CEO-ja i kompanisë që prodhon armët paralizuese (Tasers) ishte drejtuesi më i paguar i vitit 2024, me një shpërblim prej 165 milionë dollarësh duke tejkaluar ndjeshëm emra të mëdhenj si Tim Cook i Apple, Mark Zuckerberg i Meta apo Elon Musk i Tesla.
Rick Smith, bashkëthemelues dhe CEO i Axon Enterprises, kompania që furnizon forcat policore në SHBA me pajisje si Tasers dhe kamera trupore, ishte i vetmi drejtues në analizën vjetore të The Wall Street Journal që kaloi shifrën prej 100 milionë dollarësh në kompensim total. Pas tij renditet Larry Culp i General Electric me 89 milionë dollarë, ndjekur nga Steve Schwarzman i Blackstone me 84 milionë dollarë dhe Tim Cook i Apple me 75 milionë dollarë. Sipas të dhënave të publikuara nga WSJ, paketa që përfitoi Smith vjen si pjesë e një programi të ri, të vlefshëm për të gjithë punonjësit e Axon, që u jep mundësinë të konvertojnë një pjesë ose të gjithë pagën e tyre për 7 vite në aksione të kufizuara të kompanisë.
“Një nga gjërat që më pëlqen më shumë në këtë strukturë është fakti që mund të mos marr fare asgjë, më bën të ndihem më rehat kur përfitoj shumë, nëse ekziston mundësia që të përfitoj edhe zero,” tha Smith për Journal. “Kjo më rikthen ndjesinë e një startup-i.” Kompensimi i Smith për vitin 2024 përbën një rritje të jashtëzakonshme në krahasim me vetëm 40,000 dollarë që ai kishte përfituar vitin e mëparshëm. Aksionet e Axon janë rritur me mbi 170% në 12 muajt e fundit, duke u tregtuar me 758 dollarë pas mbylljes së tregjeve ditën e hënë. Sipas të dhënave të MyLogIQ, gjysma e CEO-ve të analizuar përfituan të paktën 17.1 milionë dollarë në vitin e kaluar – nga 15.8 milionë që ishte një vit më parë. Në vendin e 8 dhe 10 u renditën bashkë-CEO-të e Netflix, Theodore Sarandos dhe Greg Peters, me përkatësisht 62 dhe 60 milionë dollarë.
Ndër drejtuesit e tjerë me kompensim të lartë ishin: CEO i Salesforce, Marc Benioff (55 milionë $), drejtuesi i Nvidia, Jensen Huang (50 milionë $), CEO i Uber, Dara Khosrowshahi (39 milionë $), kreu i JPMorgan, Jamie Dimon (38 milionë $), si dhe Mark Zuckerberg i Meta, me 27 milionë dollarë. Ndërkohë, Elon Musk i Tesla, njeriu më i pasur në botë, u rendit në fund të listës me $0, për shkak se paketa e tij e fundit e pagesës është ende e bllokuar nga një proces gjyqësor. Shumica e kompensimeve të larta për CEO-të e listuar në S&P 500 vijnë në formën e aksioneve dhe jo të pagës vjetore. Rick Smith, i cili drejton kompaninë që prej vitit 1993, kishte përfituar edhe më parë një shumë të madhe në vitin 2019, me 246 milionë dollarë. Sipas Forbes, pasuria e tij neto vlerësohet në 2.4 miliardë dollarë. Disa drejtues të kompanive jashtë indeksit S&P 500 gjithashtu kaluan pragun prej 100 milionë dollarësh, përfshirë Peter Gassner të Veeva Systems me 172 milionë dhe Tobias Lütke të Shopify me 150 milionë. Megjithatë, viti i kaluar shënoi numrin më të ulët të CEO-ve me shpërblim në shifra nëntë (qindra milionë) që nga viti 2016, sipas analizës së The Wall Street Journal.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.