Nelson Çabej është shqiptaro-amerikani që ka teorinë e tij të evolucionit - Business Magazine Albania

Nelson Çabej është shqiptaro-amerikani që ka teorinë e tij të evolucionit


Për një kohë të gjatë vështirësitë që gjente teoria Darwianiane e evolucionit gradual të llojeve i ka ndjerë edhe Profesor Nelson Çabej dhe duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit. Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qendror të informacionit epigjenetik në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë. Tashmë ka një teori, që mban emrin e tij.

Nelson-Çabej-është-shqiptaro-amerikani-që-ka-teorinë-e-tij-të-evolucionit-business-magProfesor Nelson R Çabej, që jeton në New Jersey ka një jetë që merret me shkencë, por përveç revistave të huaja, media shqiptare nuk ka pasur kohë të merret me të. Ndoshta ngaqë ai është tepër modest dhe nuk mund të dalë para gazetarëve dhe të rrahë gjoksin ”Ej , unë jam ai që kam tronditur botën akademike me teorinë time, që i kundërvihet evolucionit gradual të Darvinit”. Ai ka tashmë “patentën” e teorisë së vetë, por nuk është kujtuar askush që t’i akordojë atij qoftë edhe një titull të thjeshtë merite, megjithëse kemi krijuar një ushtri me “Mjeshtra të Mëdhenj” dhe me “Nder i Kombit”,  edhe pse profesori është aq i njohur në rrethet shkencore, jo vetëm në Amerikë. Nuk e di nëse profesorët e fakulteteve të Shkencave të Natyrës, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, kur shpjegojnë teorinë e Darvinit, nëse u përcjellin studentëve informacionin se ka një shkencëtar në Amerikë, teoria e të cilit është kundrvënëse e asaj të Darvinit për evolucionin gradual, që tashmë studiohet në universitetet amerikane, kanadeze, izraelite etj?! Një teori antirrymë.

Nelson R Çabej është autori i shumë librave në fusha të ndryshme të biologjisë (gjenetike, biologjia teorike, filozofia e evolucionit, biologjisë dhe zhvillimit etj). Ai jeton me gruan, Nikoletën  dhe djalin, Redonin, në pjesën veriore të New Jersey, USA.

Ndërmejtës i takimit tim dhe intervista me Profesor Çabejn, është dr. Hasan Ademaj, nga Kosova. Ai e kishte lexuar librin e profesorit dhe kishte ndjekur ecurinë e tij. Më kishte folur plot entuziazëm për pritjen që i kanë bërë studimeve të profesorit qarqet shkencore në Amerikë dhe shtete të tjera. Rasti është mbret, thotë një shprehje popullore. Gjatë vizitës së tij në Paris, Prof. Çabej kishte takuar Doktorin e Shkencave Arsim Spahiu, i cili i kishte kërkuar që pesë librat e tij t’i sillte në bibliotekën e Vatrës. Korrekt si gjatë të gjithë jetës së tij, Profesor Çabej, i kërkoi dr. Hasanit që të ndërmjetësonte për plotësimin e kësaj porosie. Kështu u takuam tek Vatra. Më pas një kafe dhe intervista.

SI LINDI TEORIA E EVOLUCIONIT E PROFESOR ÇABEJT?

Profesor Nelson Çabej mendon se Darwini ka qenë dhe mbetet një kolos i shkencës botërore, por shkenca nuk është dogmë e pandryshueshme. Teoritë shkencore krijohen mbi bazën e atyre që dihen në kohën e krijimit të tyre, por vjen një kohë që çdo teori duhet të modifikohet ose dhe të zëvëndësohet për të shpjeguar dukuritë e reja që zbulohen. Në një kuptim të ngushtë teoria e seleksionit natyror është po aq e vërtetë sot sa edhe një shekull e gjysëm më pare, kur Darwini e parashtroi atë. Por ndërsa gjeniu me seleksionin natyror shpjegoi se si në brezat e njëpasnjëshme mbijetojnë e lënë më shumë pasardhës, ata individë që pësojnë ndryshime të vogla të favorshme, njohuritë e kufizuara të kohës nuk e lejuan atë të kuptonte se si lindin ato ndryshime që sjellin evolucionin. Me zhvillimin e gjenetikës dhe zbulimin e genit, biologët menduan se ndryshimet e vogla Darwiniane ishin ndryshimet në genet (mutacionet genike) të cilat sjellin evolucionin. Por shumë fakte të zbuluara në këtë gjysmë shekullin e fundit bien në kundërshtim me këtë shpjegim gjenetik. Mbi të gjithë këta fakte është  dukuria që sot njihet si ”eksplozioni Kambrian”, që ndodhi rreth 542 milionë vite më parë, kur dolën në mënyrë jo graduale darwiniane, por në mënyrë “eksplozive” të menjëherëshme, të gjitha grupet e mëdha të kafshëve që ekzistojne sot. Janë paraqitur një numër teorish të reja për ta shpjeguar këtë dukuri enigmatike, por asnjëra prej tyre nuk jep një mekanizëm bindës të eksplozionit Kambrian dhe dukurive të tjera. Biologët anembanë botës sot janë në “garë” për të gjetur shpjegimin e këtij fenomeni.

