Dhomat e tregtisë në vend, thirrje qeverisë të bëjë reformat për të siguruar një klimë të mirë biznesi - Business Magazine Albania

Dhomat e tregtisë në vend, thirrje qeverisë të bëjë reformat për të siguruar një klimë të mirë biznesi

Dhomat e Tregtisë

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Dhoma Franceze e Tregtisë, kanë dalë me një qëndrim të përbashkët rreth gjendjes së mjedisit të biznesit në Shqipëri, duke kërkuar të zhvillohen të gjitha reformat e nevojshme për të nxitur investimet.

Në deklaratën e tyre të përbashkët thuhet se, “ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e vendit për biznes dhe investime të huaja, për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve natyrore dhe fuqisë punëtore të talentuar. Megjithatë, anëtarët tanë vijojnë ta rendisin klimën e biznesit si një nga tri sfidat kryesore të sipërmarrjes në Shqipëri dhe ne besojmë se mjedisi aktual është joefektiv dhe ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm”.

Si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, Dhomat u bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare, Parlamentit dhe Agjencive të tjera publike përgjegjëse që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike dhe investimesh në fushat e mëposhtme:

  1. Miratimi i një Strategjie Investimi, udhëhequr nga nivelet më të larta të Qeverisë, e cila të përfshijë reduktimin e ndjeshëm të pengesave burokratike, miratimin e një sistemi të bazuar në rregulla për lëshimin e lejeve dhe ngritjen e një sistemi nxitës incentivash të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
  2. Zbatimi i një pakete me qëllim luftën Kundër-Korrupsionit që forcon përputhshmërinë e masave kundër ryshfetit me standardet e OECD-së dhe që siguron transparencë në veprimtarinë e agjencive publike. Kjo do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri.
  3. Rritja e efikasitetit dhe besueshmërisë të sistemit të Prokurimit Publik, duke miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike dhe duke ju dhënë gazetarëve dhe shoqërisë civile më shumë akses në dosjet dhe të dhënat mbi procesin e prokurimeve.
  4. Krijimi i një procesi efektiv Konsultimi Publik, duke ngritur mekanizma zbatimi në legjislacionin ekzistues dhe duke përfshirë në këtë proces edhe Vendimet e Këshillit të Ministrave. Procesi duhet të sigurojë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve si edhe të grupeve të interesit.
  5. Modernizimi i Sistemit të Taksave për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS), për të reduktuar paqëndrueshmërinë me anë të prezantimit të ligjeve të reja tatimore jo më shpesh se çdo 4 vjet dhe luftës kundër informalitetit në ekonomi. Kjo do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase.
  6. Na inkurajon aktivizimi i mundshëm i një Këshilli të ri Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe sugjerojmë që ai të vendosë në mënyrë të veçantë në fokus investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe aktiviteti i tij të përcaktohet në legjislacion, si një institucion zyrtar nëpërmjet një mekanizmi të përbashkët të administrimit publik dhe sektorit privat. KEK-u mund të shërbejë si platformë për dialog dhe bashkëpunim midis sektorëve publik dhe privat, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për krijimin e një klime më të favorshme investimesh.

Lexo: Banka Botërore miraton një partneritet 5 vjeçar me Shqipërinë me vlerë 900 mln USD

Ne besojmë se reformat e propozuara më sipër, thuhet në deklaratë, do të krijojnë një mjedis biznesi më të favorshëm në Shqipëri, do të tërheqin investime të huaja të drejtpërdrejta dhe do të lehtësojnë tranzicionin e Shqipërisë në BE dhe tregjet ndërkombëtare. Ne jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë Shqiptare në këto përpjekje dhe të ofrojmë ekspertizën dhe burimet tona për të siguruar zbatimin e tyre të suksesshëm.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0