Dollari në Shqipëri arrin nivelin më të ulët të tre viteve


Rënia e dollarit lidhet kryesisht me zhvlerësimin e tij në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktin që euro në tregun vendas vijon të mbetet e dobët, pavarësisht se ajo po vlerësohet në bursat ndërkombëtare, duke tërhequr poshtë edhe dollarin.

Gjatë ditës së sotme, një euro u këmbye në bursat ndërkombëtare me gati 1.18 dollarë, nga gati 1.06 dollarë, që ishte në fillim të këtij viti.

Por, ndonëse Euro në tregjet ndërkombëtare ka arritur nivelet më të larta që nga tetori 2014-ës, në tregun shqiptar është afër niveleve më të ulëta në gati 9 vjet. Sot, një euro blihej me 132.51 lekë, me një rritje prej 0.06 lekë në raport me një ditë më parë. Euro në tregun vendas është në nivele më të ulëta edhe se dhjetori 2016, kur monedha e përbashkët në bursa zbriti në 1.045 USd (në dhjetor euro këmbehej me rreth 135 lekë).

Pikërisht kjo dobësi e euros në tregun vendas ka bërë që edhe dollari të zhvlerësohet, në mënyrë që të ruhen raportet e kryqëzuara në bursa (p.sh. aktualisht 132.52/112.23=1.18, ndërsa në 20 dhjetor 134.98/ 129.21=1.045).

Zhvlerësimi i monedhës së gjelbër favorizon të gjithë ata që blerjet e tyre i bëjnë kryesisht online. Faqet kryesore të tregtimit online përdorin dollarin si monedhë kryesore të këmbimit. Për 100 dollarë blerje online, sot do t’ju kushtojnë 1,750 lekë më pak se në fillim të këtij viti.

Blerjet online në dollarë kanë qenë veçanërisht të preferuara nga shqiptarët në periudhën 2008-2009, kur dollari zbriti në rreth 80-90 lekë, por më pas ai u forcua, për të arritur në rreth 130 lekë në 2015-2016, duke mos qenë më aq i leverdisshëm.

Victoria’s Secret dhe të tjera ku mund të blihet me dollarë, si Alibaba Express dhe Ebay, janë në më të preferuarat e rinjve shqiptarë për blerjet online. Vajzat bëhen në grupe dhe pasi “gjuajnë” kur janë uljet më të mëdha porositin online veshjet apo aksesorë të tjerë, duke i paguar me kartë krediti, që më pas u vinë tek dera me postë.

Edhe në euro blerjet janë gjithashtu më të lira, teksa në nivelin e 133 lekëve, euro është më e lirë se disa vite më parë, kur këmbehej me 140 lekë. Por kursimi më i lartë mbetet me dollarin, teksa për 100 euro blerje, kursimi sot është vetëm 700 lekë.

Rënia e dollarit dhe euros kanë amortizuar disi rritjen e kostos së blerjeve online nga taksimi, teksa nga gushti 2016, të gjitha blerjet mbi 22 euro paguajnë taksë doganore dhe TVSH. (20% TVSH 2.4% taksë doganore).

Ky veprim, sipas financave, u bë për të shmangur në konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.

/TiranaObserver

Must watch
Business Mag Nr. #23 - Qershor 2020

Të gjitha planet tuaja për këtë vit, si individë apo sipërmarrës mund të jenë përmbysur. Mbërritja e Coronavirusit në Shqipëri paralizoi gjithçka, ashtu si kudo. Në mënyrë të papritur na vuri në kushte tërësisht të tjera pune, na shtoi pasigurinë e shqetësimin për të ardhmen.

Sipërmarrjet, kryesisht në fushën e IT u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia. Ato zhvilluan dhe më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

Kjo është një periudhë sprove, për individin, drejtuesit dhe liderin. Kjo është lufta që po zhvillohet në spitale dhe fronti i parë i saj janë mjekë, infermierë e sanitarë. Historia e ekonomisë k a treguar se gjithmonë pas një situatë të vështirë ka një ringritje. Dhe ne besojmë se kështu do të jetë.

Deri atëhërë ajo çka na mbetet të bëjmë është respektimi i rregullave të kërkuara, marrja e përgjegjësive ndaj të tretëve për aq sa mundemi, e të interesohemi për të pamundurit, të ndajmë diçka për ta.

Solidariteti nuk ka munguar e nuk do të na mungojë as kësaj radhe. Ajo çfarë doli në pah krahas solidaritetit ishte varfëria: e shtetit, e kompanive dhe e vetë individëve.

Një ditë pas dërgimit të 30 bluzave të bardha në Itali, The Guardian na vlerësoi në artikullin e saj si zemërgjerë edhe pse Ky numër ishte planifikuar të botohej në Prill 2020, por procesi u shty për shkak të masave të ndërmarra si pasojë e shpërthimit të Covid-19. Edhe pse në kohë vështirësish, jemi …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale