Mark Zuckerberg deklaroi të mërkurën se TikTok, në pronësi të Kinës, përbënte një kërcënim “shumë urgjent” konkurrues për Metën, ndërsa përpiqej të zhbënte përpjekjet e Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) për të shpërbërë kompaninë që zotëron Facebook dhe Instagram, gjatë një gjyqi historik antitrust në Uashington.
Zuckerberg synoi të forconte argumentin e Metës se ajo përballet me konkurrencë të ashpër nga TikTok, YouTube në pronësi të Google dhe platforma të tjera për vëmendjen e përdoruesve, ndërsa përfundoi dëshminë e tij shtatë-orëshe të shpërndarë në tre ditë. “Vërejtëm se rritja jonë u ngadalësua ndjeshëm” ndërsa TikTok u rrit në popullaritet në vitin 2018, tha Zuckerberg në përgjigje të pyetjeve nga avokati kryesor i Metës, Mark Hansen. “Ishte diçka shumë urgjente. Ka qenë prioritet për kompaninë për disa vite.” Pas Zuckerberg, në bankën e të akuzuarve u ngjit edhe Sheryl Sandberg, ish-drejtuese operative e Facebook, e cila pritet të dëshmojë përsëri të enjten. Ajo u pyet rreth mënyrës se si Meta i qasej shërbimeve rivale si Instagram përpara se ta blinte në vitin 2012, si edhe rrjetit social tashmë të dështuar Google+. FTC ka argumentuar se Zuckerberg ka ndjekur një strategji “bleji ose zhduki” për të blerë platforma të reja si Instagram dhe WhatsApp, përpara se ato të mund të sfidonin monopolin e Metës. Sipas aktakuzës, FTC e ka përcaktuar Metën si dominuese në tregun e platformave sociale të bazuara në lidhjet mes miqve dhe familjes, ku Snapchat është përmendur si i vetmi konkurrent i vërtetë. Zuckerberg i kundërshtoi këto pretendime, duke thënë se aplikacionet e Metës si Facebook dhe Instagram tani “shërbejnë kryesisht si motorë zbulimi” dhe janë më pak të bazuara në modelin klasik të rrjeteve të miqve dhe familjarëve. “Njerëzit do të ndajnë përmbajtje në mënyra të reja pas pesë vitesh krahasuar me mënyrën si ndodh sot,” shtoi ai.
Lexo edhe:Prezantohet PRiM në “Product Launch #3” – Zgjidhja e duhur për menaxhimin e rrezikut digjital!
Para nisjes së gjyqit, Meta kishte lobuar me ngulm që Presidenti Trump të miratonte një marrëveshje për zgjidhje jashtë gjyqit, për të shmangur që Zuckerberg të thirrej për të dëshmuar. Mediat raportuan se Zuckerberg kishte telefonuar Kryetarin e FTC-së, Andrew Ferguson, në fund të marsit dhe i kishte ofruar 450 milionë dollarë për të zgjidhur çështjen, një shumë shumë më e vogël se 30 miliardë dollarët që kërkonte Ferguson. Zuckerberg më pas bëri një ofertë më të lartë, rreth 1 miliard dollarë, ndërsa Ferguson kishte thënë se nuk do të pranonte asgjë më pak se 18 miliardë dollarë dhe një marrëveshje ligjore që do t’i ndalonte Metës praktikat monopoliste, sipas Wall Street Journal. Bisedimet për një zgjidhje përfundimisht dështuan – megjithëse një marrëveshje teorikisht mund të ndodhë në çdo moment gjatë gjyqit. FTC është e vendosur ta çojë çështjen deri në fund. Avokatët e FTC-së përdorën deklaratat dhe emailet e mëparshme të Zuckerberg si prova për praktikat antikonkurruese të Metës.
Zuckerberg mohoi akuzat e qeverisë se kishte blerë Instagram për të neutralizuar një konkurrent, duke argumentuar se blerja ndihmoi në rritjen e aplikacionit. Megjithatë, autoritetet treguan një dokument të vitit 2018, ku Zuckerberg kishte pranuar se pronësia e Metës mbi Instagram-in do të shkaktonte kontroll të fortë nga autoritetet antitrust. “Ndoshta duhet të mendojmë seriozisht opsionin ekstrem për ta shkëputur Instagram-in si një kompani të veçantë,” kishte shkruar Zuckerberg në dokument. “Ndërsa thirrjet për të shpërbërë gjigantët e teknologjisë po shtohen, ekziston një mundësi reale që të detyrohemi të ndajmë Instagram-in dhe ndoshta edhe WhatsApp-in brenda 5-10 viteve të ardhshme,” shtonte ai. Në një email tjetër nga viti 2012, Zuckerberg i shkruante ish-drejtorit financiar David Ebersman se blerja e Instagram do të kishte efektin e “neutralizimit të një konkurrenti.” Ai gjithashtu pranoi në sallën e gjyqit se një nga arsyet pse bleu Instagram-in ishte fakti që aplikacioni kishte një funksionalitet më të mirë për kamerën në aplikacion, krahasuar me atë që kishte ndërtuar Facebook në atë kohë. Ndërkohë, FTC zbuloi gjithashtu se Zuckerberg kishte ofruar dikur 6 miliardë dollarë për të blerë Snapchat – por ishte refuzuar nga CEO-ja i kompanisë, Evan Spiegel.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.