Dy fjalë për 30 Qershorin nga dikush që nuk e ka jetuar diktaturën - Business Magazine Albania

Dy fjalë për 30 Qershorin nga dikush që nuk e ka jetuar diktaturën


Personalisht, gjatë viteve të fundit ka pasur jo pak raste në të cilat jam ndjerë keq në lidhje me vendin tim. Jam ndjerë keq kur miq nga Franca, Italia apo Spanja më dërgonin artikuj të gazetave të vendeve të tyre në të cilat vendi im përshkruhej si Kolumbia e Europës, sidomos në periudhën 2015-2018. Jam ndjerë keq kur detyrohesha të shkëputesha nga miqtë e mi nëpër aeroporte pasi si jo pjesëtar i Bashkimit Europian nuk mund të kaloja në të njëjtën korsi me ta. Jam ndjerë keq kur përmendej fakti se Shqipëria nuk ka liri të medias, nuk ka një bursë, nuk lejon sipërmarrjen e lirë dhe konkurrencën e drejtë. Jam ndjerë keq kur duhet t’u shpjegoja se ekziston akoma dhe qeveris vendin partia komuniste edhe pse me emër të ndryshuar. Po aq keq ndihem sa herë më shkon mendja se dosjet e xhelatëve të gjyshërve e paraardhësve të mi nuk janë hapur kurrë. Ata xhelatë nuk janë ndëshkuar e vdesin të qetë në shtëpitë e tyre. Derisa shkojnë para Atij, të cilit duhet të japim llogari të tërë.

Por, kurrë nuk më ka ardhur aq turp sa mëngjesin e së dielës, kur pashë si të moshuar dhe bashkëmoshatarë të mi, zgjodhën evokimin e një periudhe drithëruese, që shumica jonë nuk do të donte të përsëritej, e pakica e riktheu me një nostalgji të pështirë.

Një patriot, një atdhetar, një qytetar i mirë kur e sheh se atdheu është në gjendje krize, ka tension dhe përplasje civile, jo vetëm mes politikanëve, por tashmë, për fat të keq dhe mes qytetarëve, e refuzon këtë votim monist dhe këtë përçarje mes vetes. Në këto kushte, qytetari ndalon dhe arsyeton se votime që risjellin një kohë nga e cila duhet të ishim ndarë prej dekadash, nuk i shërbejnë vendit. I gjendur në këto rrethana, qytetari që logjikon, nuk ndjek partinë në mënyrë qorre drejt një aventure përçarëse, të rrezikshme dhe vëllavrasëse, por zgjedh përpara partisë mikun, shokun, komshiun, apo atë me të cilin ka ndarë bukën në një tavolinë.

Unë natyrisht nuk e pres këtë nga ithtarët e partisë komuniste që thjesht ndërroi emrin para 30 vjetësh. Nuk e pres as nga bijtë e atyre që votojnë një parti që duhet të ishte shpallur e jashtëligjshme për krime ndaj njerëzimit dhe genocid ndaj popullit të vet. E pres nga qytetarët e përgjegjshëm, ata të cilët kanë ndopak dinjitet sado të përgjumur. Shumica të dielën tregoi se e ka ende dinjitetin, se ka ndërgjegje qytetare dhe përgjegjësi ndaj atdheut dhe bashkëkombësve, me të cilët mund të mos ndajë të njëjtin mendim politik, por ndan të njëjtën dashuri për vendin.

Ndaj, kjo shumicë nuk mund të lërë Shqipërinë të bjerë në një diktaturë, edhe pse ‘de fakto e de jure’ tashmë jemi nën qeverisjen e një pakice që zotëron gjithçka, veç dinjitetit të atyre që e refuzuan.

Unë dhe shumë bashkëmoshatarë të mi, ata që mendojnë dhe arsyetojnë vetë, kemi gati çerek shekulli që shohim nëpër televizorë, dëgjojmë nëpër radio e kafene, restorante e sheshe, të njëjtat fytyra, të njëjtat zëra dhe të njëjtat ide. Shohim se si xhelatët e asaj kohe vendosin dhe sot. Shohim se si bijtë e tyre ushtrojnë pushtetin e etërve me të njëjtin eksitim, zemërgurësi dhe ligësi si 30 vjet më parë. Shohim se si një pakicë e vogël të painformuarish, injorantësh, pëlqyes fasadash, fanatikë komunizmi e vuajtës të sindromës së Stokholmit, votojnë për të ardhmen tonë me papërgjegjshmëri, shpesh herë me ligësi e herë të tjera me bindje të plotë se vetëm një kastë duhet të sundojë këtë vend. Unë e refuzoj këtë fat. E ashtu si dhe unë, me dhjetëra e qindra mijëra patriotë të tjerë që nuk mund të durojnë teksa shohin batakçinjtë e 70 vjetëve të plaçkisin këtë vend dhe të rrëmbejnë të ardhmen, me ndihmën me dashje ose jo të pakicës së përmendur më sipër.

