Creativity by Stela: Këmbëngulja për të lëvizur çdo gur nga vendi e çoi përpara sipërmarrjen time!

Creativity by Stela: Këmbëngulja për të lëvizur çdo gur nga vendi e çoi përpara sipërmarrjen time!


 

Për herë të parë në Shqipëri, aktorët e rinj të skenës së sipërmarrjes gjetën vend në ekranin e gjerë të televizionit. Pikërisht në Vizion+, si një produksion i Tring TV, lindi spektakli “Do You Have an Idea”, nën drejtimin e Turjan Hyska.

Në forma të ndryshme u paraqitën në këtë program shpikje, inovacione, ide biznesi të reja apo të maturuara, nga të rinj dhe të rritur përballë big-ëve të biznesit në vend në rolin e investitorëve potencialë.

Formate të tilla televizive janë tepër të nevojshme për të stimuluar publikun e gjerë drejt sipërmarrjes si një zgjidhje e shumë problemeve me të cilat haset shoqëria jonë, që realizohet duke marrë vetë përsipër ti vëmë gjërat në lëvizje.

Pas kaq vitesh përpjekje, ekosistemi shqiptar i sipërmarrjes tashmë ka një skenë më shumë për tu shprehur dhe zhvilluar.

Business Magazine Albania, lindi si iniciativë e tillë, me misionin për të promovuar dhe mbështetur Sipërmarrjen dhe vizionin se Sipërmarrësit janë ata të cilët me pasionin dhe vullnetin e tyre mund të përmirësojnë ambientin ku jetojmë, të cojnë drejt rritjes ekonomitë e vendeve ku operojnë dhe pse jo të ndryshojnë botën me zgjidhjet që ata ofrojnë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 19 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.

Për këtë arsye ne kemi ndjekur me kërshëri episodet e “Do You Have an Idea” dhe kemi realizuar intervista me disa prej të rinjve të cilët me idetë e tyre morrën vëmendjen e publikut dhe të investitorëve nga juria.

Njëra prej tyre ishte Stela Toska, vajza nga Shkodra që përcjell kreativitet në tjegullat tradicionale të shtëpive tona.

Le të njihemi më shume me Stelën, sfidat aktuale dhe sfidat që e presin në të ardhmen.

BM: Përshëndetje Stela. Përpara se të kalojmë tek pyetjet në lidhje me pjesëmarrjen tuaj në emisionin “Do you have an idea?”, ne duam të dimë se kush është Stela Toska?

S: Stela Toska është 36 vjeç, ka lindur dhe është rritur në qytetin e Shkodrës. Jam lumturisht e martuar dhe kam një djalë 14 vjeç. Në vitin 2003 jam diplomuar në degën Bio-Kimi dhe tani po pres të diplomohem në degën Ekonomi-Financë. Kam punuar si mësuese disa vite me rradhë në disa shkolla të Shkodrës dhe rrethina, kam punuar për një kohë të gjatë edhe në fotostudio dhe së fundmi kam punuar për 4 vite si sekretare në “Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Shkodër”, por për momentin nuk jam më e punësuar.

Hobit e mia janë të gjitha sportet në natyrë përveç hedhjes me parashutë sepse kam frikë nga lartësitë.

BM:  A ishte largimi nga puna arsyeja përse vendosët të bëheshit sipërmarrëse?

S: Stelën e hoqën nga puna dhe mirë bënë sepse tani unë gjeta rrugën time që vlen shumë më shumë se ajo puna ku isha, por të them të drejtën nuk ja uroj askujt që ta heqin nga puna.

BM: Si iu duk programi “Do you have an idea?” A u përmbushën pritshmëritë tuaja nga pjesëmarrja?

S: Programi “Do you have an idea” erdhi në momentin e duhur për reklamimin e punimeve të mia në të gjithë Shqipërinë dhe më gjerë, them më gjerë sepse kam patur kërkesa edhe nga Maqedonia. Emisioni ishte diçka e lehtë për mua sepse stafi dhe organizimi janë të përsosur! Pritshmëritë e mia nga ky spektakël janë tejkaluar sepse unë dola nga ky spektakël jo vetëm me reklamimin e punimeve të mia por edhe me 2 premtime të mbajtura, si dhe me opinione pozitive të dhëna nga juria që për mua janë një tjetër shtysë shumë e fortë që të vazhdoj të eci përpara.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 19 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.

BM: Si funksionon biznesi juaj? Keni një dyqan fizik apo operoni me shitje online? Sa kohë ka që operon në treg dhe sa të punësuar keni?

