OV Nutrition, sipërmarrja e motrave Viso që beson tek produktet e shëndetshme » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 20/12/2018

OV Nutrition, sipërmarrja e motrave Viso që beson tek produktet e shëndetshme

Share
nga Anerola Torollari
Dhj 20, 2018
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Vitjola dhe Kristinka janë dy motra që kanë sjellë në treg sipërmarrjen e tyre OV Nutrition. Organic Vision Nutrition është një aktivitet ku vajzat krijojnë produkte të shëndetshme si barretat me musli, tërshërë dhe fruta të thata. Me një shtrirje përtej kontintetit produktet e tyre konsumohen edhe në Malajzi, si dhe mund t’i gjeni në supermarkete si Conad, Spar; në marketet më të mira të produkteve organike: MIA, Agrimona, etj, në hotele dhe bare.

BusinessMag ka zhvilluar një intervistë me motrat Viso, ku ju mund të mësoni më shumë rreth tyre dhe sipërmarrjes së tyre. Në këtë intervistë me BusinessMag do të mund të merrni mesazhe dhe këshilla që do t’ju frymëzojnë të bëni realitet idetë dhe projektet tuaja.

Vitjola për veten: Në filozofinë time u bë kohë tashmë që mendoj, imagjinoj, ndiej çdo detaj apo situatë, të atij versioni që unë do të doja të isha dhe çdo ditë mundohem ta analizoj çdo reagim timin, çdo vendimarrje, çdo mendim, si hapa drejt atij version timit që aspiroj. Kam kuptuar se rritja e vazhdueshme në karakter arrihet vetëm duke dalë jashtë situatës ku ndihesh komod, është tepër klishe si fjali, por tepër e vërtetë sepse të ndihmon të kuptosh shumë gjëra për veten, si dhe të zgjerosh zonën e komfortit. Unë do të doja që të isha një person që është gjithmonë në procesin e mësimit, një person që është i gatshëm të zgjerojë horizontin dhe mundohet ta aplikojë në momentet më të vogla të ditës, sepse të aplikuara çdo ditë, bëjnë diferencën. Jam munduar të ndryshoj ritualet e ditës sime në sa më produktive, sepse vetëm konsistenca në veprime sjell rezultate.

Kristinka për veten: Të zbuluarit e vetvetes është një proces që të shoqëron gjatë gjithë jetës dhe në hapat që jam duke bërë kam vënë re që janë të duhurat për ta vënë në sprovë veten time. Kam zgjedhur një rrugë ku e krijoj vetë të ardhmen time dhe kjo për arsye se që fëmijë kam patur një dëshirë të brendshme për të krijuar një trashëgimi të vizionit tim duke i shtuar vlerë jetës së njerëzve. Personalisht e konsideroj veten si ‘nxënës’ gjatë gjithë jetës dhe deri tani mendoj se kam arritur të mësoj shumë, por dinamika e zhvillimit personal është gjithmonë e vazhdueshme dhe jam entuziste për ato çka më presin për të mësuar gjatë jetës sime. Mendoj se çdo eksperiencë apo vështirësi është një mësim që është i domosdoshëm për të përjetuar, për t’u afruar edhe një hap drejt versionit tim më të mirë. Këto hapa herë kanë qenë të suksesshme, herë jo, herë sfiduese dhe herë shpërblyese, por që mendoj se janë të domosdoshëm për t’u zhvilluar personalisht. Ajo që më motivon në çdo hap: personi që do të bëhem gjatë këtij rrugëtimi.

Çfarë është OV Nutrition? Si lindi si ide? Çfarë problemi zgjidh?

Organic Vision Nutrition beson te jeta ‘e shëndetshme’, beson se cilësia e lartë e produkteve ndihmon maksimalisht në krijimin e kësaj jete dhe ne kujdesemi që të krijojmë këto produkte, siç janë barretat me musli, tërshërë dhe fruta të thata që ne kemi krijuar.

Në ditët e sotme jetesa e ngarkuar apo ngarkesa në punë ka sjellë për shumë njerëz ‘konflikt’ të brendshëm me kohën që ata kanë për t’u kujdesur të zgjedhin të kosumojnë produkte me vlera të larta nutritive për ta, por pa sakrifikuar kohën e tyre. Ky ishte një problem tepër i madh edhe për ne. Ne si profesion jemi arkitekte. Duke qenë se ishim në drejtim të zyrës sonë të Arkitekturës, dita jonë ishte mjaft e ngarkuar midis takimeve me klientët, ndjekja e punimeve në kantier apo punës në zyrë. Ne besojme se një njeri i kompletuar nuk është vetëm i zhvilluar në një dimension, në këtë rast vetëm puna, por në sa më shumë dimensione të tjera të zhvillohet aq më i lumtur do të jetë. Prandaj jemi kujdesur gjithmonë për trupin tonë, si një ‘tempull’ që do të na shoqërojë gjatë gjithë jetës.

