Kujtesë apo shënime?! Ja si organizohen 8 drejtues kompanish e organizatash në Shqipëri
Përditësuar së fundmi: 31/12/2018

Kujtesë apo shënime?! Ja si organizohen 8 drejtues kompanish e organizatash në Shqipëri

Share
nga Neada Muçaj
Dhj 31, 2018

Mendime pafund. Fjalë të panumërta. Si mund t’i kapim të gjitha, t’i studiojmë, rendisim e të marrim më të mirën prej tyre? Në epokën dixhitale, atë që unë dhe ti po përjetojmë çdo ditë, janë informacionet e shumta e mënyra më e thjeshtë për t’i siguruar ato është interneti.

Ne preferojmë stilolaps e letër. Fleta të shkëputura apo blloqe të organizuara mirë, pak rëndësi ka. Nëse ti shkruan, ti kujton, përthith, përvetëson.

Kjo është forma më efektive që sugjerojnë studime të shumta, njerëz të suksesshëm, por edhe vetë forca e zakonit.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 26 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Axhenda? Në letër. Idetë? Në letër. Detyra të përcaktuara gjatë një mbledhje? Në letër. Seminare, konferenca, data, shifra, trajnime… duhet t’i shënoni të gjitha. Është një nga zakonet më të mira të sipërmarrësve dhe ata vetë pohojnë se garanton sukses.

Shënimet ju ndihmojnë të nxirrni çdo gjë nga koka, madje iu frymëzojnë të veproni për gjërat që keni shkruar.

Një pikë reference për të ndërtuar ide, për të përmirësuar menaxhimin e kohës dhe për të rritur fokusin e produktivitetin tuaj.

Kush zgjedh të merret me sipërmarrje duhet patjetër të mos humbë kohë të zgjedhë ngjyrën e bllokut apo llojin e aplikacionit që e ndihmon të mbajë shënime.

Ish deputetja Mimoza Hajdarmataj, drejtuese e qendrës “Gratë në Shërbim Publik” është inxhiniere në profesion. Megjithatë, përveç shfrytëzimit të teknologjisë vazhdon edhe me metodën klasike të shënimeve në bllokun e saj “To do List”.

Arbër Çepani, themelues dhe drejtues i Komiteti Kafe Muze thotë se, “Sado i freskët dhe memorje të kesh, sa më shumë rritet intesiteti i punës dhe i sipërmarrjes aq më të domosdoshme e ke të mbash shënime. Unë mbi të gjitha nuk mund të mbijetoj pa aplikacionin “To do list”, “Nëse nuk shënoj çdo detaj që kam për të bërë në mënyrë të përditshme, është e barazvleshme me mosbërjen e asaj pune”.

Ai pëlqen të mbajë me vete një bllok prej letre, frymëzuar paksa nga Richard Branson, ku hedh ide të ndryshme apo nocione prej kolegëve të tjerë. “Koncentrat energjie dhe adrenalinë për të krijuar gjëra të bukura.” Kështu i përkufizon Çepani.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 26 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

“Një sipërmarrës i suksesshëm nuk mund të bazohet në kujtesën e tij.” Kështu shprehet për BusinessMag, Edona Bilali e cila mban pothuajse çdo gjë shënim. Memorie e keqe? Aspak. Preferon këtë metodë prej 5 vitesh, si një formë për të mundur presionin e kohës dhe për të zhvilluar disa aktivite njëkohësisht.

Kryesisht ajo përdor Google Sheets. Por, Edona mban tre axhenda të ndara, për tre angazhime të ndryshme që zhvillon njëherësh: sipërmarrëse, profesore në Universitet dhe konsulente.

Shënimet janë një pjesë thelbësore e suksesit në biznes dhe në jetë.

Ato mund t’ju ndihmojnë të përmirësoni mënyrën se si dëgjoni, mësoni, vizualizoni dhe krijoni.

Edhe Dritan Mezini mban shënime. “Më ndihmon të strukturoj dhe menaxhoj kohën, prioritetet e aktiviteteve të punës dhe më ndihmon të riprodhoj më mirë përmbajtjen e takimeve të kryera. Personalisht, e rekomandoj si një mënyrë të mirë të rritjes së efikasitetit dhe përformancës në punë”.

Atij nuk i mërziten kurrë shënimet. Më mirë të bjerë në përsëritje, sesa të harrojë atë që sapo ka dëgjuar.

“Unë mbaj shënime gjithmonë…. Edhe nëse lexoj të njëjtin libër 2 apo 3 herë… Edhe nëse shkoj 2 ose 3 herë në të njëjtin trajnim,” thotë për BusinessMag, Eglent Bici themelues dhe CEO në Mei Reality .

Kejda Musa, menaxhere e marketingut në “Musai Olive Oil”, thotë se shënimet i mban në bllok letre. Me raste ajo përdor telefonin për të shënuar detyrat e ditës dhe të javës.

Duke pasur një telefon të përshtatshëm për biznes, mundësia e “note” është e avancuar.

Datat nuk duhet të mungojnë në shënime sipas saj, ndërsa renditja vendoset sipas prioriteteve.

Pezana Rexha mban shënime dhe mund të ketë rreth 10 blloqe. Të gjitha njëkohësisht. Dhe e pranon që shpesh humb ndër to.

“Përmes tyre kujtoj dhe episodet dhe historikun e veprimtarisë. Ndryshe nuk mbaj mend asgjë”. Ajo përdor gjithashtu edhe aplikacionin EverNote.

Denis Gafuri mban shumë shënime, detyra ditore në google kalendar dhe në aplikacionin TRELLO, i cili i shërben të organizojë dhe të mbajë në evidencë komunikimet me klientët. “Përpara kam mbajtur shënime në fletore – agjendë.

Shënime kam marrë dhe marr vazhdimisht edhe kur jam në seminare dhe konferenca”, thotë ai. Fjalët harrohen e ato që shkruhen mbesin si dëshmi e asaj që është biseduar, çka kemi marrë vesh apo punëve, të cilat duhen kryer.

Aktualisht ai përdor për shënime telefonin Samsung Note 8, i cili i kryen jashtëzakonisht punë.

 

/Artikulli u publikua më parë në faqen 26 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.


Evente

Panairi i Sipërmarrjeve me Impakt Social

Janar 22, 2019
ora 10:00 – 15:00