Lexo: Koha për të qeverisur një sipërmarrës?! Pse Shqipërisë dhe Botës u duhet modeli Trump? Shteti si një kompani dhe qytetarët aksionerët e saj

Për ata që mund t’u duken radikale këto rreshta, apo radhë të shkruara në rast tjetër, kam vetëm një përgjigje: këto janë fjalët më të sinqerta dhe më të vërteta që do lexoni ndonjëherë. Që kur e vërteta është bërë ekstremizëm? E vërteta nuk blihet e as shitet. Vetëm mund të fshihet për një kohë. Është detyra e gjithësecilit që ka një fije identitet t’ia pastrojë pluhurin e ta nxjerrë atë në shesh. Arsyen e këtyre artikujve të njëpasnjëshëm e me të njëjtin lajtmotiv mund ta gjejmë te ajo që ka thënë prof. Përparim Kabo pak kohë më parë: Ne vërtetë nuk fitojmë gjë, ndoshta dhe nuk ndryshojmë dot gjë në këtë realitet, por ne bëjmë diçka shumë të madhe. Ne nuk lejojmë që të vdesë e vërteta!

Më vjen mirë që populli, patriotët që përqafojnë të vërtetën dhe drejtësinë, e refuzuan këtë shfaqje të paturp, neveritëse dhe që meriton veç përbuzje. Por rreziku mbetet.

Ne jemi duke ecur në drejtim plotësisht të gabuar. Jemi vendi i vetëm në Europë ku një njeri ka në dorë qeverinë, parlamentin, prokurorinë dhe tani dhe pushtetin lokal. Dhe në të vërtetë ka vetëm 10 % të mbështetjes së popullit. Diktaturën nuk e ndjen kur afrohet. E vë re vetëm pasi është vendosur.

Në Shqipëri ndodh që të të vijë natën policia dhe të të prishë shtëpinë. Media nuk e raporton, sepse është palë. Prona është e shenjtë, ndërsa këtu vijnë në mes të natës e nxjerrin fëmijë e gra përjashta e prishin shtëpitë me leje. Sipërmarrja, familja dhe tradita përbuzet ndërsa populli përçahet. Vjedhja e votës është kthyer në normalitet e nuk i bën më askujt përshtypje. Dhe një pakicë thotë se gjendja është mirë se tashmë ka rrugë biçikletash. Kryebashkiakët arrogantë vjedhin, por pakica e damkosur nëpër gishta ditën e dielë thotë, nuk ka problem ngaqë po mbillen pemë.

Unë jam i sigurtë që historia do ta përqeshë datën 30 qershor. E kjo më ngushëllon dhe më vjen mirë që shumica e popullit tim u rreshtua në anën e drejtë të historisë.

Do të doja shumë që ta përdorja këtë oaz ende të lirë që quhet Business Magazine, në të cilën më është dhënë mundësia të kontribuoj, për të shkruar mbi rëndësinë e një burse aksionesh, për të dhënë mendimin tim mbi nevojën e sipërmarrjes së lirë, domosdoshmërinë e kapitalizmit, taksave të ulëta e derregullimit, e shumë tema të tjera që rëndom diskutohen nga individët në vendet, të cilat duam t’u bashkohemi. Por, më duken tema për një realitet tjetër kur hedh sytë përreth meje e shoh njerëz të nënshtruar, mediokër, që nuk dinë se çfarë është dinjiteti dhe njohin vetëm përulësinë para partisë. Sa keqardhje për këta njerëz të verbër. Dhe OH sa inat që janë këta, ai 10 përqindësh i se dielës së shkuar që bëhen pengesë që unë të jetoj, punoj e kontribuoj në vendin tim si miqtë e kolegët e mi në vendet e tyre. Sa neveri për ata që zvarriten pas një partie të kalbur e të infektuar nga lakmia, ligësia dhe keqdashësia për të mirën, për pronën, për familjen, dhe po! për sipërmarrjen që e kam shkruar dhe do vazhdoj ta shkruaj është motori i përparimit të një kombi, së bashku me patriotizmin, familjen dhe dinjitetin individual.

