Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez më në fund do të martohen , këtë herë për së vërteti. Themeluesi i Amazon dhe e fejuara e tij, prezantuese lajmesh, pilote helikopteri dhe figurë e njohur shoqërore, pritet të kurorëzohen këtë muaj, pasi ai i mohoi më parë zërat për një dasmë të mundshme në Aspen gjatë dimrit. Siç duket, ato thashetheme ishin tërësisht të pabazuara, çifti ka zgjedhur Italinë, në zemër të verës, për ditën e tyre të madhe. Bellissimo!
Disa detaje kanë filluar të dalin në dritë, ndaj më poshtë gjeni gjithçka që dimë deri tani për këtë dasmë madhështore , që nga përzgjedhja e vendndodhjes, lista e të ftuarve, deri te roli i jahtit të tyre luksoz.
Ku do të zhvillohet dasma?
Sipas disa raportimeve, Bezos dhe Sánchez do të thonë “po” në Venecia, këtë verë – konkretisht nga data 26 deri më 29 qershor. Zgjedhja e vendit nuk ka qenë e rastësishme; madje, është krahasuar me një proces kandidimi për të pritur Lojërat Olimpike. Drejtori i përgjithshëm i këshillit të Venecias, Morris Ceron, ka deklaruar për The Times of London se nisi përpjekjet për ta sjellë këtë dasmë në qytet që shtatë muaj më parë, sapo mori vesh për të nga Domenico Dolce (themeluesi i Dolce & Gabbana). “Domenico Dolce më tha që Bezos do të martohej. Që atëherë, nisa punën për ta sjellë këtë dasmë në Venecia – dhe ja ku jemi,” – deklaroi Ceron. “Ne ishim në konkurrencë me disa vende të tjera, por e fituam garën,” – shtoi kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro. (Më mirë fat herës tjetër, Cincinnati.)
Po konkretisht, ku do të mbahet ceremonia?
Për këtë detaj, ende nuk ka një përgjigje të qartë. Sipas Daily Mail, një raport lokal italian pretendon se ceremonia do të zhvillohet në bordin e jahtit të tyre me vlerë 500 milionë dollarë, Koru, i ankoruar në lagunën e Venecias. Megjithatë, një mik i afërt i çiftit e ka mohuar këtë përmes Daily Mail, duke thënë: “Ju siguroj që dasma nuk do të zhvillohet në jaht.” Ndërkohë, zëdhënësi i kryetarit të bashkisë së Venecias, Luca Zuin, i ka thënë CNN-it se festa do të zhvillohet pikërisht në jaht. Pra, mbetet për t’u parë. Për shkak të rregullave të ruajtjes së qytetit, jahti Koru është shumë i madh për të hyrë në kanalin kryesor të Venecias, ndaj do të duhet të ankorohet më larg. “As gjithë paratë e botës nuk mund t’i ndryshojnë këto rregulla,” – deklaroi një burim për Daily Mail. The Times raportoi gjithashtu se Bezos ka prenotuar të gjitha taksitë ujore të qytetit, çka sipas një zyrtari anonim lidhet me lëvizjen e të ftuarve drejt jahtit. Megjithatë, është e mundur që taksitë ujore janë prenotuar për ndonjë aktivitet tjetër brenda festimeve. Sipas Ceron, çifti ka zgjedhur tre vende të ndryshme për evente gjatë fundjavës, ndaj pritet të jetë një fundjavë intensive.
Kush janë të ftuarit?
Në këtë aspekt ka më shumë qartësi. The Times raportoi për 250 të ftuar, ndërsa një deklaratë për CNN nga autoritetet e qytetit përmend vetëm 200 – çka konsiderohet një dasmë intime, të paktën për një miliarder. Sipas TMZ, pritet të jenë të pranishëm personazhe të njohur si Eva Longoria, Katy Perry dhe Orlando Bloom, Oprah Winfrey dhe Gayle King, Kris Jenner dhe Kim Kardashian. Gjithashtu, Ivanka Trump dhe Jared Kushner janë në listën e të ftuarve, bashkë me vëllain e tij Joshua Kushner dhe bashkëshorten e tij, Karlie Kloss. Nuk dihet nëse Donald Trump është ftuar, por pas vendosjes në rresht të parë në inaugurim, duket e mundshme. Page Six përmend edhe pjesëmarrjen e Donald Trump Jr. me të dashurën e tij të re, Bettina Anderson, që për ironi të fatit, ka qenë shoqe me Sánchez para lidhjes me Don Jr. Çifti Barry Diller dhe Diane von Furstenberg kanë marrë gjithashtu ftesë. Në listë është edhe këngëtarja Jewel, e cila u pa së fundmi duke performuar në ballin inaugurues të Robert Kennedy, por që rezulton të jetë shoqe e vjetër me Sánchez. Sipas Page Six, në listën e të ftuarve janë edhe emra si Bill Gates, Andrew Garfield, Tobey Maguire dhe Leonardo DiCaprio. Kjo mund të jetë paksa e sikletshme për Leo, pasi ish-e dashura e tij, Camila Morrone, është gjithashtu e ftuar. Të paktën do ta ketë mikun e ngushtë Tobey për mbështetje.
Kush do ta dizenjojë fustanin e nuses?
Sipas Daily Mail, Sánchez ka zgjedhur një fustan të personalizuar nga Oscar de la Renta, me ndihmën e Anna Wintour. Meqë bëhet fjalë për një fundjavë me disa evente, pritet që ajo të shfaqet me disa veshje të kuruara posaçërisht. Në mars, ajo dhe Bezos u fotografuan në dyqanin e Dolce & Gabbana në Milano, ku thuhet se realizuan një provë – ndoshta për ndonjë nga fustanet për dasmën.
Po festat e beqarisë?
Nuk është shumë e qartë nëse Bezos ka zhvilluar ndonjë “stag night”, ndërsa Sánchez padyshim që ka bërë një festë beqarie me mikeshat e saj më të ngushta në Paris. Të pranishme ishin Kris Jenner, Kim Kardashian, Katy Perry dhe Eva Longoria – duke treguar sërish se kjo dasmë është një event social në përmasa botërore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.