“Pagesat përmes e-albania të sigurta,” ekspertët: Risku nuk është zero, çfarë duhet pasur parasysh - Business Magazine Albania

“Pagesat përmes e-albania të sigurta,” ekspertët: Risku nuk është zero, çfarë duhet pasur parasysh

Pagesat përmes e-albania

Nga 1 maji i vitit të shkuar, pas disa njoftimeve të bëra paraprakisht, pjesa dërmuese e sporteleve në vend u mbyllën dhe shërbimet publike ofrohen tashmë online përmes portalit e-albania.

Pesë ditë më pas, kryeministri Edi Rama mblodhi drejtuesit e bankave për t’u kërkuar llogari se përse ata po merrnin kaq shumë kohë “për t’iu bashkuar revolucionit digjital”, siç u shpreh vetë kreu i qeverisë.

Në mbledhjen e mbajtur në kryeministri, Rama, drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj e Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bënë të ditur se mes institucioneve të përfshira dhe përfaqësuesve të bankave do të ngrihej një grup pune që do merrej me detajet teknike për t’u krijuar kushtet qytetarëve që pagesat për shërbime publike t’i kryejnë direkt nga e-albania për të shmangur kështu prezencën fizike në sportele dhe radhët.

Tashmë është njoftuar se nga fillimi i këtij viti, qytetarët dhe bizneset do të mund të kryejnë pagesa përmes portalit e-albania për shërbimet publike që janë me pagesë, apo edhe për të shlyer detyrime në shtet.

Lajmi u shoqërua me frikë dhe konfuzion duke marrë parasysh se sistemet shtetërore janë sulmuar nga një grup hacker-ash iranianë, të cilët thuajse çdo javë publikojnë të dhëna sensitive të qytetarëve në një grup të krijuar në Telegram, “Homeland Justice”.

Megjithatë, mesa duket me aq të dhëna sa janë bërë publike, procesi do të jetë i sigurt. Në një njoftim të bërë më 22 nëntor të vitit që lamë pas, AKSHI sqaroi qytetarët se platforma e-albania nuk do të ketë asnjë lidhje me të dhënat bankare. Pra, procesi i marrjes së shërbimit dhe pagesës së tij kryhen në dy platforma krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.

Të njëjtën gjë thonë përfaqësues të bankave të nivelit të dytë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave thekson se e-albania nuk do të ketë asnjë lloj aksesi në të dhënat bankare të qytetarëve apo të bizneseve që do ta përdorin shërbimin. Ajo që po ndërtohet, sipas zotit Brumbulli, është një urë komunikimi mes AKSHI-t, si përfaqësuese e të gjithë institucioneve publike, dhe bankave.

Siç shpjegon Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, skema që do të aplikohet është kjo:

  • Qytetari futet në llogarinë e tij në e-albania dhe zgjedh shërbimin që do të marrë. Pasi plotëson të gjitha kërkesat që ka e-albania për shërbimin, në fund do t’i paraqitet një pyetje: Do ta kryesh pagesën përmes bankave? Zgjidh deri në tre nga bankat ku ti mendon se do ta bësh pagesën.
  • Qytetari vendos emrat e bankave, thotë që do të paguajë me bankë dhe del nga llogaria e tij në e-albania.
  • Më pas ai futet nëpërmjet kompjuterit, tabletit apo smartfonit në llogarinë e tij në bankë. Në faqen e llogarisë së tij në bankë, do t’i shfaqet një menu: e-albania dhe aty do të kërkojë kodin me të cilin aplikoi për shërbimin që duhet të marrë dhe që AKSHI ia ka ofruar me anë të një SSN-je të posaçme (Social Security Number: një kod, një numër), fut atë kod dhe në moment do të zbarkohen të gjitha të dhënat që ai ka plotësuar për të kryer pagesën.
  • Më konkretisht: Lloji i shërbimit që kërkon të marrë, data kur është bërë aplikimi, ora, shuma që duhet të paguajë, monedha më të cilën do të bëjë pagesën dhe zgjedh opsionin “paguaj”.
  • Në momentin që zgjidhet opsioni “paguaj”, paratë nga llogaria e tij transferohen në llogarinë përkatëse të institucionit publik që duhet të lëshojë dokumentin apo të japë shërbimin te qytetari.
  • Procesi është i përbërë nga dy hapa. Një pjesë e procesit kryhet në e-albania dhe pjesa tjetër përmes e-banking.
  • Banka merr përsipër që të konfirmojë pranë AKSHI-t që pagesa për këtë SSN (për këtë lloj aplikimi, për këtë shumë) është kryer. Pra, AKSHI dhe bankat komunikojnë përmes një teknologjie “web service” për mënyrën sesi duhet të rrjedhë informacioni nga njëri te tjetri.

“Web Service”, sipas ekspertëve të fushës, është një softuer që lejon komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit apo të dhënave mes dy sistemeve të ndryshme në rrjet (internet).

