FBI dhe kompani të mëdha të sigurisë kibernetike kanë dhënë alarmin për një seri sulmesh të reja nga grupi famëkeq i hakerëve të njohur si Scattered Spider, i cili tashmë ka shënjestruar drejtpërdrejt sektorin ajror dhe të transportit. Në një deklaratë të shkurtër të premten, e ndarë me TechCrunch, FBI bëri të ditur se ka “vërejtur së fundmi” sulme kibernetike me karakteristika të ngjashme me ato të Scattered Spider, që përfshijnë sektorin ajror.Drejtues nga Mandiant, njësia e sigurisë kibernetike e Google, si dhe nga Unit 42, divizioni i kërkimeve të sigurisë në Palo Alto Networks, konfirmuan gjithashtu se kanë identifikuar sulme që lidhen me këtë grup hakerësh, të drejtuara ndaj industrisë së aviacionit.
Scattered Spider është një grup hakerësh, kryesisht adoleshentë dhe të rinj anglishtfolës, të motivuar financiarisht për të vjedhur dhe shantazhuar me të dhëna të ndjeshme të kompanive. Ata janë të njohur për taktikat e tyre mashtruese, të bazuara shpesh në social engineering, phishing, si dhe në disa raste kërcënime me dhunë ndaj stafeve të shërbimit ndaj klientit, për të fituar akses në rrjetet kompjuterike, e më pas për të instaluar ransomware.
Lexo edhe: Në 20-vjetorin e tij, Reddit mbron të dhënat dhe përballet me AI-në përmes AI-së
Sipas FBI-së, këta hakerë nuk shënjestrojnë vetëm korporatat e mëdha, por edhe ofruesit e shërbimeve të teknologjisë së informacionit, çka nënkupton se “çdo aktor brenda ekosistemit të linjave ajrore, përfshirë furnitorët dhe kontraktorët e besuar mund të jetë në rrezik.”
Paralajmërimi vjen në një kohë kur të paktën dy kompani ajrore kanë raportuar ndërhyrje të paautorizuara këtë muaj.
Hawaiian Airlines deklaroi të enjten mbrëma se po punon për të siguruar sistemet e saj pas një sulmi kibernetik. Ndërkohë, WestJet, kompania e dytë më e madhe ajrore në Kanada, njoftoi për një tjetër sulm më 13 qershor, i cili ende vazhdon dhe nuk është zgjidhur. Mediat kanë raportuar se ky rast lidhet me aktivitetin e Scattered Spider.
Kjo valë e re sulmesh vjen vetëm pak kohë pasi grupi kishte në shënjestër sektorin e shitjes me pakicë në Mbretërinë e Bashkuar dhe industrinë e sigurimeve. Më parë, hakerët kanë arritur të depërtojnë në rrjete të zinxhirëve të hoteleve, kazinove dhe korporatave teknologjike.
FBI ka përditësuar deklaratën e saj duke theksuar rëndësinë e vigjilencës në të gjithë zinxhirin ajror, pasi kërcënimi nuk kufizohet vetëm te linjat ajrore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.