Bujkrobëria në kohët moderne - Business Magazine Albania

Bujkrobëria në kohët moderne

Bujkrobëria

Shkruar nga Blanka Xhani, kontributore

Pak histori si fillim për të bërë krahasimin e dy epokave në pamje kaq të ndryshme, që edhe se me shumë shekuj në mes, janë kaq të ngjashme midis tyre. Rendi shoqëror është pothuajsë i njëjti edhe në ditët tona. Konceptet dhe emërtimet kanë ndryshuar, por mënyra e të vepruarit qëndron po ajo.

Sistemi feudalist pati kulmin e vet në shekullin e IX dhe të XV në Europën Perëndimore. Fraza “shoqëri feudale” siç përcaktohet nga Marc Bloch, përfshin brenda strukturës feudale jo vetëm aristokracinë luftëtare të lidhur nga vasaliteti, por edhe fshatarësinë të lidhur nga toka dhe shihej si një formë e “politikës të tokës”.  Në terma të gjerë, një zot ishte një fisnik që mbante tokë, një vasal ishte një person, të cilit i ishte dhënë zotërimi i tokës nga zoti dhe toka njihej si një feud.

Tre ndarjet kryesore të asaj kohe ishin feudalët, kleri dhe popullsia. Kjo e fundit ishte e përbërë nga fshatarë të lirë dhe ata rob (90% e tyre) të cilët ishin të lidhur fort më tokën “rob të tokës”, që jetonin me tokën dhe nuk mund të largoheshin prej saj, me pak fjalë ata quheshin “Bujkrob”.

Bujrobi ishte rob i feudalit a i çifligarit, i cili shfrytëzohej prej tij, nuk kishte asnjë të drejtë mbi tokën, mbi mjetet e punës, mbi prodhimet dhe asnjë të drejtë qytetarie.

Atëherë le të kthehemi sot në ditët tona, pra 2021, ku sistemi kapitalist është një sistem ekonomik, në të cilin individët ose bizneset private zotërojnë mallra kapitale. Prodhimi i mallrave dhe shërbimeve bazohet në ofertën dhe kërkesën në tregun e përgjithshëm, e njohur si një ekonomi tregu.

Mes kritikave të kapitalizmit janë të spikatura akuzat se kapitalizmi është natyrshëm shfrytëzues, tjetërsues, i paqëndrueshëm, krijon pabarazi ekonomike masive, modifikon njerëzit dhe është anti-demokratik, çon në një erozion të të drejtave të njeriut, ndërsa stimulon zgjerimin dhe luftën imperialiste.

Çfarëdo fitimi material që punëtorët arrijnë, vjen me një çmim shumë të lartë njerëzor dhe me një humbje të thellë të dinjitetit të njeriut.  Shikoni pak me vëmendje si punëdhënësit qeverisin jetën tonë, si CEO-ot janë totalitarët e rinj, të cilët “mendojnë për veten e tyre si individualist”, ndërsa veprojnë në praktikë si ” diktatorë të qeverive të vogla komuniste”. Ne e imagjinojmë veten të lirë, por në mënyrë efektive shkëmbejmë lirinë tonë në këmbim të pagës, duke dorëzuar veten tonë, jetët tona personale në duart e një menaxhimi në pamje “dashamirës”.

Lexo: Gjenerata Z me shumë pasoja nga COVID – 19

Çfarë ka për qëllim të plotësohet në një sistem kapitalist? Thelbi i tij në vetvete është që të mirat dhe përfitimet duhet të shpërndahen në bazë të kontributit që gjithsecili jep në shoqëri. Kontributi mund të matet me punë, produktivitet por realisht a kemi një shpërblim të denjë për punën e kryer?

Sa nga ne kanë punuar mbi 8 orë në ditë, duke u përkthyer në 50 orë javore, të varur përpara një kopjuteri për një copë “rrogë “në fund të muajit? A jemi paguar per orët jashtë orarit standard? Sa nga ne u është thënë se është paaftësia juaj për të mbaruar punën gjatë 8 orarëshit? A bëhet një analizë e punëve dhe kohës nga punëdhënësi? A kemi të bëjmë me një rast konkret të shkeljes të të drejtave të njeriut, “E drejta për t’u shpërblyer për punën e kryer”?

