rritjen e lëndës së plastikës që përdoret për ambalazhim. Shtrenjtimi i çmimit të plastikës në tregjet botërore detyroi shumë fabrika të rrisnin çmimet.

Kjo situatë ndikoi direkt te rritja e kostove për përpunuesit vendas, të cilët po përballeshin me rritje të kostove nga ndryshimi i faturimit të TVSH-së (nga 2019, rimbursimi i TVSH-së nga 20% në blerjen e lëndës së parë te fermeri ishte ulur në 6%) dhe çmimit të energjisë. Rritja e kostove detyroi disa kompani që nga 1 korriku 2021 të rrisin 10% çmimet e produkteve të bulmetit.

Në ndryshim nga 2020, këtë viti rritje të madhe pati në sektorin HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene), e nxitur nga zbutja e kufizimeve anti-Covid-19 dhe turizmi. Në raport me 2019-n, prodhimi është 19% më i lartë, trend që do të vijojë deri në fund të vitit 2021.

Sektori i transportit urban, ende në krizë

Sektori i transportit urban vjet ishte i fundit që rinisi aktivitetin pas rihapjes së ekonomisë. Edhe me fillimin e punës, operatorët patën rënie të numrit të pasagjerëve në autobusë për shkak të frikës së infektimit dhe orareve kufizuese në lëvizje. Drejtori i Transportit Urban në kompaninë “Shega Trans” thotë se nga 5 korriku 2020 (kur u rihap aktiviteti i transportit) deri në fund të muajit maj 2021, humbjet e kompanisë nga kriza e Covid-19 janë 1 mln euro.

/monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0