Lumturia është magnet i suksesit - Business Magazine Albania

Lumturia është magnet i suksesit


Çdo prind është mësues për fëmijët e tij, çdo menaxher është një mësues dhe mësimdhënia nuk kërkon detyrimisht të jesh një ekspert i fushës.

A është e mundur lumturia 360 gradë?! Avinash Ananda jo vetëm beson në këtë. Një akademi globale është ngritur prej tij dhe përfshin fëmijë nga 4 vjeç deri tek liderë ndërkombëtarë. Si u bë Avinash një guru i Lidershipit dhe si erdhi ai në Shqipëri?

Intervistë me Avinash Ananda, mentor, guru i Lidershipit

Para se të nisja me intervistën fillova të bëj disa kërkime për kompaninë tuaj. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte një slogan në website-in tuaj “Jepi vetes dhe të tjerëve një lumturi 360 gradë” dhe nisa të pyes veten si mund të jetë dikush 360 gradë i lumtur? A ndodh kjo realisht apo është thjesht një slogan frymëzues?

Lexoni: Çfarë është lumturia?

Për mua ky është një feedback, ndaj faleminderit. Unë kam punuar në fushën e trajnimeve për më shumë se 35 vjet. Nisa në moshën 17-vjeçare, me një mentor që më frymëzonte shumë dhe ai vendosi të më mësonte për 30 vjet me rradhë. Ai ishte influenca ime më e madhe në jetë për të qenë pjesë e kësaj fushe. E shoh si arritje 360 gradë lumturi. Çfarë do dikush në jetë? Sigurisht, lumturi. Zakonisht njerëzit që synojnë lumturinë, humbasin diçka gjatë këtij procesi. Unë kam udhëtuar shumë nëpër botë, qëndroj 15 ditë në Amerikë, 15 të tjera në Indi, dhe ajo që kam kuptuar gjatë udhëtimeve të mia është se ka një ndarje të lumturisë. Pjesa perëndimore është e fokusuar te lumturia shpirtërore dhe pjesa lindore te lumturia materiale, por të gjithë janë në kërkim të diçkaje që i plotëson.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 10 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Ndaj mendova, pse mos të ketë një sistem ku nuk mungon asgjë? Dhe a mund t’i kemi të gjitha në të njëjtën kohë dhe të njëjtin vend? Nëse do të jesh i lumtur minimizo nevojat e tua. Ju shkoni te një guru suksesi dhe ai ju thotë “Rrisni qëllimet tuaja”, dikush thotë “Jini vetvetja”, dikush tjetër thotë se, “Për të patur marrëdhënie të mira, duhet të japësh e të marrësh”. Njerëzit janë konfuzë. Pse të mos bëjmë një manual edhe për këtë problem, edhe makineritë më komplekse kanë manuale për përdoruesit. Por, në fillim duhet të jesh lider i vetes, të drejtosh mendjen tënde. Nga këtu buron gjithçka dhe ne zbuluam një mënyrë për të realizuar një menu për përdoruesit.

Le të kthehemi 30 vjet pas në kohë. Çfarë fëmije ka qenë Avinash dhe si lindi ideja për të qenë një trajner?

