Demokracia në epokën e algoritmeve dhe fuqia e rrjeteve sociale mbi votuesit! - Business Magazine Albania

Demokracia në epokën e algoritmeve dhe fuqia e rrjeteve sociale mbi votuesit!

Nga Fatima Gorezi – Si gazetare që kam ndjekur me vëmendje (sidomos në proceset e fundit zgjedhore) mënyrën se si mediat dhe teknologjia po e transformojnë hapësirën publike, deklaratat e fundit të ambasadorit Lamberto Zannier, shefit të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSCE- ODIHR-it, më duken sinjal i qartë i një epoke të re politike asaj që unë do ta quaja “demokracia e algoritmeve”.

Në konferencën për shtyp, Zannier e përmendi qartë se mbyllja e TikTok nga qeveria “ndikoi në rrjetet sociale” dhe se fushata elektorale ishte “përgjithësisht e qetë, por e mbushur me sulme mes drejtuesve të partive, sidomos online”. Në këto fjali qëndron thelbi i një transformimi më të thellë, rrjetet sociale nuk janë më thjesht një zagjatim i medias tradicionale dhe hapësira për të çuar mesazhin politik, por një mjet pushteti që po ndikon perceptimin qytetar…

Duket sikur edhe ne jemi përballë atij momenti plot dilema që kanë përjetuar më herët edhe vende me përvojë politike dhe demokraci të konsoliduara si Shtetet e Bashkuara, Britania apo Franca në vitet e fundit; kush kontrollon hapësirën digjitale, kontrollon edhe narrativën publike. Dhe kush kontrollon narrativën publike, përcakton edhe axhendën politike.

Në SHBA, rasti i famshëm i ndikimit të Facebook gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 tregoi me fakte se si një platformë sociale mund të kthehet në një mjet manipulimi të gjerë elektoral. Përmes fushatave të synuara, “fake news”-eve dhe profileve të rreme, miliona qytetarë u ekspozuan ndaj përmbajtjeve të orkestruara me qellimin e vetëm, për të ndikuar qëndrimet e tyre politike dhe vendimin e votës. Kjo nuk ndodhi përmes ndonjë akti të dukshëm politik, por përmes logjikës së algoritmeve që vendosin çfarë shohim, çfarë besojmë dhe madje çfarë (duhet) të mendojmë.

I njëjti raport i OSCE- ODIHR- i bërë publik ditën e djeshme solli një panoramë të qartë të parave të shpenzuara online duke përdorur librarinë zyrtare të kompanisë Meta, që bën transparencë për sponsorizimet, pra, shpërndarjen me pagesë të materialeve me përmbajtje propagandistike. Konkretisht, në raport thuhet:“Sipas Meta Ad Library, nga 9 prilli deri më 8 maj, kandidatët shpenzuan gjithsej deri në 21,410,830 lekë (217,870 euro) për reklama politike… ”.

Lexo edhe: Fushata e 11 majit, partitë shpenzuan 217 mijë euro reklama në rrjetet sociale

Në mungesë të një rregullimi të qartë, ndryshe nga media tradicionale e cila ka më shumë mekanizma ndalimi dhe filtrimi, fushatat online janë kthyer në terren të paanë për propagandë, për përmbajtje të amplifikuara dhe shpesh për sulme personale. Siç e theksoi edhe Zannier, “nuk ka një autoritet që të monitorojë përmbajtjet manipuluese online”. Dhe pikërisht ky është zanafilla e problemit kur kemi një realitet ku përmbajtja propagandistike, e pafiltëruar shkon tek audienca më shpejt se faktet.

Nga ana tjetër, vendimi për mbylljen e TikTok nga qeveria shqiptare, pavarësisht justifikimeve për “siguri qytetare/kombëtare” ngre pyetje të thella për lirinë e informacionit. Ndërhyrja e shtetit në këtë hapësirë krijon precedent të rrezikshëm: kush vendos se cilat platforma janë “të përshtatshme” për qytetarët? Dhe a mund të ekzistojë demokraci kur kufizohet vetë hapësira ku njerëzit shkëmbejnë dhe ndajnë ide?

Në këtë kuptim, sot  mediat tradicionale dhe gazetaria po përballen me një sfidë ekzistenciale. Roli ynë, si gazetarë, nuk është më thjesht të raportojmë lajmet, por të zbërthejmë realitetin e algoritmeve të kuptojmë se kush i drejton, cilat interesa fshihen pas tyre dhe si ndikojnë në formimin e mendimit publik. Nëse dikur e quanim “luftë për të vërtetën”, sot ajo është një betejë për vetë perceptimin e realitetit.

Prandaj, reflektimi që solli ODIHR nuk është vetëm një raport teknik mbi zgjedhjet, por edhe një tregues për nevojën e shoqërisë për të mbrojtur transparencën, të drejtën, ndërgjegjen publike dhe lirinë digjitale.

Në fund, demokracia nuk do të shpëtohet nga një platformë apo media e caktuar, por nga aftësia jonë si shoqëri për të ruajtur integritetin e informacionit dhe për ta mbrojtur debatin publik nga hijet (digjitale) që e errësojnë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0