Për një kohë të gjatë veshtirësite që gjente teoria Darwianiane e evolucionit gradual të llojeve i ka ndjerë edhe Profesor Nelson Çabej dhe duke u marrë me to, ka zhvilluar teorinë e vet të evolucionit. Ai arriti në idenë themelore mbi rolin qëndror të informacionit epigjenetik në zhvillimin dhe evolucionin e botës së gjallë rreth 12 vjet më parë.

TEORIA “ÇABEJ” TREGON SE NGA I MARRIN GJENET “INSTRUKSIONET”

Cili është thelbi i kësaj kundërvënie, që përcjell teoria “Çabej”? Sa janë përkrahësit dhe kundërshtarët? Me pak fjalë, ju jeni kundër rrymës, si do të formulohej kjo antirrymë? – kjo ishte njëra nga pyetjet që i drejtova profesor Nelson Çabej.

Përgjigja e tij: Megjithë të çarat e pariparueshme që ka marrë teoria gjenetike e evolucionit, për arsye të njohura, shumica e autorëve akoma mbeten besnikë të saj, edhe për shkak të inercisë. Por numri i atyre që vënë në dyshim dhe kundërshtojnë shpjegimin gjenetik të evolucionit vjen duke u rritur. “Rryma e re” nuk është homogjene dhe brenda ka disa variante të ndryshme.

Profesori më shpjegon se teoria e tij mbështetet në mekanizma epigjenetike (pas- ose mbigjenetike), të cilat kontrollojnë dhe rregullojnë funksionin e geneve. Në mënyrë të thjeshtë teoria pohon se çdo gen “di” vetëm një gjë: të prodhojë një ose disa proteina. Por genet nuk dinë atë që është kritike për funksionin e tyre: kur, ku dhe për sa kohë duhet të prodhojnë proteinat. Teoria”Çabej” tregon se nga i marrin genet “instruksionet” për t’u “ndezur” ose “shuar”. Veç kësaj, organizmat e gjallë nuk jane “thasë” proteinash. Ato janë struktura marramëndësisht komplekse ku miliarda/triliona qeliza të qindra llojeve të ndryshme vendosen në vende të caktuara saktë për të formuar organizmin e kafshës, duke përfshirë edhe njeriun. Teoria ”Çabej” e shpjegon zhvillimin e organizmit nga veza deri në pjekuri, jo me informacionin gjenetik në ADN, por fillimisht me informacionin epigjenetik që prindët vendosin në qelizat seksuale (vezë e qelizë spermatike) e, më vonë, gjatë zhvillimit embrional deri në pjekuri, “instruksionet” për zhvillimin e organeve dhe formimin e organizmit vinë nga sistemi nervor në formën e sinjaleve kimike.

10 VJET PËR TA SHKRUAR LIBRIN E “TEORISË ÇABEJ”

Teoria”Çabej” është konkretizuar në një libër voluminoz. Ky libër erdhi si kurorëzim i një pune 10-vjeçare. Pas provave të para që bëri duke hedhur për diskutim për disa vite idetë e veta me biologë nga shumë vënde të botës në newsgrupe të biologjisë ne internet, në vitin 2001 ai arriti të botoi një libër me titull “Quantic Evolution” (Evolucioni Kuantik), ndërsa në vitin 2004 –  librin “Neural Control of Development” (Kontrolli Nervor i Zhvillimit Embrional) dhe pas tre vjetëve pune intensive,të lodhshme, por pasionante, në vitin 2008 arriti që të botoi teorinë “Çabej” në formë të plotë në një vëllim prej 900 faqesh, që mbante titullin “Epigenetic  Principles of Evolution” (Parimet Epigjenetike te Evolucionit).

Ai shprehet se “kam arsye të them se ky libër është vepra e jetës sime.” Në vitin 2012 ky libër u botua me të njëjtin titull, por tani jo më nga vetë autori, por nga Shtëpia Botuese amerikane “Elsevier”.

Vlerësimi pozitiv i librit të tij në dy recensione që dolën në dy revista serioze shkencore (Quarterly Review of Biology dhe BioEssays) nga dy specialistë të evolucionit në Kanada dhe Izrael ishte një rekomandim i mjaftueshëm për ta futur në planin e botimeve të Elsevier-it, Shtëpisë më të madhe të botimeve akademike në botë.