Unë jetoja në Indi. Kam lindur në Bengaluru ose siç njihet ndryshe Silicon Valley i Indisë. Ndodhet në jug të saj. Linda në një familje mesatare, nuk ishim as të pasur, por nuk mund të them se ishim të varfër, një familje punëtore. Prindërit e mi ishin refugjatë dhe kur arritën në Indi ata nuk kishin asgjë. Kur India fitoi pavarësinë e saj nga kolonitë britanike, një pjesë e Indisë u nda dhe u formua shteti i Pakistanit, i bazuar në islam. Shumë nga hindutë që jetonin në Pakistan u detyruan të largohen dhe të vendosen në Indi. Prindërit e mi u larguan në një moshë shumë të re. Im atë ishte vetëm 7 vjeç kur kjo ndarje ndodhi, në vitin 1947. Babai im merrej me shitje, më pas ai u përkushtua për t’u bërë drejtor në këtë sektor. Mamaja ime punonte në bankë, pra ishin buxhetorë, por njerëz shumë punëtorë. Ata na rritën me vlera. Nëna gjithmonë e vendoste theksin te morali, vlerat, etika. Babai gjithmonë këmbëngulte te pozitiviteti, energjia, karizma, lidershipi dhe komunikimi. Personi që ka ndikuar më shumë te unë është një mik i babait, të cilin e njoha gjatë një seminari të tij kur isha vetëm 10 vjeç. Babai gjithmonë na merrte mua dhe motrën të ndiqnim seminaret e tij. Motra ishte 8 ndërsa unë 10 vjeç. Asaj ndoshta nuk i bënin shumë përshtypje, por te unë patën një impakt këto seminare dhe i thashë shokut të babait: “Dua të bëhem si ti.” Ai mbante flokë të gjata dhe unaza në duar dhe shumë shpejt u bë mentori im.

Çfarë ju mësonte?

Gjatë asaj kohë ai fliste për hipnozën dhe menaxhimin e stresit, aftësitë e komunikimit, ndaj mësova shumë prej tij. Më vonë fillova të frekuentoj më shumë mentorë. U fokusova te meditimi për më shumë se 20 vjet. Më pas u regjistrova në Ashram, shkollë për meditim dhe yoga, një shkollë tradicionale e ngjashme me një resort jo për relaksim, por për studim. Në këtë fazë të jetës kisha vendosur të bëhesha një mentor dhe nuk kishte kthim mbrapa. Shumë vendime në jetën time ndryshuan, por jo ky. Sot në shkollat e Indisë mësohet si të jesh mentor dhe lider i mirë. Ndërkohë dhe ne në kompaninë tonë kemi ngritur një sistem lumturie, të pështatshëm për çdo familje, shkollë, universitet, kompani, por duhet kohë dhe përpjekje.

Lexoni: Disa mënyra për të qenë më të lumtur në punë, sipas ekspertëve të karrierës

Çfarë mund të na tregosh për eksperiencat në vendet e tjera? Kur u larguat për herë të parë nga India për të nisur mentorimin tuaj?

Thjesht ndodhi. Në moshën 17 vjeçare unë fitoj një bursë për të studiuar në Amerikë, një bursë për të udhëtuar drejt Amerikës e për të përfunduar vitin e fundit të gjimnazit atje. Më duhej të paguaja vetëm biletën. Kostot e studimit e jetesës i mbulonte universiteti. Familja ime në atë kohë nuk kishte mjaftueshëm para, kështu që m’u desh të punoja për të siguruar biletën time të kthimit në shtëpi.

Kur isha doja të eksploroja të gjithë Amerikën, por nuk kisha para. Çfarë mund të bëja? Zgjodha të flas. Po për çfarë?! Çfarë duan ata të dëgjojnë?! Në këtë moment fillova të bëj një studim tregu dhe çuditërisht ata donin të dëgjonin për Indinë dhe filozofinë e vendit tim. Kështu nisën dhe seminaret e mia. Mora disa libra dhe fillova të studioj për këto tema, sepse kur isha në Indi mësonim shumë për Amerikën, por kjo nuk vlente në këtë rast. Mësova shumë dhe fillova të ligjëroj nëpër grupe të vogla. Ata më pëlqenin dhe filluan të paguanin për udhëtimet e mia nëpër Amerikë. U kujdesën për qëndrimin tim.