S: “Creativity zone by Stela” filloi me shitje online në Nëntor të vitit 2015. Në Qershor të vitit 2015 antarësohem në “Shoqatën e Artizaneve Shkodër” dhe filloj shitjet në panairet e ndryshme që organizon kjo shoqatë. Kam 2 studente të pikturës (të arteve të bukura) që më ndihmojnë kur kam shumë shitje apo porosi.

BM: Cili është frymëzimi juaj për të shndërruar çdo gjë në art?

S: Frymëzimi im vjen gjithmonë nga dëshira për të patur një shtëpi të bukur në çdo detaj sepse unë eci me idenë që detajet bëjnë diferencën, pra shtëpia ime në Shkodër dhe ajo në Velipojë janë frymëzimi im. Por tani edhe shtëpitë apo ambjentet e punës së të tjerëve po bëhen frymëzimi im i radhës.

BM: Cilat janë punimet më të kërkuara nga konsumatori shqiptar? Sa kohë të duhet për të krijuar dhe pikturuar copëzat e tua të artit? A janë mirëpritur produktet tuaja nga ata?

S: Punimet e mia më të kërkuara janë tjegullat e pikturuara të cilat janë për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, pasi duken shumë bukur në veranda, oborre, shtëpi pushimi në mal apo në det, hoteleri, bujtina, etj. Këto pëlqehen shumë dhe kanë çmime të arsyeshme dhe të përballueshme pothuajse për të gjitha shtresat.

Për të punuar një tjegull mund të vonoj nga një orë deri në një orë e gjysmë.

BM: Si nisi “Creativity zone By Stela” ?

S: E besoni dot që e kam filluar me zero buxhet këtë biznes?! Kisha disa punime që kisha bërë ndër vite të cilat i hodha si fillim te faqja ime në Facebook dhe ndërkohë merrja tjegullat që i kisha gjetur te baçja e komshiut, i laja mirë e mirë duke i fërkuar me tel, i pikturoja dhe i nxirrja në shitje. Një vit të tërë kam punuar çdo ditë nga një punim të ri, të ndryshëm si në material ashtu dhe në stil, gjë që ishte një sfidë më vete. Këmbëngulja ime për të lëvizur çdo gur nga vendi ishte vendimi kryesor që e çoi përpara sipërmarrjen time. Nuk kisha mundësi të paguaja promovimin e faqes time në internet kështu që vendosa të jap intervista në televizionet lokale në mënyrë që të reklamoheshin punimet e mia dhe kështu filluan shitjet e para online.

BM: Çfarë vështirësish keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj të sipërmarrjes? Si i keni përballuar ato?

S: Vështirësitë janë të shumta që në gjetjen e lëndës së parë që mund të jetë dërrasë, gur, trung, degëz, qeramikë, qelq, etj; dhe deri në transportimin e tyre.

P.sh për të gjetur një gur për ta pikturuar duhet të kërkosh dhe të gjesh formën që të intereson, ndërsa për transportin, për punimet e mia është shumë e vështirë lëvizja në panaire sepse qeramika thyhet. Për të mbledhur lëndën e parë më duhej një automjet të cilin ma bëri dhuratë bashkëshorti për festat e 7-8 marsit këtë vit unë e them me plot gojë që më ka dhënë krahë të fluturoj me këtë dhuratë që më bëri.

BM: “Do you have an idea?” ideja juaj u pëlqye shumë nga juria, madje ju ofruan ndihmë për t’u bërë pjesë e një panairi për të ekspozuar punimet tuaja. A është realizuar premtimi i dhënë?

S: Në emisionin “Do you have an idea” mora 2 premtime. I pari ishte nga Z. Avenir Kika, një ekspozitë – shitjeje te “Qendra Kulturore Tulla” e cila menaxhohet nga këngëtari i mirënjohur Z. Alban Nimani dhe ndodhet te “Komuna e Parisit” e organizuar më datë 17.04.2017 dhe pati shumë sukses.

Premtimi tjetër mu dha nga kryetari i Dhomës së Tregtisë Z. Nikolin Jaka që konsistonte në dhënien e një stende falas për të tre panairet që do organizojë Dhoma e Tregtisë gjatë vitit 2017 edhe ky premtim është mbajtur dhe në datat 18, 19, 20 Maj do jem në panairin që zhvillohet te “Pallati i Kongreseve” në Tiranë.

BM: Ku e shihni “Creativity Zone by Stela” mbas disa vitesh? Çfarë objektivash i keni vendosur vetes?

S: “Creativity zone by Stela” me këtë ritëm do të jetë showroom-i më i madh në Shkodër ku do të shiten jo vetëm punimet e mia por edhe të artizanëve të tjerë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Që do të thotë se do jetë pikë referimi për turistët dhe për çdo person që kërkon ide për dhurata!

BM: Faleminderit për intervistën! Ju urojmë suksese!

/Artikulli u publikua më parë në faqen 19 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0