Menaxherja Brizida Delvina: shërbimi hoteler, një mundësi e mirë për karrierë » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 31/12/2019

Menaxherja Brizida Delvina: shërbimi hoteler, një mundësi e mirë për karrierë

Share
nga Admin
Dhj 31, 2019
Business Magazine Albania constitutes an online periodical publication of business related articles. It is the first of
lexo me teper >

“Së pari i shërbehet mikut”, i thotë me buzëqeshje e qetësi Brizida Delvina kamarierit të ri që na shërben në barin e Hotel Colosseo në Tiranë.

Ajo është në krye të menaxhimit të këtij hoteli që në ditën e hapjes së tij. Koordinim, organizim, kujdes për klientin e kujdes dhe motivim për dhjetëra punonjës në hotel. Të flasësh me Brizidën për punën e saj, gjendesh duke folur për pasionin e saj. Shërbimi dhe hoteleria, nisin rastësisht e bëhen profesioni i saj më i dashur. Etja për të mësuar e ka ndihmuar, ndërsa ushqimi me dashuri i këtij profesioni ka bërë që sot ajo të ndërtojë një karrierë të tërë në fushën e hotelerisë dhe të jetë e realizuar në fushën e saj profesionale.

E diplomuar në ekonomi agrare dhe njëkohësisht në gjeografi, Briz nis punë si recepsioniste tek hotel Diplomat. Siç na tregon gjatë bisedës me ne, pas lindjes së vajzës vendos ta nisë këtë punë përkohësisht, ashtu siç bëjnë shumë të tjerë. Por, puna në një hotel të vogël i dha mundësinë të “prekë” shumë procese pune. Edhe pse nis si recepsioniste, ajo menaxhon sallën, merr përsipër prenotime e shumë angazhime të tjera. “Në një kompani të vogël ke mundësinë të bësh punë të ndryshme dhe të përvetësosh shumë aftësi”, thotë ajo.

Klientët e kënaqur ishin objektivi i saj i ditës dhe mesa duket gjithë çfarë jep në këtë drejtim i kthehet mbrapsht po ashtu me mirënjohje e buzëqeshje, duke e nxitur edhe më tej Brizida Delvinën, të investojë kohën e saj në hoteleri.

Nisja e punës në Hotel Sheraton shënon një hap të rëndësishëm për të. Pas 6 intervistash pune, arrin të punësohet në deparatamentin e shitjes. Puna e saj nis si agjente rezervimi dhe pas një viti kalon supervizore rezervimi. Një vit më vonë, ajo bëhet menaxherja e rezervimeve në hotel Sheraton. Pikërisht në këtë periudhë, kompania i siguron mundësinë e studimeve master dhe jo më kot. Potencialet e saj kishin rënë në sy të drejtuesve të kompanisë.

Menaxherja e Përgjithshme, me rreth 50 punonjës dhe nënë e tri vajzave, pas studimeve në dy universitete, thellon studimet edhe në hoteleri, formim që i siguron të gjitha aftësitë e menaxhimit të një hoteli. “Kjo ishte një mundësi e artë për mua, pasi çdo diplomë që nuk përputhet me profesionin që po bën, të jep ndjesinë e diçkaje të mangët”, thotë ajo.

Me etjen për të mësuar, për të studiuar prirjet e pushuesve, vizitorëve, për të ofruar kujdes për çdonjërin, Brizida ka ngjitur natyrshëm shkallët e karrierës. Perfeksioniste për nga natyra dhe me synim të fortë për të bërë krenare veten, ajo është e bindur se mund të bëjë krenarë edhe ata që e rrethojnë.

Pas 5 vitesh punë në Sheraton, përvoja e saj zhvendoset tek Rogner. Aty merret me menaxhimin dhe organizimin e eventeve. Por, pa kaluar shumë kohë, i vjen një ofertë nga Hotel Tirana. Duke u angazhuar si Menaxhere Recepsioni ajo plotëson përvojën e saj në departamentet më kryesore të hotelit. Me vendosjen e disa procedurave pune, Brizida arrin të rrisë kohën e qëndrimit të stafit në një vend pune. Kjo ishte sfidë për hotelet, ndërsa fluksi i turistëve ishte relativisht i lartë.