Kështu ndodhi trajnimi im i parë. Më pas u ktheva. Duhej të përfundoja studimet e mia në Indi. Unë u ktheva me shumë energji dhe ide të reja për marketingun. Pata sukses me trajnimet e mia, por njerëzit e kishin të vështirë të ndiqnin një 17 vjeçar që fliste për suksesin, kështu që menaxheri im përdori një strategji tjetër. Njoftimet e trajnimeve nuk kishin as foton e as moshën time. Kur njerëzit vinin mbeteshin të suprizuar: “Si mund të na mësosh ti sesi arrihen qëllimet?”.  “Epo qëllimi im ishte t’ju sillja këtu dhe e bëra! Qëllimi im i dytë është ta çoj në fund këtë trajnim, nëse më lejoni”. Dhe ata më lejonin. Gjithçka shkonte mirë, edhe pse njerëzit vazhdimisht më thonin se duhet të jesh pak i vjetër për të mësuar të tjerët, ndaj merru me diçka tjetër ndërkohë. Kështu iu futa rrugës së marketingut. Nisa të punoj në botën e koorporatave, ngrita biznesin tim, punoja në agjenci reklamimi, etj. Fitova shumë eksperiencë.

Tani ju shohim që shumicën e kohës merreni me trajnime për lider të kompanive të njohura, apo menaxherë dhe stafin e tyre. 

Sot unë kam akademinë time. Kam një staf me 32 trajnerë, që mësojnë audienca të përmasave të ndryshme. Kjo ide më lindi kur shkova për herë të parë në Hong Kong dhe isha duke prerë flokët. Ndodhesha në një hotel me 5 yje dhe berberi më tha se ata ofronin 6 çmime të ndryshme për të njëjtën prerje. I çuditur e pyes “përse kështu?” dhe ai më përgjigjet “Varet nga aftësia e berberit. Nëse zgjedh një berber me më shumë eksperiencë edhe prerja do të jetë më cilësore”. Mbeta i mahnitur dhe për këtë krijova një akademi trajnimi me të njëjtin sistem.

Lexoni: A mund të blihet lumturia me para?

Kam trajnerë që merren me çdo nivel menaxhimi, unë merrem më shumë me lider sepse e di që impakti më i madh vjen kur punojmë me liderët. Nëse bëjmë një ndryshim në nivelin e lidershipit ata do të transformojnë shumë jetë njerëzish. Unë gjithashtu punoj me mësues, por adhuroj grupin e të rinjve. Ata janë e ardhmja. Çfarë i bën ata të lumtur bën dhe njerëzit rrotull të lumtur.

Në çfarë moshe duhet të fillojnë këto trajnime?

Ne trajnojmë dhe fëmijë 4-vjeçar. Një ndarje në akademinë tonë, e quajtur Bubbles International, i dedikohet fëmijëve nga mosha 4 -14 vjeç. Motra ime është pjesë e kësaj akademie, bashkëshortja ime gjithashtu merret me fëmijët. Ndonjëherë madje bëj shaka dhe them: “Gruaja ime ka 300 fëmijë”. Në Mumbai ajo mëson fjalim dhe dramë.

Shumë interesante e gjithë kjo ndarje. Ju njiheni në Shqipëri si një mentor i suksesshëm që mbështet Agna Leadership Academy që nga fillimet e saj dhe për punën tuaj me z. Naçi si guruja i tij. Mund të na tregoni pak historinë, si nisi gjithçka dhe si ratë në kontakt me Shqipërinë?

Zoti Naçi erdhi në Indi. Ai ishte pjesë e një kursi për zhvillimin e personalitetit në Mumbai, një program 6 ditor. Unë zhvilloja një nga ditët e kursit kur ndodhesha atje. Babai im këmbënguli që ta zhvilloja unë trajnimin, sepse një zotëri shumë interesant ishte bërë pjesë e tij. U takuam dhe Vasili ishte shumë entuziast për gjithçka ne bënim dhe aty më ftoi të vij në Shqipëri. Unë i çuditur pyes: “Ku është Shqipëria?”. Ai më thotë “E njeh Nënë Terezën?” Aty kuptova gjithçka. Nënë Tereza ka lindur në Shqipëri, pse jo edhe unë duhet të shkoj atje. Kuptova se Shqipëria është porta për në Europë. Unë kam shëtitur në të gjithë botën, por kurrë në Europë. Më pas erdha këtu dhe i dhashë z. Naçi idenë për të hapur Akademinë e Lidershipit. I thashë Vasilit se nëse do të jesh i suksesshëm, ndryshimi fillon nga ty. Ti duhet të jesh i hapur për të mësuar dhe duhet të drejtosh ndryshimin. Ndonjëherë, kur fëmijët nuk kanë dëshirë të shkojnë në shkollë prindërit këmbëngulin që ata të shkojnë patjetër. Nuk mund të jesh shumë demokratik në këtë proces, sepse duhet të drejtosh ndryshimin dhe ndryshimi mund të jetë jo shumë i pëlqyer nga disa njerëz.

