Njihuni me regjisorin shqiptar që po fiton çmime ndërkombëtare

Njihuni me regjisorin shqiptar që po fiton çmime ndërkombëtare me filmat e tij


Ai gjatë studimeve ka realizuar çdo vit nga dy filma. Menjëherë pas diplomimit në Master, Burimi ka arritur një sukses të madh, duke fituar rreth 20 çmime kinematografike në festivale ndërkombëtare të filmave në Europë dhe në Botë.

Ai ka qenë regjisor i serialit vendor “Cimerat”, i cili është transmetuar në Radiotelevizionin 21, ku janë xhiruar 150 episode. Këtë projekt të madh Burimi e ka realizuar që në vitin e dytë të studimeve për regji!

Burimi ka filluar të interesohet për kinematografinë që në shkollën e mesme, ku iniciator ka qenë babai i tij i ndjerë Mufail Haliti, i cili ka qenë shumë artdashës e inovator dhe e ka orientuar Burimin në fushën e kinematografisë.

Burimi në vitin 2013 ka realizuar një dokumentar të shkurtër të titulluar “Shpikja e Radios” në të cilin film protagonist është pikërisht babai i tij; i cili që në moshën 10 vjeçare kishte një radio, e cila punonte pa asnjë stimulim (rrymë apo bateri) por vetëm me një gur të çmuar nga miniera e Trepçës! Ky film u shfaq në disa festivale të rëndësishme nëpër botë, ndër to Krakow Film Festival në Poloni dhe shumë gazeta vendore dhe ndërkombëtare kanë shkruar për këtë inovacion!

Tipari kryesor të cilin duhet ta ketë një regjisor i filmit sipas Burimit është mirësia. “Së pari duhet të jesh komunikues dhe i afërt me të tjerët, për shkak se ti je lideri që menaxhon të gjithë ekipin e filmit. Por njëkohësisht duhet të kesh edhe sovranitetin tënd dhe të jesh në gjendje t’i marrësh gjërat në dorë,” shprehet ai për BusinessMag.

Burimi bashkë me miken e tij, producenten dhe skenaristen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipe Malushi dhe me drejtorin e fotografisë nga Austria, Michael Stoeger, janë duke realizuar një film dokumentar të quajtur “I’m possible” (Unë mundem). Dokumentari i dedikohet një vajze, e cila vjen nga qyteti i Prizrenit dhe vuan nga distrofia muskulare progresive.

Ky film dokumentar do ta ketë premierën ndërkombëtare në Gjermani gjatë vitit 2020!

Projekti tjetër i Burimit është një film artistik i metrazhit të gjatë “Zbulimi i fundit”. Këtu bashkë me vëllain e tij, aktorin dhe producentin Xhelal Halitin dhe Valon Jakupaj, bashkë-producent, Burimi i ka bashkuar forcat për të xhiruar një film me temë sociale rreth kohës së tashme, ku fëmijët e një lagjeje janë shumë të lumtur dhe të hareshëm duke luajtur në lagjen e tyre, deri sa një nga vajzat e lagjes sëmuret dhe përfundon në spital! Tani fëmijët detyrohen t’i lënë lojërat e tyre dhe angazhohen për ta ndihmuar shoqen e tyre! Në këtë film luajnë rreth 22 aktorë të rinj dhe disa aktorë profesionistë si: Bislim Muçaj, Aurita Agushi, Ali Demi, Alban Shahiqi, etj.

Filmi është në fazën e fundit të produksionit, ku premierën kombëtare planifikojnë ta realizojnë gjatë vitit 2020 në Kosovë dhe premierën ndërkombëtare në një festival filmi jashtë Kosovës.

Burimi mban edhe një kurs privat të aktrimit me nxënës të shkollës fillore dhe të mesme, të cilët kanë rastin të punojnë me aktorë profesionistë.

“Unë kam udhëtuar në më shumë se 100 festivale të Europës me filmat e mi ku kam patur një sukses mjaft të madh sidomos me filmin “Hekurishtja”. Filmi është i zhanrit dramë dhe komedi e zezë i cili ka të bëjë me një familje që mbledhin dhe shesin hekura. Në film, portretizohet vështirësia e jetës në Kosovë. Ky film është pëlqyer shumë sepse përfshin shumë tema njëkohësisht. Nëpërmjet një familjeje ai tregon gjendjen e vendit, papunësinë, situatën politike etj. Një ndër çmimet më të mëdha që ka fituar filmi është “Ariu i Artë” në Austri dhe “Unica”, i cili është çmimi më i madh që mund të fitojë një vend pasi çdo vit i ndahet vetëm një shteti, ku në vitin 2010 kam patur fatin ta fitoj unë duke prezantuar Kosovën”, shprehet Burimi për Businessmag.

Burimi përveç vendlindjes së tij, prezanton edhe Shqipërinë në festivalet ndërkombëtare, pasi zotëron pasaportën shqiptare me dekret nga ish presidenti Bujar Nishani.

Burimi kohët e fundit është ftuar edhe si anëtar i jurisë në Tiranë, Turqi dhe në Gjermani. Ai gjithashtu ka ligjëruar në një eventi kinematografik në Mynih para studentëve dhe kinematografëve gjermanë për historinë dhe sukseset e kinematografisë shqiptare.

“Ndërsa vitin 2020 do ta filloj me pjesëmarrjen dhe prezantimin e filmit “Çlirimi” në Festivalin e Filmit Mittelmeer Filmtage – Filmstadt München 2020, i cili organizohet nga Komuna e Mynihut në Gjermani dhe marrin pjesë shumë shtete si: Italia, Gjermania, Franca, Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Anglia e të tjerë!” thotë Burimi.

Për të rinjtë që duan të hyjnë në botën e kinematografisë, Burimi thotë se për të arritur sukses “Nevojitet shumë përqendrim dhe angazhim maksimal, pasi gjatë xhirimeve nuk do të ketë kohë as për gjënë më të vogël jashtë filmit!”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0