Nga Adelina Onuzi – Diella, asistenti virtual 2.0 i krijuar për platformën e-Albania, po sjell një mënyrë më të avancuar dhe natyrale të ndërveprimit mes qytetarëve dhe administratës publike. Ky projekt, që është një hap i madh përpara në digjitalizimin e shërbimeve publike, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm që nga lançimi i versionit të parë. Për të mësuar më shumë rreth Diellës dhe zhvillimit të saj, kemi intervistuar Z. Enio Kaso, Drejtor i Inteligjencës Artificiale dhe Licencimit të Kriptomonedhës, i cili ndan me ne detaje mbi sfidat, mundësitë dhe të ardhmen e këtij asistenti virtual.
Si po e ndryshon Diella mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me administratën publike?
Diella, asistenti virtual 2.0, sjell një mënyrë të re dhe më të avancuar për qytetarët që të ndërveprojnë me administratën publike. Versioni i parë u prit shumë mirë nga qytetarët dhe bizneset, duke treguar qartë nevojën për një komunikim më të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë për gjetjen e shërbimeve në portalin e-Albania. Diella ka aftësinë për të kuptuar dhe përdorur gjuhën e përditshme të komunikimit.
Nëse më parë qytetarët mund të komunikonin vetëm përmes mesazheve të shkruara, tani ata kanë mundësinë të flasin lirshëm në gjuhën shqipe, përmes një bisede zanore, sikur të ishin në një telefonatë FaceTime. Ky përmirësim e bën ndërveprimin më natyral, të shpejtë dhe më të thjeshtë marrjen e shërbimit publike.
Çfarë avantazhesh ofron Diella në krahasim me opsionet e mëparshme të navigimit në e-Albania?
Avantazhi kryesor i Diellës është përdorimi i zërit. Nuk ka mënyrë më natyrale për të marrë ndihmë sesa të komunikosh me dikë që të dëgjon dhe të përgjigjet menjëherë, në çdo orë të ditës dhe natës, pa kufizime dhe pa ngurrim.
Ndryshe nga kërkimi me tekst, ku qytetarët duhet të dinë saktësisht emërtimin e shërbimit që kërkojnë, me Diellën, ata mund të shprehen lirisht me fjalë të thjeshta qoftë edhe duke përdorur fjalë kyçe (key words). Diella merr mesazhin, kupton kërkesën dhe e drejton qytetarin apo biznesin, automatikisht te shërbimi i duhur.
Sa e saktë është Diella në kuptimin e kërkesave të qytetarëve dhe a ka raste kur nuk arrin të japë një përgjigje të qartë?
Diella është një produkt i inteligjencës artificiale dhe fuqizohet nga modelet më të avancuara të AI, përfshirë ChatGPT-4o. Megjithatë, asnjë model AI nuk është 100% i përsosur. Gjithsesi, analizat tona nga versioni i parë i asistentit virtual tregojnë se, gjatë më shumë se 1milion ndërveprimeve brenda një viti, rastet kur asistenti nuk mund të kthente një përgjigje të saktë ishin kryesisht për shkak të pyetjeve që nuk ishin të lidhura me portalin e-Albania apo me shërbimet elektronike.
Shumë nga këto pyetje ishin jashtë fushës së saj, si p.sh.: “A është pushim dita e hënë?” ose “Ku te gjej nje kurs për manikyr?”. Në këto raste, Diella nuk është në gjendje të japë një përgjigje, pasi fokusi i saj është asistenca për përdorimin e shërbimeve publike në e-Albania.
Pse asistentja virtuale e e-Albania është nga Zadrima?
Pse mos të jetë asistentja virtuale nga Zadrima?(qesh)
Si është trajnuar Diella për të kuptuar dialekte të ndryshme të shqipes dhe sa efektive është kjo veçori në praktikë?
Përfshirja e të gjithë qytetarëve, pavarësisht dialektit që flasin, ka qenë një aspekt kyç në zhvillimin e Diellës. Procesi ka nisur që nga krijimi i një baze të dhënash të pasur me shembuj nga dialekte të ndryshme të shqipes dhe është ndjekur nga një testim i detajuar për të siguruar që modeli të kuptojë dhe të përgjigjet saktë për çdo dialekt gjuhësor.
Rezultatet kanë qenë të kënaqshme që në fazat e para të zhvillimit. Megjithatë, një nga avantazhet më të mëdha të Diellës është aftësia e saj për të mësuar dhe përmirësuar performancën me kalimin e kohës. Sa më shumë qytetarët ndërveprojnë me të, aq më i mirë bëhet modeli në të kuptuarit dhe përshtatjes me mënyrën e të folurit të përdoruesve. Pra, Diella mëson duke punuar, çka do të thotë që Diella e nesërme do të jetë akoma më e avancuar dhe më e saktë se ajo e sotmja.

Çfarë sfidash teknike janë hasur gjatë zhvillimit të Diellës dhe si janë tejkaluar ato?
Gjatë zhvillimit të Diellës, ekipi ynë kishte përvojë nga krijimi i asistentit virtual 1.0, çka bëri që procesi të ishte më i strukturuar dhe pa pengesa madhore. Megjithatë, disa sfida interesante dolën në pah gjatë testimit dhe përmirësimit të modelit.
Një nga momentet më të veçanta ishte puna me njohjen e zërit dhe interpretimin e fjalëve. Gjatë këtij procesi, zyra jonë u mbush për ditë të tëra me kolegë që përsërisnin fjalë të njëjta me zë të lartë për të testuar sistemin. Madje, njëri prej tyre, u ngjir nga përsëritjet e vazhdueshme dhe e folura gjithë ditën!
Një tjetër sfidë ishte përcaktimi i tonalitetit të duhur të zërit dhe lëvizjeve të Diellës. Pasi zëri i një asistenti virtual krijon një ndikim të fortë në perceptimin e tij, u desh shumë diskutim dhe testim për të gjetur balancën e duhur mes një toni miqësor, profesional dhe natyror që të ishte i pranueshëm për të gjithë përdoruesit. Në fund, përmes përvojës dhe testimeve të shumta, arritëm të krijonim një version që ofron një përvojë të natyrshme dhe të këndshme për qytetarët.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.