Ne ndoqëm trajnimin e tij, “Rruga drejt suksesit”. Si ndiheni për këtë trajnim?

Ishte FANTASTIKE! Unë besoj që çdo prind është mësues për fëmijët e tij, çdo menaxher është një mësues dhe mësimdhënia nuk kërkon detyrimisht të jesh një ekspert i fushës. Mësimdhënia kërkon që ti të jesh ekspert i komunikimit lidhur me temën, në mënyrë që njerëzit të duan të mësojnë për të. Është një aftësi e veçantë.

Lexoni: Çelësi i lumturisë dhe suksesit sipas Richard Branson

Keni patur eksperienca të tjera të ngjashme me rastin e z.Vasili në Shqipëri? Keni drejtuar trajnime me kompani të tjera në Shqipëri?

Një nga kompanitë e Vasilit ka krijuar një program të organizuar, ku ishin të pranishëm shumë pronar biznesesh që e ndoqën trajnimin. Nga Spitali Amerikan, Raiffeisen Bank, Eagle Mobile, Euromax, Vodafone dhe të tjerë që nuk më kujtohen.

Nga këto trajnime që keni zhvilluar, a ka Shqipëria lider të mirë? Si i gjeni ata?

Unë punoj me kultura të ndryshme dhe ka disa ngjashmëri por dhe ndryshime të mëdha, në kultura, lider dhe investitorë të ndryshëm. Për shembull jam familjarizuar shumë me mentalitetin e Ballkanit dhe shoh ndryshime midis shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri dhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë. Apo midis Malit të Zi dhe Serbisë.

Ju punoni dhe ndihmoni të tjerët të arrijnë 360 gradë lumturi. Po ju?

Unë jam i lumtur!

Ekzistojnë dy ndarje: Bota e Brendshme dhe Bota e Jashtme; dhe 3 hapësira në jetën tënde i përkasin botës së brendshme: psikologjike, fiziologjike dhe shpirtërore. Mendja dhe trupi janë pjesë e botës së brendshme. Marrëdhëniet tuaja sociale, profesionale dhe financiare janë pjesë e botës së jashtme. Për të dyja këto botë nuk ka limite, dëshirat janë të pafundme. Ne gjithmonë mund të arrijmë nivelin tjetër të suksesit. Sot, nëse ke shumë para në bankë, në një mënyrë tjetër mund të kesh edhe më shumë. Sot, nëse ke shëndet mund të jesh edhe më mirë. Janë disa sfera të jetës ku ti mund të jesh edhe më mirë. E mira nuk ka fund. Koncepti është, “Mos lufto kundër dëshirës për të patur më shumë”. Disa njerëz thonë, “Kënaqu me aq sa ke”. Të tjerë thonë “Guxo, shfrytëzoi të gjitha mundësitë”. Ne themi: “Përdor strategjinë e lumturisë për të arritur nivelin tjetër të suksesit”. Por, dëshira për të patur shumë, nuk duhet të jetë shkaktar i lumturisë apo dëshpërimit tënd.

Lexoni: Në shkollat e Indisë, nxënësit mësojnë si të jenë të lumtur

Lumturia është magneti i suksesit!

Kompani të mëdha botërore, si Google bëjnë kurse lumturie për punonjësit e tyre. Kursi quhet “Search inside yourself” (Kërko Brenda Vetes), dhe nëse e bën këtë performanca jote në punë do të jetë më e lartë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 10 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0