Një punonjës "Toksik" mund të ndikojë tek i gjithë ekipi - Business Magazine Albania

Një punonjës “Toksik” mund të ndikojë tek i gjithë ekipi

Mjafton një mollë e keqe, thotë një fjalë e urtë, për të prishur të gjithë arkën me mollë. Po kështu ndodh edhe me punonjësit.

Një studim i Harvard Business Review mbi përhaphjen e sjelljeve të këqija te punonjësit ka zbuluar se edhe punonjësit tuaj më të ndershëm kanë më shumë gjasa të kryejnë sjellje të pahijshme nëse punojnë së bashku me një individ të pandershëm. Rrallë ndodh që punonjësit e ndershëm t’i nxisin punonjësit e pandershëm për të bërë zgjedhje më të mira.

Mes kolegëve, duket se është më e lehtë që të mësohen sjelljet e këqija, sesa ato të mira.

Për menaxherët, është e rëndësishme të kuptohet se kostot që vijnë nga një punonjës problematik shkojnë përtej efekteve të drejtpërdrejta të veprimeve të atij punonjësi – sjelljet e këqija të një punonjësi ndikojnë edhe në sjelljet e kolegëve të tjerë. Duke nënvlerësuar këto efekte, disa punonjës të tillë të pandershëm mund të infektojnë të gjithë kulturën e korporatave.

Historia, ashtu si dhe ngjarjet aktuale, janë plot me raste të sjelljeve të pahijshme mes bashkëpunëtorëve: siguruesit e kredive hipotekore që sollën krizën financiare, agjentët e aksioneve në shitjet e investimeve me risk të lartë, si për shembull Stratton Oakmont, dhe shitjet e tërthorta (“cross-selling”) nga agjentët në Wells Fargo.

Në këtë studim, autorët synonin të kuptonim se si përhapen sjelljet problematike mes punonjësve. Për të arritur te kjo, studiuesit shqyrtuan efektet e krijuara te kolegët nga sjelljet e pahijshme të këshilltarëve financiarë, duke u fokusuar te bashkimet midis firmave që ofrojnë konsulencë financiare, të cilat kanë degë të shumta.
Gjatë këtyre bashkimeve, këshilltarët financiarë takojnë bashkëpunëtorë të rinj nga një prej degëve të firmës tjetër, duke u ekspozuar kështu ndaj ideve dhe sjelljeve të reja.

Studiuesit mblodhën një sasi të madhe të dhënash, duke përdorur dosjet e hollësishme të dërguara drejt agjencive rregullatore për këshilltarët financiarë. Sjellja e keqe do të matej nga ankesat e klientëve, për të cilat këshilltari financiar ose pagoi një shumë prej të paktën 10,000 dollarësh, ose humbi në arbitrazh. Studiuesit vëzhguam me kujdes kohën se kur këto ankesa ishin dërguar për secilin këshilltar financiar dhe për kolegët e e tij.

Nga ky studim u zbulua se këshilltarët financiarë kanë 37% më shumë mundësi të kryejnë sjellje të pahijshme, nëse punojnë me një koleg të ri që ka bërë sjellje të ngjashme të pahijshme në të shkuarën. Ky rezultat nënkupton se sjelljet e këqija kanë një shumëzues social prej 1.59, që do të thotë se, mesatarisht, për çdo rast të një sjelljeje të pahijshme, ka 0.59 raste të tjera të sjelljeve problematike nga kolegët.

Megjithatë, vëzhgimi i sjelljeve të ngjashme midis kolegëve nuk shpjegon arsyen se pse ekziston kjo ngjashmëri. Punonjësit mund të sillen në mënyrë të ngjashme për shkak të ndikimit nga kolegët e tjerë, kur ata mësojnë sjelljet ose normat sociale nga njëri-tjetri, por sjelljet e ngjashme mund të shfaqen edhe kur kolegët përballen me të njëjtat incentiva, ose për shkak të faktit se individët e prirur për të bërë zgjedhje të ngjashme zgjedhin natyrshëm për të punuar së bashku.

Në këtë studim, autorët donin të kuptonim mënyrën se si ndikimi i kolegëve ndaj njëri-tjetrit kontribuon në përhapjen e sjelljeve të pandershme. Këshilltarët financiarë u krahasuan nëpër degë të ndryshme të së njëjtës firmë, sepse kjo bëri të mundur që të merrej parasysh në studim efekti i strukturave të incentivave me të cilat përballen të gjithë këshilltarët në një kompani.
Lexo : Për të gjashtin vit me radhë, Forbes publikoi klasifikimin e punëdhënësve më të mirë në botë

Gjithashtu, autorët u fokusuan te ndryshimet mes kolegëve, të shkaktuara nga bashkimet e kompanive, sepse kjo bën të mundur eliminimin e efektit të këshilltarëve që i zgjedhin vetë kolegët e tyre. Në fund, autorët mundën që të izolonin efektet e kolegëve.

Autorët gjithashtu bënë disa teste që përfshinin vetëm këshilltarët që nuk kishin ndryshuar mbikëqyrësit e tyre gjatë një procesi bashkimi, duke mundësuar kështu që i gjithë ndryshimi në sjelljet e kolegëve t’i atribuohej bashkëpunëtorëve në të njëjtën gradë. Me këtë kampion të kufizuar, autorët zbuluan prova të forta për efektet që kanë sjelljet e kolegëve ndaj njëri-tjetrit, ashtu siҫ rezultoi edhe nga kampioni kryesor. Këto rezultate tregojnë se, pavarësisht nga efektet e menaxherëve, sjellja e punonjësve ndikohet nga veprimet e kolegëve të tyre.

Studimet e mëparshme kanë dëshmuar se efektet e kolegëve janë më të forta mes individëve që kanë të njëjtën përkatësi etnike.
Edhe nga ky studim rezultoi se efektet e kolegëve për sjelljet e pahijshme janë më të forta ndërmjet këshilltarëve që kanë të njëjtën përkatësi etnike; ky efekt është gati dy herë më i madh nëse një këshilltar takon një koleg të ri që ka kryer sjellje të pahijshme në punë edhe më parë, dhe që ndan të njëjtën përkatësi etnike me atë të këshilltarit.

Kështu, individët e ngjashëm me njëri-tjetrin, të cilët ndërveprojnë më shumë me njëri-tjetrin, kanë ndikim më të madh te sjelljet e njëri-tjetrit.
Të kuptuarit e arsyeve se pse kolegët në punë bëjnë zgjedhje të ngjashme përsa i përket sjelljeve të pahijshme, mund t’i ndihmojë menaxherët në parandalimin e këtyre sjelljeve problematike.

Duke pasur parasysh natyrën e saj, njohuritë dhe normat shoqërore që lidhen me sjelljen e pahijshme duhet të transmetohen përmes kanaleve joformale, siç janë ndërveprimet sociale. Me fjalë të tjera, të kuptuarit e arsyeve se pse kolegët sillen në mënyra të ngjashme ka rëndësi të madhe për të kuptuar se si lind kultura e korporatës dhe si menaxherët mund ta formësojnë atë.hbr.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0