Mon Chéri, një markë tashmë ndërkombëtare

Mon Chéri, një markë tashmë ndërkombëtare


Jeni ulur në kafenenë në cep të pallatit? Apo ju ka ndodhur të zbrisni nga autobuzi dhe të mund të futeni direkt në ambientin me aromën e këndshme të kafes por edhe një snak-u. Mund t’ju vijë në mendje Mon Chéri, rrjeti i parë i dyqaneve të kafes, coffee shop, që kush ka jetuar jashtë mbi dhjetë vite me parë, sigurisht që ka thënë, “ok, më në fund edhe në Shqipëri”.

Juxhin Balliu, është CEO dhe Administratori i Mon Chéri – Coffee Shop. Në një intervistë për ne, ai thotë se, edhe pse imazh i stiluar francez, ai është një biznes autokton shqiptar. Rrjeti gjithnjë në zgjerim ka 11 vite që operon në treg. “Është ngritur gradualisht dhe është kuruar në mënyrë të vazhdueshme duke u dhënë zgjidhje problemeve. Çdo ditë vijojmë të zgjidhim probleme duke ndjekur ëndrrën e fillimit”, thotë Juxhini.

Rritja nuk është rastësore. Ai tregon se,“Që në fillim të krijimit të biznesit, u thelluam në analizën se si funksionon tregu”. Një treg i ndikuar nga konsumi i kafes turke, por i ndikuar edhe nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia me një kulturë unike të të pirit të kafes. Ajo çfarë Juxhini kuptoi si vlerë unike ishte miksimi i kulturës të pirjes së kafes në Shqipëri, ndërthurja përmes kulturave lindore dhe perëndimore.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 32 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu

Trendi sot po ndryshon e po kanalizohet edhe për shkak të ndikimit të rrjeteve të tilla si Mon Chéri. Juxhini pret që, “tregu i kafes të shkojë drejt vetëshërbimit, drejt mobilitetit”.

Në pikat e Mon Chéri gjeni vajza që shërbejnë. Një trend i futur nga ky rrjet. “E kemi pasur të vështirë në fillim të krijonim kulturën e të shërbyerit nga femrat, por shpejt klientët u mësuan dhe filluan ta vlerësonin pozitivisht shërbimin e tyre. Edhe nga vetë punonjëset, u krijua një kulturë pozitive dhe dashamirëse dhe filluan t’u shërbenin klientëve lehtësisht me mirësjellje dhe buzëqeshje. Gjithashtu, edhe me futjen e kulturës së vetëshërbimit, klienti ka më pak shanse të mërzitet me shërbimin pasi e kryen vetë atë”.

Bizneset lulëzojmë mes një zhvillimi (por jo aq të madh). E njëjta gjë po ndodh me kafenetë, ashtu si edhe studio e arkitektëve, apo çfarëdo shembulli të marrim.

Starbucks, nga e cila Juxhini mund të frymëzohet, është një formulë tipike amerikane. Por kjo markë,  “në tregun vendas është e pamundur të hyjë edhe për dhjetë vite, për shkak të kushteve ekonomike të vendit”. Kjo është një mundësi për bizneset lokale, ndonëse e përkohshme.

Po të shihni me kujdes, edhe pse teknologjia mbërrin më të njëjtin hap si në botë, shumë zhvillime të tjera kanë ritme më të ngadalta. Tregjet e kapitaleve tek ne janë ende të pazhvilluara dhe Juxhini kujton se shumë gjëra tek ne ndodhin me vonesë.

Por çfarë po bën rrjeti që tashmë ka krijuar emër në vend? Pa një vizion nuk mund të shkosh larg dhe në themelimin e këtij rrjeti ka “gurë të fortë”. Drejtuesit e kompanisë po negociojnë tashmë në vendet e rajonit për të hapur pikat e tjera të shitjes ndërsa është ngritur Mon Chéri i parë në Bashkimin Europian.

Juxhini thotë se, “tregjet si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, janë tregje që po i ndjekim dhe për të cilët punojmë nga Shqipëria. Jemi në fazë bisedimesh dhe në Prishtinë kemi mbyllur një marrëveshje”. Ndërsa në Ballkan zgjerimi është i sigurt, tregu europian është një destinacion, ku Mon Chéri e ka vendosur tashmë flamurin e parë.

“Budapesti është zgjedhur si një flamur për të hyrë në Europë. Me pikën e tretë që do të hapim atje do të kalojmë Franchise”, thotë CEO i kompanisë.

Nëse do të shihni me interes një bashkëpunim me kompaninë, duhet të dini kushtet e themeluesve. Së pari, ata këshillojnë të njihni sektorin. Këshilla e Juxhinit për zhvillimin e franchise është: duhen partnerë që e njohin dhe e duan sektorin.

Kjo lloj sipërmarrje është nga ato që po zgjerohet horizontalisht dhe vertikalisht në të njëjtën kohë. Përmes një nisme të re, kompania po punon për brandin e dytë. Papa’s Bakery & Sweets, është rrjeti i dytë i pikave të shërbimit e tregtimit që po zhvillohet. Me përvojë tashmë në përzgjedhjen e vendeve dhe punonjësve, në mënyrën e logjistikës dhe shërbimit, vijnë me risinë në botën e ushqimeve. Për të siguruar ushqimet në pikat e Mon Chéri, Juxhini tregon se iu desh të ngrinin një fabrikë. Ajo po shfrytëzohet sot edhe për siguruar prodhime të tjera, të cilat tregohen në pikat e shitjes që janë bashkim furrë buke, pasticeri dhe pak produkte të marketit. “Në dy vende pritet që Mon Chéri dhe Papa’s Bakery & Sweets të operojnë së bashku me hapësira të përbashkëta komunikimi”. Sigurisht, për të gjithë ecurinë e rrjeteve, ai u është mirënjohës dhe falenderon për mbështetjen e vazhdueshme babain Gazmendin dhe vëllain Julianin.

Juxhini e sheh rrjetin të shpërndarë plotësisht në rajon pas 10-15 vitesh. Tregjet më të përshtatshme janë Hungaria, Çekia, Bullgaria, pra Lindja e Europës, tregje kulturalisht dhe ekonomikisht më të afërta me ne, e në të njëjtën kohë me më pak interes për brande ndërkombëtare.

Për kë do të bëjë biznes, Juxhini paralajmëron se gjithmonë e më shumë kushtet e të bërit biznes do të vështirësohen. “Sot ka konkurrencë të pandershme etj., por gjithnjë e më shumë loja vështirësohet. Akoma është thjeshtë. Unë jam arkitekt me profesion. Është shumë më e thjeshtë të hap një studio e të punoj këtu në këtë profesion se në Vjenë p.sh. Akoma kemi hapësira, mundësi dhe kosto të lira”.

Po çfarë do t’u sugjeronte Juxhini të rinjve?! Për të gjithë ata që duan të ikin, ai këshillon të ikin me punë e jo fizikisht. Këtë e bën të mundur bota e internetit dhe të gjitha shërbimet e nevojshme në sektorin e teknologjisë IT.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 32 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0