Daniel Nikolla është shpallur “Fytyra e së Ardhmes e Shitjeve, Marketingut dhe Komunikimit 2020” në qytetin e Birminghamit, Mbretëri e Bashkuar. Danieli u shpall më i miri i kësaj kategorie përballë 4 finalistëve të tjerë.
Çmimet vjetore, të cilat organizohen nga Dhoma e Tregtisë së Birmingham-it përzgjedhin çdo vit profesionistët e rinj të vitit, bazuar në arritjet e tyre personale dhe profesionale.
Ndër të tjera, juria e vlerësoi Danielin për prezantimin e një strategjie të re të marketingut bazuar në transformimin digjital dhe krijimin e përmbajtjes online. “Danieli ka pasur një ndikim shumë të madh në rritjen e shitjeve për kompaninë”, thanë ata. Ai gjithashtu u vlerësua për kontributin në komunitet dhe mbështetjen e kauzave filantropike.
Danieli është vetëm 27 vjeç dhe drejton departamentin e marketingut në kompaninë britanike, Hardy Signs. Ai ka përfunduar studimet në Marketing dhe Film në Londër dhe ka qenë President i unionit të studentëve të City and Islington College, ku edhe është përzgjedhur si ‘International Student Officer of the Year’ nga kolegjet e Anglisë në 2016.
Publiku shqiptar e ka njohur Danielin, si i riu që realizoi videon në bashkëpunim me UEFA-n për tifozët kuqezi në kampionatin “Euro 2016”.