Kur ndjeni etje dhe doni të freskoheni, cilat pije janë më të mirat për t’ju mbajtur të hidratuar? Shumica prej nesh do të zgjidhnin një gotë ujë, por sipas një studimi të Universitetit të Shën Andreas në Skoci, uji i zakonshëm nuk është gjithmonë opsioni më hidratues.
Studiuesit analizuan reagimin e trupit ndaj disa llojeve të ndryshme pijesh dhe zbuluan se edhe pse uji, i thjeshtë apo me gaz është i shpejtë në hidratim, pije që përmbajnë pak sheqer, yndyrë apo proteina, janë edhe më efikase për ta mbajtur trupin të hidratuar për një periudhë më të gjatë. Sipas profesor Ronald Maughan nga Fakulteti i Mjekësisë i këtij universiteti, kjo lidhet me mënyrën se si trupi ynë përpunon pijet. Një nga faktorët kryesorë është volumi i pijeve: sa më shumë të pini, aq më shpejt lëngu zbrazet nga stomaku dhe përthithet në gjak, duke ndihmuar në hidratimin e trupit. Por rëndësi ka edhe përbërja ushqimore e pijes, për shembull, qumështi doli të jetë më hidratues se uji i zakonshëm.
Qumështi hidraton më mirë se uji
Qumështi përmban laktozë (sheqer), proteina dhe yndyrë, që ngadalësojnë zbrazjen e lëngut nga stomaku dhe nxisin një hidratim më të qëndrueshëm. Gjithashtu, ai përmban natrium, një mineral që ndihmon trupin të mbajë lëngjet dhe të prodhojë më pak urinë. Ky efekt është i ngjashëm me zgjidhjet orale të rehidrimit që përdoren për të trajtuar diarrenë të cilat përmbajnë sheqer, natrium dhe kalium. “Ky studim konfirmon atë që tashmë dihet: elektrolitet si natriumi dhe kaliumi përmirësojnë hidratimin, ndërsa kaloritë në pije ngadalësojnë procesin e zbrazjes së stomakut dhe si rrjedhojë edhe urinimin,” tha dietologia Melissa Majumdar, një trajnere personale dhe zëdhënëse e Akademisë së Dietologjisë në SHBA.
Lexo edhe:Çfarë është Fintech 3.0, epoka që po thyen barrierat financiare
Sheqeri në moderim
Por ka edhe një pikë të rëndësishme për t’u pasur parasysh: pijet me përqendrim të lartë të sheqerit si lëngjet e frutave apo pijet e gazuara nuk janë po aq hidratues sa pijet me përmbajtje më të ulët sheqeri. Kur këto pije arrijnë në zorrën e hollë, trupi i nënshtrohet një procesi të quajtur osmozë, ku uji “tërhiqet” nga pjesa tjetër e trupit për të holluar sasinë e sheqerit të përqendruar në zorrë. Në thelb, kjo do të thotë që ato mund të shkaktojnë humbje uji dhe jo përthithje. Lëngjet e frutave apo pijet e gazuara jo vetëm që janë më pak hidratues, por gjithashtu përmbajnë sheqerna dhe kalori shtesë që nuk na ngopin siç do të ndodhte me ushqimet e ngurta. “Nëse duhet të zgjidhni mes një pije të gazuar dhe ujit për qëllime hidratimi zgjidhni gjithmonë ujin,” tha Majumdar. Uji është thelbësor për funksionimin e veshkave dhe mëlçisë, për largimin e toksinave dhe për ruajtjen e elasticitetit të lëkurës. Është hidratuesi më ekonomik që mund të gjeni.
Kujdesi për hidratimin është kyç
Hidratimi i mirë ndihmon në lubrifikimin e kyçeve, parandalon infeksionet dhe ndihmon në transportin e lëndëve ushqyese në qeliza. Në shumicën e rasteve, njerëzit nuk duhet të shqetësohen tepër për cilat pije janë më hidratueset – trupi di të kërkojë ujin që i nevojitet. “Nëse ndiheni të etur, trupi do t’ju nxisë të pini më shumë,” thotë Maughan. Por në raste të veçanta, si për atletët që stërviten në kushte të nxehta dhe me djersitje të lartë apo për ata që punojnë për periudha të gjata pa pushime për pije – hidratimi bëhet një çështje thelbësore për performancën fizike dhe mendore.
A na hidratojnë birrat dhe kafet?
Alkooli në vetvete është diuretik, që do të thotë se nxit urinimin. Por gjithçka varet nga sasia e përgjithshme e lëngut që konsumoni. “Birra sjell më pak humbje uji krahasuar me pije më të forta si uiski, sepse përmban më shumë lëngje,” shpjegon Maughan. “Pijet me përqendrim të lartë alkooli dehidratojnë, ndërsa ato më të lehta, jo.” Sa i përket kafesë, gjithçka varet nga përmbajtja e kafeinës. Një kafe normale me rreth 80 mg kafeinë (si një gotë 350 ml nga një markë e zakonshme) ka efekt të ngjashëm hidratues me ujin. Por nëse konsumoni më shumë se 300 mg kafeinë (rreth 2-4 filxhanë), mund të përjetoni humbje të lehtë lëngjesh për shkak të efektit diuretik afatshkurtër të kafeinës veçanërisht nëse nuk jeni konsumues i rregullt i saj. Këtë efekt mund ta neutralizoni duke shtuar pak qumësht në kafenë tuaj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.