Pas një përplasjeje publike të ashpër që zgjati vetëm gjashtë ditë, Elon Musk ka kërkuar ndjesë publike ndaj presidentit Donald Trump, duke pranuar se disa prej postimeve të tij në platformën X “shkuan shumë larg.” “Jam penduar për disa nga postimet e mia për presidentin Donald Trump javën e kaluar. Shkuan përtej asaj që duhej,” shkroi Musk në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në platformën që ai vetë zotëron.
Ky kthim vjen pasi Trump u shpreh i zhgënjyer nga kritikat që Musk kishte bërë ndaj projektligjit të tij të diskutueshëm për taksat dhe shpenzimet – një paketë që presidenti e quan “Projektligji i madh, i bukur”. Kritikat e Musk u shoqëruan me sulme personale ndaj Trump-it, të cilat u pasuan nga kundërsulme në platformën Truth Social.
Në të njëjtën ditë kur Musk zgjodhi të ulë tonet, Trump, në një intervistë të regjistruar paraprakisht për një podcast, u shpreh se pajtimi është ende i mundur: “Nuk kam ndjenja të këqija. U befasova shumë nga ajo që ndodhi. Ai sulmoi një projektligj që është fenomenal… Mendoj se tani ndjen vërtet keqardhje për atë që tha.”
Lexo edhe: Tesla rimëkëmbet pas përplasjes mes Elon Musk dhe Donald Trump
Musk përfundoi detyrën e tij si drejtues i Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (DOGE) më 30 maj, pas 130 ditësh në krye të një institucioni që synonte shkurtimin e shpenzimeve federale. Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, ai nisi të kritikojë publikisht paketën fiskale të Trump, duke e quajtur “një ndyrësi e turpshme dhe e mbushur me favore të pista politike.”
Në duelin verbal mes Trump dhe Musk, tronditëse ishin akuzat e Musk, i cili sugjeroi se Trump përmendej në dosje të klasifikuara mbi Jeffrey Epstein-in dhe se kjo ishte arsyeja pse ato nuk janë bërë publike. Ai publikoi gjithashtu një fotografi dhe një video të vjetër ku Trump dhe Epstein shfaqen së bashku në një festë në vitin 1992.
Ndërkohë që në Shtëpinë e Bardhë flitej për një telefonatë të mundshme për pajtim, Trump u shpreh për gazetarët se nuk kishte ndërmend të fliste me dikë që i kishte dhuruar mbi 288 milionë dollarë për fushatën, duke e lënë marrëdhënien mes tyre pezull.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.