Marketingu sot po kalon një moment rishikimi të thellë. Përballë shpërthimit të inteligjencës artificiale, përmbajtjes së standardizuar dhe premtimeve të përsëritura në rrjetet sociale, ndërtimi i besimit është kthyer në sfidën kryesore për bizneset. Libri “Strategjia Fituese” i Renato Civilit pozicionohet pikërisht në këtë debat, duke ofruar një qasje praktike dhe realiste për mënyrën se si brendet mund të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe komunikim autentik. I mbështetur në përvojë konkrete nga tregu shqiptar, libri zhvendos fokusin nga shitja e shpejtë te strategjia, nga automatizimi te njerëzorja dhe nga zhurma te kuptimi. Në këtë intervistë, autori shpjegon se pse marketingu i së ardhmes nuk fitohet me slogane, por me qartësi, besueshmëri dhe vizion afatgjatë.
Renato, si lindi ideja për librin “Strategjia Fituese” dhe çfarë nevoje synon të adresojë në tregun shqiptar?
Ideja lindi nga një nevojë shumë konkrete që kemi vënë re gjatë viteve të fundit në punën tonë me Digital Academy. Përgjatë 7 viteve kemi trajnuar mbi 2,000 profesionistë dhe kemi bashkëpunuar me disa nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri. Pothuajse të gjithë na kërkonin të njëjtën gjë: një dokument të strukturuar, të shkruar, që të shpjegonte qartë hapat për ndërtimin e një strategjie marketingu. Fillimisht mendoja për një material të shkurtër, por sa më shumë shkruaja, aq më shumë kuptoja se përvoja dhe praktikat ishin shumë më të thella. Kështu libri u zgjerua në rreth 260 faqe dhe u kthye në një udhëzues praktik për tregun shqiptar.
Çfarë e dallon këtë libër nga botimet e tjera mbi marketingun?
Ky libër nuk është teorik dhe as thjesht historik. Ai është thellësisht praktik. Çdo kapitull përmban hapa konkretë, shembuj realë nga tregu shqiptar dhe template që mund të përdoren menjëherë nga bizneset. Është ndërtuar si një “workbook”, ku lexuesi nuk është vetëm konsumues i informacionit, por pjesëmarrës aktiv në ndërtimin e strategjisë së vet.
Lexo edhe: BBC po planifikon programe ekskluzive për YouTube, sipas raportimeve
Një nga konceptet kyçe të librit është njohja e klientit ideal. Pse është kaq thelbësore gjë dhe sidomos në kohën që po jetojmë?
Sepse pa e ditur saktë se kujt po i drejtohesh, çdo komunikim është i paefektshëm. Në libër flasim për profilin e klientit ideal, për psikologjinë e tij, arsyet pse blen dhe mënyrën si ndërton besim. Marketingu nuk fillon me postimin, por me kuptimin e thellë të klientit.
Ju theksoni shpesh se marketingu nuk është thjesht shitje. Si e shpjegoni këtë për bizneset shqiptare?
Marketingu është ndërtim besimi dhe marrëdhënieje afatgjatë. Shitja është vetëm një moment transaksional. Nëse fokusohesh vetëm te shitja, marrëdhënia mbaron aty. Por nëse fokusohesh te besimi, edukimi dhe komuniteti, klientët rikthehen. Dhe është gjashtë herë më e lehtë të rishesësh tek një klient ekzistues sesa të fitosh një të ri.
Një tjetër shtyllë e librit është fuqizimi i stafit si ambasadorë të brendit. Pse është kaq i rëndësishëm ky koncept?
Sepse stafi ka një fuqi shumë më të madhe se faqja zyrtare e kompanisë. Në një studim që kemi bërë, rezulton se rrjeti i punonjësve ka shumë herë më tepër ndikim sesa kanalet zyrtare të kompanisë. Kur punonjësit promovojnë ekspertizën, historitë e suksesit dhe kulturën e kompanisë, krijohet një marketing autentik dhe shumë më i besueshëm.
Si e trajton libri përdorimin e inteligjencës artificiale në marketing?
Me shumë kujdes. Inteligjenca artificiale është një mjet shumë i fuqishëm, por jo një zëvendësim i mendimit njerëzor. Në Shqipëri shohim shpesh abuzim, copy-paste dhe humbje të originalitetit. Në libër japim udhëzime konkrete: çfarë duhet bërë, si duhet përdorur AI në mënyrë efikase dhe çfarë nuk duhet bërë kurrë. AI është asistente, jo autorja përfundimtare e komunikimit.
A mendoni se sot publiku kërkon më shumë autenticitet sesa perfeksion? Kam parasysh këtu shumë postime në mediat sociale që tentojnë të joshin duke thënë ‘’ne jemi më të mirët’’, që nga jashtë të shesin një faqe me postime perfekte, foto me rezolucion të lartë…?
Absolutisht. Koha e komunikimit të përsosur ka kaluar. Sot fitojnë historitë reale, rrëfimi, emocioni dhe njerëzorja. Audienca dallon menjëherë një komunikim artificial nga një komunikim autentik. Dhe ky është një avantazh i madh për profesionistët që kanë përvojë reale për të ndarë.
Kujt i drejtohet “Strategjia Fituese”?
Libri u shërben marketerëve, menaxherëve, drejtuesve të kompanive,profesionistëve, por edhe studentëve, sepse në Shqipëri mungojnë botimet praktike në këtë fushë. Edhe nëse nuk e implementojnë vetë strategjinë, lexuesit do të dinë çfarë t’u kërkojnë ekipeve të marketingut dhe si të gjykojnë efektivitetin e tyre. Ky libër është për këdo që synon të bëhet më i dukshëm në treg dhe të fitojë vëmendjen që meriton.
Nga mendësia tek praktika, cila mendoni se është “strategjia fituese” sipas jush?
Njohja e klientit ideal, ndërtimi i besimit dhe pozicionimi afatgjatë në mendjen e audiencës. Marketingu fitues nuk shet menjëherë, por përgatit terrenin që, kur klienti të jetë gati, të zgjedhë ty i pari.
*Ky libër i cili ka dal në treg do të promovohet në një cermoni të hapur për pjesëmarrësit dhe lexuesit më datë 30 janar në orën 19:00 pranë librari ‘’Leximtari’’ në Ring Center.
Për më shumë – http://www.akademiadixhitale.com/libri
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.