Kureshtja për të patur sa më shumë dije rreth një shëndeti të mirë na ka shtyrë të lexojmë dhe studiojmë për organizmin e njeriut, produktet ushqimore dhe vlerat e tyre, nutrientët ushqimorë, si ndikojnë ato në funksionin e organizmit dhe si të rrisësh maksimalisht benefitet e tyre. Këto njohuri morën një spektër më të gjerë dhe tani i kanë kaluar ‘barrierat’ personale me OVN. Duke ecur në retrospektivë mund të themi se nuk është një rastësi që jemi sot këtu, kanë qenë pikërisht vite me radhë që në moshë të vogël të dijeve të grumbulluara që kanë ‘shtruar’ këtë rrugë. Kjo është ajo që ne besojmë te Organic Vision Nutrition. Ky besim është shprehur në barretat tona natyrale dhe organike, bimore, me vlera të larta nutritive, pa konservantë dhe të përshatshëm për njerëz që së pari e vlerësojnë aq shumë veten sa të kujdesen për atë çka konsumojnë, të përzgjedhin produkte ushqimore me vlera të larta nutritive, të kërkojnë produkte që janë komfort jetës së tyre impenjative apo aktive.

Cilat janë vendet ku po e zhvilloni biznesin tuaj? Cilat janë planet që keni për të ardhmen?

Organic Vision Nutrition, njëlloj si filozofia jonë për jetën, është multidimensional. Ka lindur në shumë dimensione dhe projektojmë ta zhvillojmë po ashtu në shumë dimensione. Kjo do të thotë se planet për të ardhmen janë vërtetë emocionuese.

Më lejoni të paraqes atë që ne quajmë ‘Dimesnionin e Parë’. Në Dimensionin e Parë do të përmendim dizenjimin dhe konkretizimin e procesit. Për ne kjo do të thoshte krijimi dhe implementimi i vizionit tonë, i cili për hir të së vërtetës është dimensioni themel, mbi të cilin do të ngrihen dimensionet e tjera. Ky dimension ne na gjeti në Europë dhe Azi, ku dhe aktualisht jemi të pranishëm në marketet më në zë aty. Meqënëse çdo dimension përbëhet nga shumë ‘Plane’, çdo Plan kërkon përkushtimin në studimin dhe implementimin e vet.

Konkretisht në Shqipëri mund të themi se ndodhemi në supermarketet më në zë: Conad, Spar; në marketet më të mira të produkteve organike: MIA, Agrimona, etj, në hotele dhe bare.

Në Azi dhe konkretisht në Malajzi, eksperienca e produkteve tona ka qenë shumë pozitive, e pritur shumë mirë nga konsumatori dhe po shtrihet edhe më gjerë në atë zonë.

Planet për të ardhmen janë përveç se emocionuese edhe shumë sfiduese, për të cilat jemi duke punuar dhe jemi tepër entuziaste dhe mezi presim për t’i ndarë me lexuesit e BusinessMag shumë shpejt.

Çfarë vështirësish keni hasur dhe a keni patur mbështetje gjatë rrugëtimit tuaj si sipërmarrëse?

Menaxhimi i një sipërmarrje kërkon përveç aftësive shumë të mira në biznes dhe një trajnim të veçantë emocional për të përballuar çdo situatë që mund dhe do të shpaloset para teje. Në sipërmarrje nuk ka më ‘unë’, ka ‘ne’: një skuadër e udhëhequr nga një vizion punon për ta bërë atë realitet. Është e pamundur dhe realisht nuk do donim t’i shmangnim vështirësitë. Kur dëgjon se të themelosh dhe të drejtosh një sipërmarrje është e vështirë, kur nuk e ke eksperiencë, ato që dëgjon janë thjesht fjalë që ti i kupton, por përderisa nuk i ke përjetuar nuk mund t’i asociosh me ndonjë lloj eksperience. Por kur je duke drejtuar një sipërmarrje e di shumë mirë se çfarë kuptimi ka fjala ‘vështirësi’, pavarësisht se për secilin prej sipërmarrësve është ekpseriencë e ndryshme, në thelb fjala vështirësi për të gjithë përjetohet njëlloj.