Kërkesa e lartë e turistëve, aq sa Hotel Tirana nuk u përgjigjej dot dhe nevoja për të siguruar po të njëjtin standard shërbimi e nxit Brizidën bashkë me bashkëshortin e saj të hapin një hotel të tyrin. Për dhjetë vjet menaxhoi hotelin e saj, duke marrë kështu një hap të rëndësishëm në karrierën e saj për t’i provuar vetes dhe të tjerëve se një grua profesioniste mund të arrijë ëndrrën e saj dhe kur të tjerët duan ta stepin. Siguron me qira një hotel në qendër të Tiranës, duke sjellë një risi në menaxhim. 13 vite më parë, kur hotelet drejtoheshin vetëm nga pronarë ajo menaxhon dhe siguron një vlerësim shumë të mirë nga klientët, si për shërbimin edhe procedurat e rezervimit online. Një nga vlerësimet e klientëve që i pëlqen të kujtojë mes shumë të tillave është: “Një hotel i vogël me zemër të madhe”.

Asaj iu besua më tej, menaxhimi i Hotel Colosseo që në hapjen e tij.

Sfida e parë ishte të rekrutonte stafin e duhur. Si ia ka arritur?! Puna me orë të gjata nuk do të mjaftonte. Në një proces filtrimi maratonë, në prag të sezonit veror, Brizida arrin të krijojë ekipin e saj me të njëjtat vlera shoqërore e profesionale. Kështu, ajo krijoi njëkohësisht një ekip pune si familje, që do të priste mysafirët.

Motivimi u punonjësve është një nga çelësat e suksesit të saj. Edhe në bisedat me kandidatët për punë, Briz ka sjellë shembullin personal. Sipas saj, mundësitë për të bërë karrierë në fushën e hotelerisë janë të mëdha. Mjafton që kamarieri, apo recepsionisti të mos shihet si një punë e përkohshme. Ajo është e bindur që fusha e hotelerisë, krahas rritjes në karrierë të jep edhe një mundësi shumë të mirë të zhvillimit të rrjetit social. Një punë që nuk është njësoj çdo ditë, të mundëson të njihesh e miqësohesh me persona nga e gjithë bota me profesione e tradita të ndryshme.

Sot tek Colosseo, të gjithë kujdesen për klientin ashtu siç do të bënte edhe Briz. Në bisedën me ne, na tregon se shpesh, kur nuk ka dhoma të lira tek hoteli për klientët e hershëm, punonjësit angazhohen si t’i sistemojnë në mënyrën më të mirë të mundshme qoftë edhe në hotele të tjera, duke u kujdesur që të mund të ketë shërbimin e duhur.

Colosseo ka marrë nga Expedia certifikatën e Ekselencës. Kjo vjen nga standardi i shërbimit me 5 yje, ndërsa hoteli është me 4 yje.

“Hoteli ofron gjithë komoditetin që kërkon një klient. Ka një luks të arsyeshëm brenda normave, është i prekshëm dhe i arritshëm për të gjithë”, sipas saj.

Si menaxhere ajo kërkon të kontribuojë në nxitjen e pasionit për profesionin e bukur të hotelerisë. Ajo kërkon shumë që të rinjtë ta shohin si mundësi karriere e t’i shërbejnë vendit, “sepse më mirë se shqiptarët askush nuk mirëpret miqtë në Shqipërinë tonë të bukur”, thotë ajo.

Pikërisht se ka zgjedhur të jetë ambasadore e vlerave të vyera të vendit të saj, Brizida gjendet ende në Shqipëri, pavarësisht ofertave që ka pasur nga jashtë, për të menaxhuar hotele të ndryshme.

A.Muçaj