Një biznes i vogël artizanal që gërsheton penj, emocione dhe vlera sentimentale!

Ngritja e një biznesi në ditët e sotme rrjedh nga pasioni dhe dëshira për të krijuar dhe punuar për veten. Ky është një hap që përmban sfida të mëdha dhe nuk ka ende një formulë specifike për të bërë një biznes 100% të suksesshëm. E intervistuara , Kozeta Shehu , është një studente mjekësie që ka pasion qëndismën dhe prej dy vitesh ka krijuar biznesin e saj të vogël artizanal të njohur me emrin “Puthje nëpër penj”.

A mund të më tregoni rreth iniciativës tuaj për të patur një biznes të tillë artizanal? Nga lindi kjo dëshirë?

Rreth dy vite më parë mendova që të hapja një faqe instagrami me dëshirën dhe pasionin për të patur një hapësirë krijuese e shprehëse.

Unë kam mësuar që e vogël të merrem me qendisma dhe rrjedhimisht mendova që këtë pasion tim ta ndaj dhe me të tjerët duke e vënë në shërbim të tyre.

 “Puthje nëpër penj” është një emër shumë kreativ, i cili lehtësisht të tërheq vëmendjen. Nga erdhi ky emër? A ishte ai një strategji marketingu për të përthithur më shumë vëmendjen e audiencës?

Ashtu e ndjeva. Me punët e mia krijuese unë nuk synoj që të krijoj vetëm objekte dekori por copëza që kanë histori dhe vlerë sentimentale. Klientët më dhurojnë historitë dhe emocionet e tyre dhe unë ju jap mbrapsht një punim të punuar me shumë dashuri. Sa i përket marketingut, sigurisht që detaje të tilla kreative vlerësohen pozitivisht në biznese dhe e njëjta gjë ndodhi me mua. Njerëzit e pëlqyen dhe e vlerësuan si një gjetje interesante.

Ka disa hapa  shumë të rëndësishme që duhen ndjekur kur merr përsipër hapjen e një biznesi. A bëre studime mbi konkurrencën e tregut dhe sa e vështirë ishte për ty t’i qaseshe atij? 

Unë e dija që vështirësitë do ishin të shumta dhe rreziku i dështimit ishte në pritshmëritë e mia. Duke qenë se ky lloj arti konsiderohet pak i vjetër dhe nuk është në trendet e kohës ekzistonte mundësia të mos pëlqehej nga audieca. Në fillim kisha një stepje të madhe por duke e gërshetuar këtë art dhe me punime moderne ia dola që të arrij aty ku desha. Ishte dashuria për të bukurën shtysa kryesore që sot ky biznes është kthyer në qëllimin për të treguar histori mes copave dhe penjve duke krijuar marrëdhënie njerëzore dhe jo vetëm konsumatore.

Lexo: Flutura Xhabija: Gratë sipërmarrëse janë pa mbështetje

Instagrami yt që është dhe platforma kryesore ku ti promovon produktet e tua dhe zhvillon biznesin tënd, është i kuruar estetikisht deri në detajet më të vogla. Vetë ke zgjedhur ta menaxhosh në atë lloj mënyre?

Oh, po. Unë jam shumë e apasionuar pas artit dhe ngjyrave në përgjithësi. Më pëlqen shumë që shkrepjet e fotove t’i bëj vetë dhe gjithmonë kujdesem edhe për detajet më të vogla në sfond. Deri në hapjen e një atelie të mirëfilltë instagrami im do të shërbejë si i tillë prandaj dua që të jetë sa më i kuruar.

Tashmë kaluan dy vite dhe ti numëron qindra klientë që i duan punimet e tua dhe të ndihmojnë që ta rrisësh shumë biznesin tënd. Si ndihesh për këtë fakt?

Më beso që ndihem kaq e lumtur kur shoh shkëlqimin e tyre të syve në momentin që marrin produktin. Aty është gjithë shpërblimi i punës time. Unë i harroj të gjithë orët e gjata mbi punë dhe ia dedikoj vetëm atij momenti. Klientët e mi që sa vijnë e rriten në numër   janë ata që e mbajnë gjallë këtë biznes dhe që me shtyjnë të punoj akoma më shumë. U jam shumë mirënjohëse të gjithëve.

Çfarë mesazhi ke për t’u dhënë të gjithë njerëzve që janë në prag të hapjes së një biznesi?

Të gjithë e dimë që realiteti shpesh është ndrydhës dhe shumë sfidues e po ashtu është e vështirë të gjesh veten dhe punën që do të bësh me pasion. Mos kini frikë për të shprehur veten, gjërat që pëlqeni. Krijoni dhe kthejeni biznesin tuaj në punën që keni dashur gjithmonë. Nëse e doni shumë dhe punoni akoma më shumë për të, do ia dilni!

Intervistoi, Sabina Iskurti

Must watch
Business Mag Nr. #24 - Tetor 2020

Numri 24 i revistës Businessmag.al sjell një panoramë të zhvillimeve, përshtatjeve dhe ecurisë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, shohim zhvillime relativisht të kënaqshme.  Organizime të reja si Dhoma Ekonomike e Gruas, duket si një shpresë për më shumë zë, lobim dhe mbështetje për gratë sipërmarrëse dhe sipërmarrjet e reja.

Gjatë kësaj periudhe angazhime si programi “Ringrihu më i fortë”, ishin një lloj kundërpërgjigje ndaj dëmeve ekonomike që po shkakton pandemia.

Influencerat vijojnë të rrisin hapësirat e tyre dhe janë bërë një instrument i rëndësishëm marketimi. Në brendësi të revistës do të gjeni renditjen e top 100 influencerave më të mëdhenj në vend.

Gjatë kësaj vere ndërkohë, vetë Businessmag pati një fushatë të suksesshme të promovimit të turizmit shqiptar. Qindra të rinj u angazhuan të dërgojnë foto dhe përshkrimet e vendeve të ndryshme të Shqipërisë.

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale