Deri në fund të këtij muaji, afati për deklaratën e të ardhurave vjetore

Deri në fund të këtij muaji, afati për deklaratën e të ardhurave vjetore


Individët rezident në Republikën e Shqipërisë, që përfitojnë të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, mbi 2 milionë lekë në vit, duhet të paraqesin Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave deri në fund të këtij muaji,

Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 milionë lekë.

Sipas Tatimeve, individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si më poshtë:

  • Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit
  • Të ardhurat bruto nga dividenti
  • Të ardhurat bruto nga qiraja
  • Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit
  • Të ardhura bruto nga interesat bankare
  • Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme
  • Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.
  • Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
  • Fitimi kapitali nga dhurimi.
  • Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart

Çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm.

Plotësimi i pasaktë i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues.

Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi.

Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit).

Në bazë të shumës së pagave të përfituara në total nga të gjithë punëdhënësit, individi bën llogaritjet sipas skemës së mëposhtme :

  • Për shumën e pagave mujore deri 30.000 lekë tatimi është zero përqind
  • Për shumën e pagave mujore nga 30.001 lekë – 130 000 lekë tatimi është 13 përqind e shumës mbi 30 000 lekë
  • Për shumën e pagave mujore nga 130 001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23 përqind e shumës mbi 130,000 lekë

Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për të 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në kutinë 4 të deklaratës, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet.

Në kutinë 22 të deklaratës, individi do të shënojë shumën e tatimit të paguar dhe të mbajtur në burim nga cdo punëdhënës gjatë gjithë muajve të vitit.

Diferenca midis tatimit të llogaritur, të shënuar në kutinë 4 të deklaratës, me shumën e tatimit të paguar, të mbajtur në burim nga punëdhënësit, të shënuar në kutinë 22 të deklaratës, përfaqëson shumën e detyrimit që duhet të paguajë individi në administratën tatimore për llogari të të ardhurave të tij vjetore nga punësimet.

Shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se tatimi i mbajtur në burim dhe i paguar nga punëdhënësi për të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.

Në rastin e individëve, të cilët në asnjë muaj të vitit nuk kanë qenë të dypunësuar, shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, është gjithmonë e barabartë me tatimin e mbajtur në burim dhe të paguar nga punëdhënësi për pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit, të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.

Shpenzime të zbritshme

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përfitojnë zbritjen e shpenzimeve tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit  dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1 050 000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit), por jo më të lartë se kjo shumë, të cilët mund të jenë subjekte deklaruese.

Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme këta individë plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave dhe përfitojnë shpenzimet e zbritshme, si më poshtë:

– shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari;

– shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme  kryhet brenda datës 30 shtator të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është hartuar deklarata.

Personat jorezidentë nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme.

Deklarata për të ardhurat e përfituara në vitin 2017, dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet sistemit  e-Filing, jo më vonë se data 30 prill e vitit 2018.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0