FMN: Tregoni kostot e koncesioneve

FMN: Tregoni kostot e koncesioneve


Qeveria nuk është transparente në dhënien e koncesioneve duke mos bërë publike kostot dhe përfitimet për publikun. Ky është një nga konkluzionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Raportin për Transparencën Fiskale të publikuar së fundi. Nga vlerësimi i informacionit që qeveria publikon për financat e saj konstatohet se Shqipëria përmbush 24 nga 36 kërkesa të standardit të raportimit fiskal. Vetëm në 10 dimensione plotësohet standardi i praktikave të mira apo të avancuara. Standardi i praktikës bazë nuk është plotësuar në tri fusha: Nuk ka asnjë vlerësim të qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, nuk ka përshkrim të kostove fiskale të partneritetit publik-privat, si dhe vërehet raportimi i pamjaftueshëm i burimeve natyrore. Në disa zona të tjera, standardi i praktikës bazë është plotësuar, por ekspozimi i qeverisë ndaj rreziqeve është i lartë. Për shembull, buxheti tregon transfertat ndaj korporatave publike dhe llogaritë e secilës korporatë janë në dispozicion të publikut, por qeveria nuk publikon një raport mbi detyrimet apo performancën financiare të sektorit, edhe pse shpesh ka dhënë subvencione të mëdha ndaj kompanive.

Integriteti i statistikave

Statistikat fiskale të hartuara dhe shpërndara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) nuk i përmbushin plotësisht kërkesat ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian. Ekzistojnë shumë boshllëqe si në të dhënat e INSTAT dhe të Ministrisë së Financave, ku informacioni i prodhuar nuk përputhet me standardin e Eurostat. INSTAT është një agjenci profesionale dhe ka përgjegjësi për mbledhjen, përpilimin dhe shpërndarjen e statistikave, sipas Ligjit 9180 i vitit 2004. Megjithatë, INSTAT duket se nuk ka siguri të mjaftueshme ligjore dhe teknike, si dhe kapacitetin për t’u bërë vërtet i pavarur.

Besueshmëria

Besueshmëria e kornizës buxhetore afatmesme është minuar në vazhdimësi parashikimet optimiste të të ardhurave. Sipas FMN-së, gabimi në parashikimin e të ardhurave ka qenë ndër më të lartat në mes të vendeve të BE-së atyre dhe kandidate. Si rezultat, shpenzimet në rezultatin përfundimtar kanë qenë më të ulëta në mesatare sesa parashikimet e bëra. Ka pasur shpesh reduktime të rëndësishme në alokimet e shpenzimeve në buxhetin e miratuar gjatë vitit përmes buxheteve suplementare. Në dy vitet e fundit, kjo ka qenë për shkak të përdorimit të akteve normative. Në raste të tjera, ka qenë për shkak të mangësive në ekzekutimin e buxhetit gjatë vitit. Ulja e shpenzimeve krahasuar me buxhetin e paraqitur është më e madhe nga sa parashikon standardi ndërkombëtar, raporton FMN.

Rreziqet

Fondi Monetar evidenton një sërë kërcënimesh për qëndrueshmërinë financiare të Shqipërisë, ku më kryesori është ai që lidhet me faturën e kompensimit të pronave, pasi pretendimet për kompensimin e ish-pronarëve janë sa 70% e Prodhimit Brendshëm Kombëtar. Rreziqe të tjera janë niveli i lartë i kredive me probleme dhe koncesionet. Sipas FMN, fatura totale e koncesioneve tyre është sa 7% e PBB-së.

Koncesionet

Qeveria nuk raporton për detyrimet e saj në partneritetet publike-private. Ligji kërkon që Ministria e Financave të mbajë një regjistër të partneritetit publik-privat dhe të bëjë vlerësimin e ndikimit të tyre buxhetor para se kontratat të jenë nënshkruar, por qeveria nuk publikon listën. Deri tani, janë nënshkruar të paktën 55 kontrata partneriteti publik-privat, në 14 pra të cilave krijohen angazhime me një vlerë aktuale prej rreth 7 për qind të PBB-së. Kështu, kompania shtetërore KESH ka hyrë në kontrata me prodhuesit e energjisë të hidrocentraleve me koncesion (pagesat me vlerë 4 për qind e GDP). “Airport Tirana” është duke operuar nën një koncesion 30-vjeçar që filloi në vitin 2005, në të cilin përfitimet e koncesionarit mbulohen me një garanci 9 milionë euro dhe një monopol mbi fluturimet ndërkombëtare. Ka edhe kontrata për shërbim skanimi (2 për qind të PBB-së), shërbimin kombëtar shëndetësor (kontrolli) (1 për qind e PBB-së), si dhe projekt-menaxhimi i mbeturinave në Elbasan. Shumë projekte të reja janë duke u ndërmarrë ose planifikuar, duke përfshirë mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë dhe Rruga e Arbrit (kjo e fundit ka një kosto të llogaritur prej 2 për qind të GDP-së). FMN raporton se Shqipëria është e pasur në burime natyrore, por të ardhurat nga kompanitë minerare janë të vogla. Rezervat e provuara të naftës janë të mëdha (Shqipëria renditet në vendin e 63-të në botë), gjithashtu ka gaz dhe minerale, sidomos krom. Koncesionet për shfrytëzimin e resurseve minerale janë dhënë nga Agjencia e Burimeve Natyrore. Në vitin 2014, taksat e mbledhura kryesisht nga nafta, kanë qenë 6.5 miliardë lekë, ose vetëm 2 për qind e të ardhurave në total. Qeveria gjithashtu është duke financuar disa investime publike me anë të partneritetit publik-privat, në të cilat ose do të paguajë koston e investimit në këste ose do të garantojë të ardhurat e koncesionarëve nga mbledhja e tarifave nga përdoruesit e rrugës. Standardet moderne të kontabilitetit do të kërkonin që qeveria t’i regjistronte këto investime si borxh. Qeveria nuk e bën këtë.

