Çfarë përfitimesh shtesë do të marr Shqipëria nga TAP? - Business Magazine Albania

Çfarë përfitimesh shtesë do të marr Shqipëria nga TAP?


Republika e Shqipërisë dhe Konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP AG) nënshkruan dje në Tiranë amendimin e Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) dhe marrëveshjet shoqëruese për përfitimet vendase dhe angazhimin për zhvillimin e tregut të gazit së bashku me Memorandumin e Mirëkuptimit që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes për sistemin e gazsjellësit TAP në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto dokumente do të ndjekin procedurat përkatëse ligjore për miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave dhe më pas Parlamenti i Shqipërisë.

Marrëveshjet për palën shqiptare u firmosën nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri ndërsa për konsorciumin TAP prej drejtorit menaxherial, z. Ian Bradshaw. Ato janë rezultat i shtatë muajsh negocime mes palëve.

Amendimet përkthehen në përfitime shtesë për Shqipërinë si:

  • Rishikimi i periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatimfitim, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh;
  • Rritja e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;
  • Dyfishim i fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350.000 euro në 700.000 euro;

Memorandumi i Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz, (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale;

Gjithashtu, nga ana e TAP u shpreh vullneti për të përmbushur disa detyrime të tjera për sa i përket:

1) sigurimit financiar të aktiviteteve në seksionin që shtrihet në territorin shqiptar;

2) mundësisë së kufizimit të kohëzgjatjes së MQVP-së në 25 vjet në rastin e plotësimit të kushteve të përcaktuara;

3) zgjatjes së afatit të rimbursimit të TVSH-së nga 30 në 180 ditë dhe 4) dhënies së të drejtës palës shqiptare për të marrë të njëjtat përfitime nëse TAP lidh marrëveshje tjetër MQVP me një shtet tjetër pritës.

“Kjo marrëveshje e amenduar i krijon mundësinë Shqipërisë që të trajtohet tashmë në mënyrën e duhur dhe të ribalancojë angazhimet e saj kontraktuale si vend pritës i gazsjellësit, duke maksimalizuar përfitimet. Qeveria e Shqipërisë mirëpret angazhimin e TAP për vazhdimin e projekteve të investimit në dobi të komuniteteve lokale, në infrastrukturën energjetike dhe atë të transportit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Drejtori menaxherial i TAP, z. Ian Bradshaw u shpreh: “Dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Shqipërisë dhe popullin shqiptar që e kanë mirëpritur gazsjellësin TAP. Ne do të vijojmë të jemi ‘fqinj’ të mirë dhe një korporatë me përgjegjshmëri të lartë shoqërore e qytetare dhe do të mbështesim projekte sociale dhe mjedisore që sjellin përmirësime të qëndrueshme në cilësinë e jetës së komuniteteve që jetojnë pranë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri.”

Negociatat mes qeverisë shqiptare dhe TAP, zhvilluar në maj-dhjetor 2016 janë mbështetur gjithashtu nga qeveria e Zvicrës përmes projektit të ndërtimit të kapaciteteve në sektorin e gazit. Përmes granteve të ofruara u angazhua një konsorcium i drejtuar nga studio “Roland Berger” që ndihmoi qeverinë shqiptare në krahasimin e marrëveshjeve dhe negocimin e Shqipërisë me TAP.

“Marrëveshja e sotme mes autoriteteve publike dhe investitorëve të TAP nënkupton progres për sektorin e energjisë dhe gazit në Shqipëri. Shqipëria është tashmë në rrjetin ndërkombëtar të gazit dhe energjisë. Njësoj si vendet fqinje anëtare të Bashkimit Europian, Greqia dhe Italia, ajo mund të gëzojë të njëjtat të drejta dhe përfitime nga ky investim strategjik. Ne mund të themi se, më së fundi, Shqipëria është pjesë e rrjetit të TAP”, vlerësoi z. Philipp Keller, zv.ambasador i Zvicrës.

Shqipëria është vendi i parë që firmosi me TAP Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) në prill 2013. Bazuar mbi përcaktimet ligjore të kësaj marrëveshjeje, pala shqiptare kishte të drejtën të kërkonte përshtatjen e termave të saj për të siguruar trajtim të barabartë dhe kushte jo diskriminuese.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0