Më poshtë është intervista ekskluzive për Business Magazine Albania me grupin e tretë fitues të Startup Weekend Tirana.
BM: Përshëndetje! Urime edhe njëherë për vendin e tretë në Startup Weekend Tirana. Fillimisht le të bëjmë një prezantim të anëtarëve të ekipit tuaj.
Anëtarët:
1. Aldi Sefa / 19 vjeç / Administrim-Biznes / Viti 1
2. Eni Tice / 17 vjeç / Shkolla e mesme “Ismail Qemali”
3. Altea Gjini / 19 vjeç / Informatikë Ekonomike / Viti 2
4. Herda Akshija / 20 vjeç / Informatikë Ekonomike / Viti 2
5. Arsel Aga / 19 vjeç / Inxhinieri Mekatronike / Viti 1
6. Liljana Subashi / 18 vjeç
Drejtuesi i ekipit: Aldi Sefa
BM: Mund të na flisni pak për idenë tuaj të biznesit/startup-in tuaj? Çfarë zgjidhje ofron dhe kujt i shërben?
Projekti ynë quhet merrteknik.al dhe me anë të tij ne kemi bërë një urë lidhëse midis klientëve dhe teknikëve, pra profesioneve të lira në Shqipëri. Më thjeshtë: Nëse të prishet diçka në shtëpi, një mjet elektronik si lavatriçja, frigoriferi apo ndonjë mjet tjetër, të cilat ndodhin shpesh në jetën tonë të përditshme mund të përdorësh aplikacionin tonë.
Duhet të logohesh në këtë aplikacion, më pas do të të shfaqet një listë e të gjithë profesioneve dhe zgjedh atë që të nevojitet me anë të opsionit “Order Now”.
Teknikut do t’i shkojë një mesazh në mënyrë automatike dhe shumë shpejt do të ndodhet në shtëpinë tuaj.
Gjithashtu do të jetë një seksion ku mund të lesh komente dhe të japësh feedback.
Ideja jonë për momentin është vetëm një prototip por është mjaft inovative. Është shumë e thjeshtë dhe mund t’a konsiderojmë se është njësoj sikur porosit 1 picë. Pra porosit teknikun dhe ai do të vijë në shtëpinë tënde.
Me këtë aplikacion ne synojmë që të ofrojmë më shumë vende pune për të gjithë këta profesionistë që e kanë të vështirë të gjejnë punë.
BM: Ju ishit një grup i madh që në fillim apo u bashkuat në Startup Weekend?
Ne në fakt ishim 2 grupe me të njëjtën ide dhe vendosëm të bashkëpunonim për të arritur qëllimin tonë. Qëlluam njerëzit e duhur në momentin e duhur.
BM: Kjo ide është vetëm për në Shqipëri apo doni t’a përhapni edhe globalisht?
Fillimisht në Shqipëri sepse tregu ka shumë nevojë për këtë aplikacion. Më vonë, nëse shohim një feedback të mirë, patjetër që do të përhapemi.
BM: Çfarë përshtypjesh iu la ky event? Sa i dobishëm është një event i tillë për sipërmarrësit e rinj shqiptarë?
Është një mbështetje shumë e madhe për ne, për t’u njohur me persona të tjerë, që kanë të njëjtat qëllime dhe ide. Ishte një sprovë për të gjithë ne, dalja para jurisë, pitching të gjitha ishin gjëra të reja të paprovuara më parë.
BM: A ju duhet ndihmë e mëtejshme për t’a hedhur këtë ide që ju keni në treg?
Përveç çmimit që kemi marr është dhe një investitor, i cili është treguar i gatshëm të bashkëpunojë me ne për t’a rritur sa më shumë këtë aplikacion.
BM: Ku e shihni biznesin tuaj pas një viti? Cili është vizioni juaj?
Së pari e shikojmë platformën online të ndërtuar me të gjithë elementët e saj. Më pas do të merremi edhe me strategjinë e marketingut për t’a bërë sa më shumë të njohur.
BM: Faleminderit për intervistën. Ju urojmë sa më shumë suksese!