Misioni

Në përgjigje të një kërkese nga ana e qeverisë së Shqipërisë, një mision nga Departamenti i Çështjeve Fiskale i FMN vizitoi Tiranën nga 4 deri 16 qershor 2015, për të kryer një vlerësim të transparencës fiskale. Misioni përbëhej nga Tim Irwin, Suzanne Flynn, Tom Josephs i Departamentit për Çështje Fiskale, Linda Spahia nga zyra e përfaqësuesit të FMN-së në Tiranë, si dhe Rod O’Mahony, një ekspert në statistikat e financave qeveritare.

Rekomandimet

Të krijohet një këshill i pavarur fiskal për rezultatet e qeverisë

Mbi bazën e analizës së raportit, FMN rekomandon që qeveria: -Të përfshijë në raportet fiskale, si pjesë e tabelave, të dhënat mbi treguesit e borxhit dhe deficitit, si dhe gjendjen e parasë dhe flukset e mjeteve monetare.

-Të thjeshtojë raportet fiskale, duke prodhuar një paketë të vetme të raporteve mujore, tremujore, vjetore, ku të përfshihet informacioni që aktualisht raportohet ndarazi nga departamentet e thesarit, borxhit, buxhetit dhe makroekonomik.

-Të publikohet një raport vjetor mbi shpenzimet e taksave që vlerëson shmangiet nga parashikimet e të ardhurave.

-Të krijohet një këshill i pavarur fiskal që të vlerësojë rezultatet e qeverisë

-Të përmirësohet transparenca e projekteve të investimeve publike, duke përfshirë edhe partneritetet publik-privat.

-Kërkohet rritje progresive e fushëveprimit dhe thellësisë së raportit për rreziqet fiskale në buxhetin e shtetit, në mënyrë që të përshkruhen edhe implikimet fiskale të partneritetit publik-privat, financat e korporatave publike, si dhe rreziqet afatgjata të krijuara nga skema e pensioneve, kujdesi shëndetësor dhe programe të tjera të shpenzimeve.

-Të merren masat për të siguruar mbikëqyrje të plotë të të gjitha hapësirave të korporatave publike

Administrimi

Pse nuk raporton qeveria për kompanitë shtetërore?

Nuk ka asnjë raport mbi financat e sektorit publik. Pronësia e 255 korporatave publike është shpërndarë ndërmjet ministrive të ndryshme dhe pushtetit vendor. Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për administrimin e pronës publike, por kjo nuk përgatit pasqyrat financiare të konsoliduara për portofolin e kompanive ose raporte fiskale. Korporatat publike mund të krijojnë rreziqe të mëdha fiskale, raporton FMN. Sektori më i madh, energjia, kishte detyrime totale prej rreth 20 për qind të PBB-së, në fund të vitit 2013 (Disa nga këto detyrime, borxh për korporatat e tjera publike). Administrimi dhe performanca financiare e kompanive është e dobët. Energjia elektrike është sektori në telashe të mëdha pas privatizimit të dështuar dhe rifitimin e mëvonshëm nga shteti tëkompanisë së shpërndarjes OSHEE. Sektori pritet të ketë nevojë për mbështetjen e buxhetit deri në vitin 2019. Ujësjellësit, të cilët janë në pronësi të bashkive, mbulojnë vetëm 85 për qind të kostove të tyre, prandaj mbështeten shpesh në transfertat e buxhetit, kryesisht për të mbuluar faturat e energjisë elektrike.

Borxhi – Për uljen e borxhit në 65.5% të PBB-së, objektiv i vendosur në buxhetin 2014, nuk ka asnjë raportim të rregullt

Gabimet – Buxhetet e qeverisë kanë mbivlerësuar të ardhurat mesatare me rreth 2 për qind të PBB-së duke ndikuar tek investimet

Planifikimi – “Problemi i parashikimeve jorealiste të të ardhurave minon buxhetin. duhet një sistem transparent i planifikimit”

Pensionet – Qeveria premton pensione të larta, por kostoja ekonomike nuk tregohet në deficitin e raportuar

/Gazeta Shqip/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0