Startup Grind Tirana mirëpret Agron Shehaj - Business Magazine Albania

Startup Grind Tirana mirëpret Agron Shehaj


Agron Shehaj është një prej sipërmarrësve novator më të suksesshëm në Shqipëri dhe më gjerë. Ai është themelues i disa prej kompanive të suksesshme brenda dhe jashtë vendit me fokus ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të marketingut online për tregjet europiane.

Agroni lindi në Vlorë, më 8 dhjetor 1977. Me rënien e regjimit komunist, si shumë shqiptarë të tjerë në kërkim të lirisë dhe për një të ardhme më të mirë, edhe Agroni bashkë me familjen e tij do të linin Shqipërinë me eksodin masiv të viteve 1990. Ai ishte vetëm 13 vjeç kur preku tokën italiane e ku kaloi adoleshencën dhe një pjesë të madhe të rinisë së tij. Më pas ndoqi studimet në degën Ekonomi-Biznes në Universitetin e Firences.

Në moshën 28 vjeçare, pas shumë vitesh shkëputje nga vendi amë, me dëshirën për të kontribuar dhe për të mos humbur lidhjet me vendin e tij, ai vendosi të kthehet dhe të investojë në Shqipëri. Në vitin 2005, Agroni themelon IDS (Internet Data Service Group), kompaninë e parë shqiptare të aftë për të ofruar shërbime në tregun europian. Shumë shpejt nga një kompani e vogël, falë përkushtimit, vizionit dhe mentalitetit europian, IDS do të shndërrohej në një kompani gjigande që numëron rreth 3 000 të punësuar, me 15 seli në të gjithë vendin dhe miliona euro xhiro vjetore. Si themelues i një prej kompanive më të madhe jopublike për nga numri i punonjësve, Agroni vendosi një standard të ri në tregun shqiptar të sipërmarrjes. Kjo normë e re, jo vetëm që do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së jetës për shumë qytetarë apo drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë në vend, por përmes programeve të karrierës, IDS arrititi të bëhej pararojë në zhvillimin dhe përgatitjen e kapaciteteve të reja njerëzore të aftë për të përballuar ofertën ndërkombëtare të tregut të punës. Për këtë, Agroni, do të nderohej me çmimin “Employer of the Year 2013”.

Ndonëse suksesi rritej, kjo nuk mjaftonte për një individ me sirtarin mbushur me ide kreative dhe kërkues ndaj vetes. Frymëzuar prej sipërmarrjeve novatore dhe zhvillimeve teknologjike, në vitin 2013, Agroni themelon Local Web, një kompani e cila operon në fushën e marketingut dhe konsulencës online. Në vetëm tri vite, kjo kompani ndërkombëtare, renditet krah 5 kompanive më të suksesshme të marketingut online në tregun Italian, fiton statusin prestigjioz të Google Premier Partner dhe hap zyrat e saj edhe në tregun Britanik. Me një bilancë të tillë suksesi, ofertë konkurruese dhe produkte novatore, Agroni synon të shndërrojë Local Web-in në një sipërmarrje edhe më gjigande që tenton të pushtojë tregjet në të gjithë Europën e më tej.

Nga ana tjetër, Agroni beson shumë në potencialin e jashtëzakonshëm, talentin, energjinë dhe kreativitetin e të rinjve. Ndaj ai investon, jo vetëm përmes zhvillimit të kapaciteve njerëzore, por edhe nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare të ideve dhe startup-eve më novatore të kësaj gjenerate. Shembull i këtij besimi është investimi i tij në zhvillimin e faqes online chebuoni.it, një sipërmarrje rinore e cila në harkun kohor të vetëm një viti ka arritur të pushtojë njëkohësisht tregjet e pesë vendeve të BE-së.

Konglomerati i kompanive që Agron Shehaj drejton, bazohet gjithashtu në filozofinë e përgjegjësisë shoqërore. Agroni është themelues dhe sponsorizues i disa shoqatave të bamirësisë me fokus ndihmesën ndaj grupeve të margjinalizuara, fëmijëve në nevojë, sportit të të rinjve, historisë dhe artit. Kjo, pasi ai beson në vlerat e gjithëpërfshirjes. Sipas tij, duke shpërndarë një pjesë të të ardhurave në ndihmë të komuniteteve në veçanti dhe shoqërisë në tërësi kemi kontribuar për të ardhmen tonë të përbashkët dhe atë të vendit.

Për arritjet dhe përkushtimin ndaj komunitetit, Agroni është nominuar nga Down Syndrome International me një çmim ndërkombëtar i cili do të jepet në “13th World Down Syndrome Congress” në Glasgow.

Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Evenimenti organizohet në më shumë se 200 qytete dhe 85 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themeluesë lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e mësuara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.

Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për netëorking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, BusinessMag ju fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.

Nëse doni të rezervoni biletën klikoni KËTU.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0