Hapet TUMO Tirana, qendra më e madhe në fushën e teknologjisë së inovacionit, artit dhe kulturës - Business Magazine Albania

Hapet TUMO Tirana, qendra më e madhe në fushën e teknologjisë së inovacionit, artit dhe kulturës

Tirana nis një erë të re në epokën digjitale pas Parisit, Berlinit dhe Yerevanit. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) çelën sot në mjediset e stadiumit “Arena Kombëtare”, TUMO Tirana, qendrën më të madhe të teknologjisë që synon të aftësojë të rinjtë me njohuritë e shek. të 21 duke ofruar kurrikula në fushën e inovacionit dhe artit. Në fjalën përshëndetëse ku ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se kjo nismë synon t’u japë fëmijëve dhe atyre që guxojnë, një mundësi për t’i treguar sot botës mbarë se çfarë talenti kanë.

“Secili prej nesh edhe këtu ka ardhur vetë si i “çmendur”. Edi Rama ishte një i “çmendur”, kur thoshte që ne do të bëjmë Lanën dhe Parkun Rinia. Fondi Shqiptaro-Amerikan ishte i “çmendur” kur mendoi që do bënin, Pazarin e Tiranë, Korçës apo Krujës. Ne në Bashki na thonë të “çmendur” shpesh për çdo iniciative, duke filluar nga gjëra modeste si një kënd lodrash, apo të tjera që ngjallin më shumë reaksion. Por mesa duket janë të “çmendurit” ata që i ndryshojnë gjërat. Unë besoj që sot fillojmë një shtëpi të “çmendurish”, të atyre që kanë ide, të atyre që refuzojnë të ndalojnë me talentin e tyre dhe kreativitetin e tyre. Unë besoj që e ardhmja është e të “çmendurve””, u shpreh Veliaj.

Nga nesër TUMO do të fillojë dhe rekrutimin e 1 mijë fëmijëve të parë të moshës 12-18 vjeç. “Kështu që ne do të fillojmë nesër të rekrutojmë, kemi një planifikim, një kapacitet të parë për 1000 të “çmendurit” të moshave 12, deri në 18-vjeç që kanë ide, për muzikë, për dizajnin, për megatronik, për robotikë, për kodim, edhe ne si bashki do të sponsorizojmë me një shumë prej 500 mijë dollarësh si kontribut, për t’u siguruar që edhe ata që vijnë nga familje me të ardhura modeste, nga komuniteti rom dhe egjiptian, fëmijë të familjeve që janë prekur nga tërmeti dhe që janë në situatë të vështirë. Teksa qeveria po punon për të bërë shtëpitë, ne të kemi mundësi që në këtë shtëpi të të “çmendurve”, ne t’u japim një shans këtyre fëmijëve të mrekullueshëm. Edhe mezi pres që edhe kjo shtëpi të jetë një shtëpi suksesi”, nënvizoi Veliaj.

TUMO Tirana është një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç të cilët do të kenë mundësinë të zbulojnë pasionin e tyre në 8 disiplina të ndryshme si Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling. Ndërsa përgatitet projekti i transformimit më të rëndësishëm në kryeqytet, Piramida e Tiranës, e cila do të jetë dhe shtëpia e përhershme e TUMO Tirana, përkohësisht TUMO Tirana do të operojë në Qendrën Arena.

Në TUMO Tirana, fëmijët do të zhvillojnë planin e tyre mësimor të personalizuar nëpërmjet një platforme virtuale të quajtur TUMO Path, e cila është krijuar për t’ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme. Kurrikula mundëson krijimin e planeve të personalizuara të të mësuarit në mënyrë të pavarur, nën supervizim të ekspertëve dhe mentorëve. Plani mësimor ofron zhvillimin e workshop-eve dhe laboratorëve ku nxënësit thellojnë dijet dhe aftësitë e tyre në një temë zgjedhur prej tyre, punojnë në grup dhe krijojnë portofolot e tyre në formën e projekteve në modelim 3D, programim kompjuterik, robotikë, muzikë, etj.

Njohuritë që fëmijët fitojnë nëpërmjet kurseve dhe kurrikulave i ndihmojnë në zhvillimin e krijimtarisë dhe të menduarit analitik. Gjatë workshop çdo nxënës ka një tutor roli i të cilit është të ndjekë pjesëmarrjen e fëmijës, ta inkurajojë në rritje të performancës dhe ta orientojë gjatë procesit të eksplorimit të informacionit dhe krijimtarisë së fëmijës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0