Dobësia e ekonomisë dhe dhimbja e protestës - Business Magazine Albania

Dobësia e ekonomisë dhe dhimbja e protestës


Agropërpunuesit nisin të hënën e ardhshme protestën e tyre, duke mos blerë qumësht tek fermerët. Shkak është barra shtesë e TVSH-së për ta. Pse të hënën? Duan të mos “përplasen” me protestën e opozitës, që do të zhvillohet ditën e shtunën.

Të shqetësuar për uljet e shitjeve, fermerët këtë javë derdhën në rrugë qindra litra qumësht, duke i kërkuar qeverisë të gjejë një zgjidhje.

Gjithçka nisi me ndryshimet në ligjin për rimbursimin e TVSH-së, ky fermerit planifikohet t’i rimbursohet  6% TVSH, e jo 20%.

Alban Zusi, drejtues i Shoqatës së Agropërpunuesve paralajmëron efekte të përshkallëzuara në zinxhirin ushqimor. Sipas tij, “në zinxhirin e prodhimit, ndërprerja 3 ditë me furnizimin e lëndës së parë jep efekt direkt në prodhim. Protestës pritet t’i bashkohen edhe sipërmarrje të tjera të lidhura me tregun e qumështit”.

Lexo: Rimbursimi i TVSH vetëm 6%, fermerët derdhin qumështin në rrugë

Një sërë protestash në vend bazohen në çështje ekonomike, shqetësime të lindura tani apo më parë.

Më e madha ishte ajo e studentëve, e cila u shua pas “Paktit për Universitetin”, miratuar nga qeveria, ndonëse shumë studentë e profesorë kanë ende rezervat e tyre. Prej muajsh në njoftimet zyrtare lexoni për punësimet e praktikat e studentëve në administratë. Ka edhe profesorë që shqetësohen për këtë, pasi puna në administratë nuk është modeli i tyre më i mirë. Por, për studentë më të kënaqur, një vendim i fundit (13 Mars) i Këshillit të Ministrave, parashikon që Ministrisë së Arsimit t’i shtohet fondi me 1.7 miliardë lekë. 1 miliard merren nga rezervat e shtetit, 0.3 nga përkujdesi social dhe 0.38 miliardë nga arsimi bazë.

Pra, nëse lindin shpresat për një trajtim më të mirë ekonomik të studentëve (nëse paratë përdoren efektivisht), e sigurt është ulja e shpenzimeve për shtresat në nevojë, pjesë e programeve të mbështetjes sociale. Për sa u përket emergjencave, mundet vetëm të shpresojmë të mos kemi të tilla.

Lexo: Student, nuk e ke idenë çfarë ke bërë!

Prej tashmë më shumë se 5 muajsh protestohet në unazën e re. Të ndërgjegjshëm që nuk kanë ndërtuar në tokën e tyre, ata e dinë gjithashtu se dhjetëra mijëra prona janë legalizuar, ndërtuar po në të njëjtën formë. Zëri i protestës nuk po arrin në qeveri edhe pse mijëra punonjës në kompanitë e vendosura në autostratë, përballen me trafik çdo ditë në kthim.

Lexo: Ende asnjë kompani për ndërtimin e unazës së re

Nga fillimi i këtij viti ndërkohë, të gjithë prodhuesit dhe eksportuesit fason, janë grupuar e i kërkojnë qeverisë të rimbursojë TVSH-në e vonuar prej rreth një viti, (zyrtarisht TVSH rimbursohet në një muaj) e të ndërhyjë me masa që zbusin efektin e zhvlerësimit të euros ndaj lekut. Eksportuesit thonë se fitimet e tyre kanë rënë në mënyrë të theksuar, ndaj nuk po investojnë e nuk po marrin punonjës të tjerë në punë.

Vitin e kaluar, ish ministri i Financave Arben Ahmetaj pati theksuar, se, “eksportuesit nuk janë dëmtuar nga zhvlerësimi i euros”. Megjithatë, buxheti i shtetit u rishikua më pas, pikërisht se euro e dobët solli më pak të ardhura nga taksat. U ulën të ardhurat nga taksat por jo të ardhurat nga eksporti?!

Të gjithë protestuesit janë kujdesur të qëndrojnë larg protestave opozitare, për të theksuar se kanë realisht një problem ekonomik.

Edhe pse flasim për buxhete afatmesme e afatgjata, strategji pa fund për sektorë të ndryshëm, Shqipërisë po i mungon ende mendimi për të nesërmen, për fëmijët. E vetmja gjë e menduar për ta (fatkeqësisht) janë Projektet Publike Private, të cilat e kanë shtrirë barrën e borxhit mbi qytetarët për 30 vitet e ardhshme./Albana Muçaj, Businessmag.al.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0