Emigracioni prek industrinë ushqimore - Business Magazine Albania

Emigracioni prek industrinë ushqimore

Emigracioni

Administratori i Qafshtama: Emigracioni po bën që të na mungojnë edhe punonjësit e pakualifikuar 

Industria e prodhimit ushqimor po shënon hapat e parë drejt daljes në tregjet ndërmbëtare, falë certifikimeve ndërkombëtare të standardeve të tyre të prodhimit e menaxhimit. I gjithë ky proces po ndodh ndërsa kompanitë janë në presion të lartë të punës, si për shkak të efekteve të pandemisë, edhe për shkak të plagës së madhe të emigracionit. Administratori i fabrikës së prodhimit të ujit “Qafshtama”, Florant Dautaj tregon se tregu nuk përmbush kërkesën për të punësuar.

Si kanë qenë dy vitet e fundit të pandemisë për prodhimin dhe tregtinë e produktit tuaj. Cilat janë sfidat kryesore?

Viti i parë i pandemisë ishte sfidues për kompaninë. Periudha e karantinës na përballi me ulje të konsumit të ujit deri në 40%. Ndërsa 6 mujori i dytë i 2020 kishte një ecuri pozitive si rrjedhojë e lehtësimit të masave kufizuese, por dhe ndërgjegjësimit të popullsisë për të konsumuar produkte të shëndetshme, siç është uji mineral.

Sot, konsumatorët janë më të kujdesshëm në zgjedhjet e tyre, preferojnë produkte më cilësore dhe të sigurta. Efekti i pandemisë në 2021 ishte thuajse i papërfillshëm dhe rezultoi si më i suksesshmi i kompanisë Qafshtama, me rritje mbi 30% krahasuar me 2019 dhe 50% rritje krahasuar me 2020. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 56 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Lexo:  Të dhënat e subjekteve tregtare nga Ballkani Perëndimor, të disponueshme në platformën e përbashkët rajonale të regjistrit – BIFIDEX

Ju mund të mos keni shumë të punësuar për shkak të teknologjisë së investuar, por sa po e prek emigracioni tregun e punësimit? 

Procesi i prodhimit në fabrikat tona është i automatizuar dhe realizohet në një numër të reduktuar punonjësish, por dikton nevojën për teknikë të kualifikuar. Fatkeqësisht, këta teknikë mungojnë dhe shkollat nuk arrijnë t’i përgatisin. Akoma më e vështirë bëhet zgjidhja e këtij problemi kur prodhimi bëhet në një zonë të thellë malore. Vitet e fundit po gjejmë vështirësi për punëtorë edhe më pak të kualifikuar, pasi emigracioni paraqitet si alternativë më e mirë për të rinjtë.

Po synojmë të bëjmë më të mirën që mundemi, të krijojmë kushte të mira pune, të japim paga dinjitoze për t’i motivuar të qëndrojnë në Shqipëri.

Cilat janë risitë për këtë vit në Qafshtama, si për produktin, investimet, shërbimi, apo tregjet?

Shoqëria Qafshtama ka investuar në vazhdimësi në teknologji të reja, për të ofruar një produkt cilësor dhe të sigurt për konsumatorin. Viti 2022 ka nisur me një projekt të rëndësishëm, kompletimin teknologjik të stabilimentit të dytë të prodhimit.

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti do të përfundojë vënia në punë e një linje të re teknologjike të automatizuar, e cila do të mundësojë rritjen e kapaciteve prodhuese, përmirësimin e ujit të gazuar dhe prodhimin e disa produkteve të rinj, si uji me vitamina dhe me shije të ndryshme frutash.

Në fokus do të jetë gjithashtu rritja e shitjeve në tregjet rajonale. Me certifikimin e marrë në Dhjetor 2021 nga kompania gjermane SGS Institute Fresenius, kemi fituar të drejtën e eksportit në vendet e BE-së.

Cilat janë teknikat tuaja të menaxhimit? 

Kemi fatin të ambalazhojmë dhe tregëtojmë një ujë mineral me vlera të jashtëzakonshme për shëndetin. Procesi industrial i ambalazhimit bën të mundur edhe respektimin e të gjitha standardeve europiane të sigurisë ushqimore.

Por, kjo nuk mundëson garantimin e plotë të suksesit. Për të arritur nga burimi në mal në tryezat e konsumatorëve nevojitet një menaxhim i kujdesshëm i të gjithë zinxhirit që fillon me prodhimin dhe përfundon me shitjen e produktit. Një menaxhim i suksesshëm i kompanisë bazohet në disa kolona kryesore që janë:

  • Menaxhimi operativ, që nis me prodhimin dhe mbaron me shitjen e produktit.
  • Analiza e administrimit, analizë e kostove fikse dhe variabël të kompanisë, si dhe analizën e politikave komerciale.
  • Politikat e zhvillimit të kompanisë. Do të citoja si kryesore analizat e tregut si edhe projektet e zhvillimit të investimeve.

Cila është ambicja juaj në karrierën personale, por edhe në sukseset e kompanisë?

Pas 8 vitesh si drejtues i të njëjtës kompani, ambiciet e mia në karrierën personale nuk kanë ndryshuar. Ato janë të lidhura me suksesin e “Qafshtama”.

Ambicja ime kryesore është të jemi kompania lider në sektorin e pijeve në vend dhe rajon, me një portofol të gjerë produktesh. Gjithashtu, zgjerimi në tregje të reja si Bashkimi Europian dhe vendet e Lindjes së Mesme janë pjesë e objektivave afatgjata. Më jep kënaqësi suksesi i ndërmarjes që drejtoj dhe vlerësimi i punës që bëj. 

Çfarë do t’u sugjeronit menaxherëve të rinj, drejtuesve të rinj të kompanive apo drejtues departamentesh, po ashtu me rëndësi?

Do t’u sugjeroja ta shohin punën si të ishin vetë investitorët e kompanisë. Kjo të bën të jesh më i përfshirë, më i saktë në vendimarrje dhe më i motivuar. Një kulturë pozitive në kompani fillon me një drejtues transparent dhe bashkëpunues. Të jesh mendjehapur për të dëgjuar çdo diskutim dhe sugjerim të stafit ndihmon të bëhen më pak gabime në vendimmarje. Për të qenë sa më efektivë në punë duhet të dinë t’i shmangen rutinës së përditshme për të ndjekur prioritetet e vendosura.

Së fundi, askush nuk duhet të vetëkënaqet me suksesin e ditës, por të mendojë pak më larg, për perspektivën e ndërmarrjes.

Artikulli u publikua më parë në faqen 56 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0