Po ndajmë me ju një sekret: ne mendojmë se pikërisht këto vështirësi nëse arrin t’i kthesh të jenë në avantazhin tënd janë çelësi i suksesit. Nëse do t’i përgjigjeshim pyetjes se a kemi hasur vështirësi, do të thoshim se larmishmëria e vështirësive që kemi hasur ka qenë aq shumë dinamike sa duke u kthyer në retrospektivë kupton se një, në këtë rast dy, janë ‘konstantet’ në këtë ekuacion: ne të dyja themelueset.

Momentin që arritëm të kuptonim këtë ishte momenti kur kuptuam se veshtirësitë nuk na ndodhin ne, por ndodhin për ne, çka do të thotë se çdo herë që jemi hasur me një vështirësi kemi menduar se nga ajo situatë ka një mësim për ne për të mësuar dhe kështu kemi zbuluar zgjidhjen. Ne mundohemi që në fillim të gjejmë vetë zgjidhjen për vështirësinë. Nëse nuk arrijmë t’i japim dot zgjidhje vetë i referohemi ndonjë libri apo bëjmë kërkime në rrjet. Në rastet kur vërtetë nuk i gjejmë dot as pas kërkimit zgjidhje, kemi kërkuar ndihmë te njerez që kanë më shumë eksperiencë në këtë fushë.

Kemi zgjedhur të praktikojmë këto 3 hapa për zgjidhjen e problematikave, sepse e para duke kërkuar vetë zgjidhjen arrijmë të ushtrojmë vetë aftësitë tona dhe të gjejmë zgjidhje për problematikat, e dyta sepse njerëzit shpeshherë do të ndihmojnë dikë që ndihmon fillimisht veten e tij, në të kundërt nuk mund të jetë dikush tjetër që të zgjidhi gjithmonë problematikat e tua. Kemi patur fatin të kemi takuar njerëz shumë të suksesshëm në biznes dhe në momentet më kyçe të problematikave tona një këshillë e tyre na ka bërë të ndryshojmë këndvështrim për të gjetur shumë shpejt zgjidhjen e problemit. Disa prej tyre kanë qenë pikërisht motivimi për të mos hequr dorë edhe në momentet kur dukej sikur nuk kishte më zgjidhje, prandaj dhe ne i jemi shumë mirënjohëse çdo situate që kemi përjetuar. Është shumë e rëndësishme të njohësh njerëz që të frymëzojnë dhe të bëhesh frymëzim për të tjerë.

Çfarë këshille do iu jepnit lexuesve të BusinessMag që kanë një ide biznesi?

Duke menduar për eksperiencat tona deri më sot, mund të themi se kanë qenë sa të larmishme aq dhe të ndryshme nga njëra tjetra, por që në fund të fundit janë ato që formojnë një njeri. Është shumë e bukur kur dëgjon të rinjtë me ide biznesi dhe me dëshirën për të krijuar diçka të tyren. Po ndajmë me lexuesit e BusinessMag 2 prej pikave kyçe që ne besojmë se janë në themel për të bërë një sipërmarrës të suksesshëm:

E para është shumë e rëndësishme të gjeni vetveten, të zbuloni çfarë aftësish apo talentesh keni, po aq sa të zbuloni se çfarë limitesh keni. Dhe do ju këshillonim të punoni me limitet për t’i kthyer ato në aftësi, sepse do të jenë pikërisht ato që do ju duhen për të përballuar çdo lloj situate.

E dyta që është po aq e rëndësishme, por këtë herë për sipërmarrjen, është të fokusohen te problemet që ata zgjidhin me idenë e tyre. Biznesi gjithmonë ka ardhur si zgjidhje për probleme, prandaj një njohuri shumë e mirë për problemin do të jetë avantazh për ta në shtrirje kohore. Të gjithë ata që kanë një ide biznesi të provojnë, të eksperimentojnë dhe të krijojnë eksperienca.

Ne kemi qenë gjithmonë pranë studentëve në evente të ndryshme sidomos në universitete dhe kemi gjithmonë kënaqësinë të ndajmë me ta eksperiencën tonë dhe t’i udhëzojmë ata me njohurinë që kemi. Ne jemi këtu për të gjithë ata që duan një këshillë për idenë e tyre dhe gjithmonë i suportojmë të rinjtë me ide.