VLERËSIMET PËR TEORINË”ÇABEJ”

Libri ka patur jehonë të jashtzakonshme. Ai është mirëpritur nga qarqet shkencore, akademike dhe universitare. Në vitin 2004, gjeneticieni më i madh amerikan, Prof. emeritus George Williams i shkruante Profesor Nelson Çabej: “Unë mendoj se  kontributi i juaj mund të jetë një ngjarje e madhe në  historinë e kuptimit të marrëdhënjeve gen-zhvillim” (I think your contribution could be a major event in the history of the gene-development understanding), kurse anëtarja e Akademisë së  Shkencave të SHBA dhe ish-kryetare e Komitetit Ameirkan për Evolucionin, Mary Jane West-Eberhard, i shkruante se kjo teori “do të ishte një kontribut i rëndësishëm për të  kuptuar se sa kritike për zhvillimin janë “proceset ndërmjetëse” si hormonet dhe sistemi nervor qëndror – një fakt që nuk është vlerësuar sa duhet por unë mendoj se do të gjejë një vlerësim në rritje në të ardhmen” (would be an important  contribution  to the understanding of how  crucial “intermediate processes” like hormones and CNS are for development – an unappreciated fact but one I think will find growing appreciation in the future”.

Në revistën shkencore Developmental Dynamics, Dr. J. Kiefer (2011) e  Universitetit të Utah-ut shkruante : Nëqoftëse kjo ide përputhet me evidencen eksperimentale bëhuni gati të rishkruani tekstet e biologjisë” (If experimental evidence catches up with the idea, get ready to re-write the textbooks.). Prof  emerita e antropologjisë në universitetin e Torontos, Kanada (2012) i shkruante:”Unë u magjepsa dhe sinqerisht u kënaqa me librin  tuaj Epigjenetik…Prandaj ju mund ta përfytyroni, se sa kenaqësi më dha leximi i analizës suaj racionale dhe të hollësishme të kufizimeve të neo-darwinizmit”  (I was fascinated and frankly delighted with your book Epigenetics…. You can  imagine, therefore, how pleased I was to read your cogent, detailed analysis of the limitations of neo-darwinism).

Vlerësimet nuk mbarojnë këtu. Përveç diskutimeve në disa newsgrupe dhe vlerësimeve të mësipërme, mund të  përmënden vlerësimet që i bëri librit Epigenetic Principles of Evolution  një  lidere botërore e epigjenetikës, Eva Jablonka e Cohn Institute, Tel Aviv: “Unë besoj se Nelson Çabej ka të drejtë kur argumenton se evolucioni i sistemit nervor ndryshoi dhe përshpejtoi në shkallë të konsiderueshme evolucionin e metazoave” dhe se ky libër “mbulon një fushë shumë të gjerë dhe jep një numër të madh shëmbujsh të dobishëm duke argumentuar bindshëm se sistemi nervor ka një rol qëndror në evolucionin e kafshëve” (“I believe that Çabej is right in arguing that the evolution of the nervous system significantly altered and accelerated metazoan evolution..  Epigenetic Principles of Evolution … covers a very wide area and provides a host of useful examples arguing convincingly that the nervous system has a central role in animal evolution.” .

Ndërsa Dr. L. Gabora e Universitetit të Vankuverit, Kanada në një tjetër recension shkruan: “Epigenetic Principles of Evolution jep një pasqyre bindëse gjithëpërfshirëse të të dhënave që tregojnë rëndësinë e proceseve epigjenetike në evolucionin e metazoave” (Epigenetic Principles of Evolution provides a convincing, comprehensive compilation of evidence for the importance of epigenetic processes in metazoan evolution.)

Edhe pse Shtëpia botuese Elsevier nuk i ka dhënë Nelson Çabej informacion të plotë rreth vëndeve ku ka shkuar libri, por nga hulumtimet mësuam se libri ka shkuar në rreth njëmijë biblioteka të shumë vëndeve të botës në të pesë kontinentet, por kjo statistikë i takon Shtëpisë Botuese Eliver, e cila ka botuar dhe tashmë e ka pronë të vetën, duke respektuar të drejtat e autorit.

Me librin e profesor Çabejt janë marrë revista shkencore prestigjioze, si: “Quarterly Review of Biology”, një revistë shkencore e Universitetit të Çikagos dhe “BioEssays” në Gjermani, që kanë botuar recensione për librin. Po ashtu edhe revista e madhe amerikane “Science” ka botuar një njoftim të zgjeruar për daljen e librit.

 

Burimi: shqiptari.eu

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0