Gerti Boshnjaku: tani kërkohen lehtësi financiare, nesër investime në teknologji - Business Magazine Albania

Gerti Boshnjaku: tani kërkohen lehtësi financiare, nesër investime në teknologji


 

Gerti Boshnjaku, Sipërmarrës, themelues i New Media Communications, mbështetës i komunitetit të startup-eve

Me përhapjen e kësaj situate, vlerësoj masat e marra nga qeveria për sigurinë e shëndetin e qytetarëve. Kemi qenë mbështetës për mbylljen dhe ndalimin e punës në zyrat tona për të siguruar kalimin me sa më pak pasoja të krizës duke bërë çfarë është e mundur për të ndalur përhapjen e virusit.

Si kompani teknologjike, ne tek New Media jemi të ndikuar pasi puna jonë me kompanitë shqiptare është pezulluar, ndërkohë që dhe puna që realizojmë për klientë në Itali është minimizuar. Kjo për arsye se Italia është duke përjetuar një krizë akoma më të madhe si vendi më i prekur pas Kinës.

Ne jemi të përgatitur për të punuar nga shtëpia dhe po bëjmë çfarë është e mundur të sigurojmë vazhdimësinë e punës dhe projekteve. Megjithatë nëse situata do të zgjasë për disa javë apo muaj do të jetë shumë e vështirë të mbajmë kompanitë aktive në kapacitet 100% dhe do ta kemi të vështirë pagesën e taksave / tatimeve / sigurimeve etj.

Jemi para 2 sfidash, ndër të cilat njëra është përballja me situatën aktuale dhe tjetra për të qenë të përgatitur më mirë në emergjenca të ardhshme.

Më e rëndësishmja tani është sfida aktuale, përballja me situatën. Ne si kompani do të bëjmë të pamundurën për të mbajur stafet në marrëdhënie pune, por duke parë se në gjithë botën do të ketë ngrirje të transaksioneve kërkojmë që qeveria të na suportoje duke:

Pezulluar detyrimet që nga momenti i shpalljes së situatës emergjente me 8 Mars. Detyrimet janë Tatim-Fitimi (që këkohet parapagim), tatim burim, pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si edhe taksat / tatimet bashkiake e vendore.

Të mos aplikohen gjobat dhe kamatvonesat për këto detyrime dhe për detyrimet e Energjisë dhe UKT apo shërbimeve të tjera publike.

Ndërkohë për sfidën e dytë, parapërgatitja për t’u përballur me ngërçe të tilla shëndetësore dhe ekonomike sugjerojmë që të investohet fuqishëm në ngritjen e një infrastukture të shërbimeve digjitale.

Vume re se në një krizë të tillë ishin pikërisht shërbimet online që po mundësojnë vazhdimësinë e funksionimit të jetesës afër normales.

Edukimi po kthehet online, por duket se jemi shumë larg me aksesin në internet në zonat jashtë qendrave si Tirana, Durrës etj.

E-commerce po triumfon si zgjidhje kyçe për situatën pasi do të furnizojë individët me produktet / shërbimet jetesore. Pamë se me pak përpjekje kompanitë mund të adaptohen me këtë transformim për të ndërtuar një prezencë dixhitale, pasi do t’i përshtaten kërkesës së tregut dhe mjedisit aktual, por mungesa e madhe është realizimi i transaksioneve pa përdorimin e Cash-it. Përdorimi i parasë cash është përcjellës i virusit dhe një kosto e madhe për ekonominë dhe në vazhdimësi.

Këtu është një ngërç i madh që duhet zgjidhur pasi ekonomia e internetit ka nevojë që të largohet nga përdorimi i parasë fizike dhe të kalojë pa vonesë tek paraja dixhitale. Nuk jam jurist për të vlerësuar hapat konkrete, por e shoh si nevojë jetike për të ardhmen e afërt të ekonomisë këtë hap.

Gjithashtu, e rëndësishme është të jemi pjesë e një tregu global pune dhe shembuli i Estonisë është një shembull për t’u ndjekur në këtë drejtim.

Të jemi optimist dhe të kërkojmë përballimin e sfidës së të tashmes, por të shohim dhe tek zgjidhjet e nevojshme të pas-krizës me investime të fuqishme tek infrastruktura digjitale, tek nxitja e inovacionit tek të rinjtë dhe promovimi i sipërmarrjes. E ardhmja kërkon zgjidhje të reja nga njerëz të rinj dhe me mendesi të re!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0