“Pana”, sipërmarrja shqiptare që promovohet në Austri
Përditësuar së fundmi: 11/03/2019

“Pana”, sipërmarrja shqiptare që promovohet në Austri

Share
nga Neada Muçaj
Mar 11, 2019

Të ndjekësh ëndrrat, nuk qenka dhe aq e vështirë. Por, në fillim duhet të punosh fort.

Puna të mëson që shpesh mënyrat më të mira për të arritur ëndrrat është të kërkosh rrugën dhe të luftosh për të mos dalë nga korsia që të çon drejt saj. “Pana” është një kompani shqiptare, i cili i ka dhënë shumë tregut tonë dhe gjithmonë ka qenë i pranishëm në evente që mbështesin sipërmarrjen.

Pavarësisht problematikave me të cilat përballet një sipërmarrje sociale, Pana ka synuar tregun ndërkombëtar.

E vlerësuar me çmimin “Sipërmarrja sociale më inovatore 2015” në Social Innovation Tournament, ajo u shpërblye dhe me një grant të dytë për të qenë pjesë e një prej panaireve më të mëdha në Austri.

Lexoni: Pana, sipërmarrja sociale më premtuese në Ballkan 

“Wohnen & Interieur” është një nga ekspozitat më të mëdha për hapësirat e jetesës, aksesorë, artikuj shtëpiakë dhe kopshti në Austri. Ajo zhvillohet në qytetin e Vienës. Vizitorët njihen me trendet, modelet më të reja, e tani do të kenë mundësinë të njohin për herë të parë një kompani shqiptare si “Pana”. Ky panair do të zgjasë 9 ditë.

“Për ne, thjesht që ia dolëm të jemi këtu është arritje shumë e madhe. Përgjithësisht të pranishëm në këtë ekspozitë janë kolosët e prodhimit të mobiljeve me më shumë se 50/60 vjet eksperiencë e ndërsa ne kemi vetëm 6 vjet”, thotë për BusinessMag Pezana Rexha, themeluese dhe CEO e Pana.

Lajmin, mirënjohjen dhe falenderimet ajo i ka ndarë me të gjithë ndjekësit e saj në profilin e Facebook.