Por, unë nuk i urrej, thjesht i mëshiroj si një bashkatdhetar dhe kristian i mirë, me shpresën se mund të arrijnë një ditë, të zgjedhin logjikën, patriotizmin e atdheun përpara partisë. Sigurisht, nga ana tjetër, nuk mund të fal që kjo përqindje njerëzish mban peng fatin tim. Është mentaliteti i këtyre njerëzve që nuk më lejon të kem liritë, të drejtat, pagën, sigurinë dhe nivelin e jetesës së bashkëmoshatarëve të mi jashtë. Por, nuk më pengon të ëndërroj, të flas dhe të punoj.  Unë nuk dua të jem i varur nga qeveria, sepse jam shumë më i aftë se ajo për të dhënë kontributin tim për atdheun tim, për ekonominë dhe përparimin e tij. Përse, për faj të atyre pa talent, ithtarëve të komunizmit, partitofilëve, të paaftëve e parazitëve, duhet të vuaj një qeveri të madhe, monopartiake, që fut duart në xhepat e mi, në jetën time dhe në zgjedhjet e mia?

Jam i bindur se këtë refuzuan shumica e qytetarëve ditën e dielë, përfshirë dhe ata që bënë votën e pavlefshme. Jo vetëm përbuzën kthimin e votimeve rrënqethëse të diktaturës, por braktisën dhe një qeveri që u ishte futur deri në dhomat e gjumit. Ishte një britmë e pjesës më të madhe të popullsisë, siç vetëm qytetarët me dinjitet dinë ta japin. Një shpresë se ky vend që mendohej se ishte mbushur me dele, jeton, ka zë dhe identitet. Mua kjo me mbushi me krenari, gëzim dhe shpresë se ne nuk do lejojmë të jemi peng i atyre që mbushën me oksigjen për të vegjetuar nga udhëheqës të vetëshpallur, nga partitë dhe nga fondacionet okulte që na dinë për kavje laboratori e duan të vazhdojnë eksperimentin hoxhist të njeriut të ri që përçudnoi vetë natyrën njerëzore. Gjithashtu jam i bindur se një pjesë e madhe e këtyre qytetarëve po presin një ofertë konservatore, të djathtë, si e vetmja ideologji qe është provuar në mbarë botën se funksionon, pasi mbron identitetin e njeriut dhe dinjitetin e tij, sipërmarrjen e lirë, pronën, lirinë si e drejtë e panegociueshme e të tjera vlera që janë përmendur në këtë ese.

Turpin e të dielës në mëngjes e mbuloi dhe fundosi shpresa e lindur në perëndim të ditës së fundit të javës që lamë pas. Kjo shpresë se mund të shkëputemi njëherë e mirë sapo të flakim terroristët që na kanë rrethuar prej 75 vjetësh, sapo të hapim dosjet dhe të dënojmë një zëri përbindëshat që fshihen mes nesh dhe të shkëpusim fijet e fundit që na lidhin me epokën më të errët të një kombi fisnik, të vuajtur, por përherë kokë lartë, në mënyrë që pas 40 vjetësh, pasardhësit e mi, pasardhësit tanë, të mos jenë duke përsëritur të njëjtat rreshta që po hedh në leter unë sot, një korrik të nxehtë të një viti që akoma me mentalitet nuk e kemi arritur. Për pjesën tjetër të botës mund të jemi viti 2019, por prej tri dekadash ne kemi mbetur në një ripërsëritje të vitit 1990. Uroj që së shpejti të arrijmë të dalim prej tij. Pesimizmin e të dielës në mëngjes e rrëzoi optimizmi që solli darka teksa u bë e qartë që diktaturën, shpërfytyrimin e njeriut dhe përulësinë, populli im e shkelmoi dhe ata që u bënë pjesë e farsës, hynë në histori për turpin e tyre.

Shënim: Ky është artikulli i tretë dhe i fundit i një triptike që nisi në këtë revistë me nevojën e Shqipërisë për një realizëm të principtë nën modelin e Presidentit Trump dhe domosdoshmërinë e modelit të ndryshimit të qeverisjes duke e parë si një sipërmarrje, me qëllim rizgjimin e dinjitetit shqiptar, rëndësinë e sipërmarrjes dhe nevojës për dekomunistizim.

Natyrisht, ky triptik u dedikohet, në veçanti gjyshërve të mi e të shumëkujt, e të tërë atyre që luftuan për dinjitet njerëzor, tregje të lira, kapitalizëm të drejtë, sipërmarrje të lirë, qeveri të vogël, shenjtërinë e pronës, e që dolën nga regjimi më barbar që ka njohur Europa me kokën lart, dinjitetin e paprekur dhe qytetarinë shembullore, e që na mësuan paqen që sjell falja, puna, patriotizmi dhe fisnikëria.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0