“Por, në mënyrë absolute, nuk ka integrim, nuk ka akses në të dhënat e njërës palë, apo palës tjetër. Absolutisht jo, keqkuptimi që është krijuar në treg është i kuptueshëm sepse çështja është sensitive. Ne kemi qenë shumë rigorozë që nga fillimi në gjitha përpjekjet që kemi tentuar të ndërtojmë me AKSHI-n për të kryer këtë pjesë të shërbimeve publike në mënyrë digjitale, por pa cënuar në asnjë rast, për çfarëdo arsye sigurinë e të dhënave bankare,” shpjegon Spiro Brumbulli.

Me këtë skemë, sipas përfaqësuesve të bankave por edhe ekspertëve, edhe nëse sistemet shtetërore do të hakoheshin sërish, të dhënat bankare të qytetarëve do të ishin të sigurta.

“Filtrat janë të siguruar sepse qytetari do të vijojë me të njëjtën siguri siç futet sot në llogarinë e vet. Pra nuk ka asnjë prekje. Dhe nëse hakerohet sërish e-albania, nuk ka të bëjë fare me prekjen e sistemit të bankës sepse është vetëm transmetim informacioni nga AKSHI te banka. Nuk kemi të bëjmë as me marrje të dhënash, as me akses në llogari, apo në databazën e njërës palë apo tjetrës.”

Lexo: Njihuni me pesë aplikacione që do ju ndihmojnë me financat personale gjatë 2023-it

Spiro Brumbulli

Nëse do të ketë mbajte komisioni për shërbimet e pagesave të kryera përmes e-albania, kjo do të varet nga politikat e secilës bankë. Me politikë të Bankës së Shqipërisë, deri në 22 mijë lekë, në shërbimet online nuk ka komision.

Edhe eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj thotë se nëse skema e shpjeguar më sipër është ajo që do të aplikohet, atëherë nuk do të ketë asnjë lloj rreziku për sigurinë e të dhënave bankare të qytetarëve.

Sipas tij, siguria do të bjerë sërish mbi bankat pasi veprimet e transfertave nuk do të kryhen nga e-albania.

“Aty thjesht do të zgjidhet banka dhe bankës do t’i dërgohet fatura në mënyrë automatike. Personat përsëri do ta bëjnë nga e-bankingu i tyre. Kuptohet që kjo është një lehtësim për qytetarët sepse nuk do të kenë nevojë që të shkojnë në sportelet e bankave. Kjo pagesë mund të kryhej edhe pasi gjenerohet fatura nga e-banking, por e mira e kësaj është se duke qenë se sistemet janë të integruara dhe banka do t’i dërgojë të dhënat mbrapsht e-albanias, pagesa dhe dokumenti do të gjenerohet në kohë më të shpejtë…Personalisht nuk shoh asnjë problem nga kjo anë, megjithëse akoma nuk kemi detaje teknike. Por, bazuar në atë që është thënë, duket diçka normale dhe risku që të dhënat bankare të qytetarëve të merren më duket pothuajse zero.”

Besmir Semanaj

Për krijimin e kushteve ligjore por edhe atyre teknike që qytetarët të mund të paguajnë për shërbime publike përmes e-albanias në mes të tetorit të 2022 është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë, Shoqatës së Bankave dhe AKSHI-it.

Në bazë të këtij memorandumi është ngritur grupi i punës prej më shumë se një muaji. Sipas asaj që deklaron zoti Brumbulli, që është edhe anëtar i këtij grupi, deri më tani janë bërë disa takime dhe aktualisht ndodhen në fazën e përfundimit të dokumentit për të unifikuar të gjithë praktikën teknike që do të ndiqet nga bankat dhe nga AKSHI.

 “Ne si industri bankare kemi rënë dakord me draftin final të dokumentit, por ajo duhet të miratohet nga përfaqësues të tjerë që janë në grup: AKSHI, ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë. Në momentin që mbyllet ky dokument, atëherë bankat dhe AKSHI do të fillojnë të bëjnë veprimet e tyre dhe për të realizuar testin e komunikimit të informacionit.”

Duket se bankat janë entuziaste për këtë shërbim të ri që do t’u ofrojnë klientëve të tyre në bashkëpunim me AKSHI-n.

Përpos sigurisë, që janë të bindur se skema e ofron, përfaqësuesit e bankave thonë po ashtu se kjo është një paketë e shtuar në atë ato u ofrojnë tashmë klientëve të tyre.

“Opinioni ynë është pozitiv… Ju pyesni nëse mund të hakerohet sërish platforma e-albania, kurrë mos ndodhtë, por ne jemi të shkëputur nga kjo sepse mes AKSHI-t dhe bankës ka vetëm transmetim informacioni dhe nuk ka akses në databazë prandaj, nëpërmjet këtij mesazhi dua të siguroj edhe pozicionin që unë kam si anëtar i grupit të punës që nuk ka asnjë rrezik,” thekson Spiro Brumbulli.

Synimi i bankave dhe AKSHI-t është që shërbimi të jetë online për qytetarët duke nisur nga janari i këtij viti.

A2 cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0