A jemi të lidhur ngushtësisht me punën e tyre dhe nëse e humbin atë sa do e gjejnë veten në tregun shqiptar? Humbja e punës është e barabartë me varfëri totale, pamundësi për të shlyer energjinë elektrike, për të paguar ujin, kredinë e shtepisë, kredinë për makinë apo dhe ushqimet.

A e keni menduar ndonjëherë lejen vjetore, disa nuk arrijnë ta konsumojnë atë, të njohur me Kodin e Punës në minimum 20 ditë në vit. Disa e “konsumojnë” lejen vjetore me telefonin takuar në vesh, duke iu përgjigjur vazhdimisht kërkesave të ndryshme të menaxherit përkatës dhe me emailin e punës të instaluar në celular. A nuk është një shkelje e pastër e të drejtave të njeriut “E drejta për pushim”?

Të gjithë, dashje pa dashje, bëhemi të varur nga një pagë dhe një vend pune, duke mos lëvizur për vite më rradhe nga ajo kompani , duke pritur rritjen e shumëpritur të pagës apo promovimin e premtuar ndër vite, që nuk do të vijë kurrë.

Lexo: Ja pse duke punuar më pak mund të zgjidhen të gjitha problemet tuaja

Ku qëndron ndryshimi i një punëtori të ditëve tona me një bujkrob të shekullit të XV?

Punëtori prodhon sot të mira dhe shërbime për dikë tjetër dhe për vete nuk përfiton asnjë nga këto të mira të prodhuara, përkundrazi paguan ndonjëherë të njëjtin çmim si konsumatori në treg. Domethënë, në thelb ata të mbajnë të lidhur fort me vendin e punës, duke të hequr indirekt lirinë personale. Vitet kalojnë dhe shumë nga ne nuk e gjejmë asnjëherë forcën për të ndryshuar.

Të marrin jetën, vitet më të bukura, të marrin ëndërrat, të zhvlerësojnë dhe pastaj “të hedhin në plehra” sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Të premtojnë trajnime dhe zhvillime profesionale, përfitime monetare dhe jo monetare, pozicione në hierarkinë menaxheriale, pastaj mbasi të fusin në grackën e tyre, maksimumi që bëjnë është të ngjyrosin pak “kafazin” ku ti jeton gjatë gjithë ditës. Nga një tavolinë më e vogël, ke një më të madhe dhe ndoshta ke dhe një dritare në krah,  por përsëri je në kafaz, në varësi të tyre dhe je mes katër muresh. Liria jote përsëri është në dorë të kompanisë.

Përfytyroni në një moment një bujkrob, i cili punon i lidhur me tokën gjithë ditën për t’i siguruar vasalit të vet prodhimet që i jep toka, një lëvizje horizontale nga fillimi i tokës deri në fund, asnjë hap më shumë. Dhe në anën tjetër, imagjinoni punonjësit të një ndërtesë përsëri pa të drejtë lëvizje me orë të tëra, maksimumin e lëvizjes e ka vertikale, nga kati zero i godinës në katin X.

Bujkrobi me kokën ulur duke punuar tokën, punonjësit sot përsëri me kokën ulur përpara tastierës dhe të fiksuar përpara kompjuterit.

Ti punon për vite me radhë duke hequr orë nga jeta jote, orë me familjen, fëmijët, miqtë dhe të dashurit e tu. Kush e mati dobishmërinë e këtij veprimi, kush u vuri orëve tona një çmim apo një vlerë? Kush e përktheu kohën më një rrogë në fund të muajit? A është pushteti gjithmonë në duar të një grupi të vogël njerëzish? A janë ligjet e biznesit ndonjëherë të pandershme dhe jo etike të kontrolluar përsëri nga të njëjtët njerëz? A zotërohen të mirat materiale përsëri nga një minorancë njerëzish? Punonjësit a gjenden përsëri në të njëjtat situata ku punojnë dhe në fund të muajit pas pagimit të të gjitha detyrimeve nuk u mbetet asnjë e ardhur?

Për më shumë të mos harrojme atë moment kur të bëhet një vlerësim i performancës, në pamje i drejtë nga eprorët e tu në lidhje me shpërblimin. Ti nuk ke të drejtë të kundërshtosh, mund të flasësh, por fjala jote nuk ka fuqi. Pra, humbet të drejtën e fjalës dhe të një shpërblimi të drejtë. Ndonjëherë ke dhe frikë të flasësh se mos humbet vendin e punës.

E keni menduar ndonjëherë sa orë pune bëni në ditë, duke llogaritur dhe punët e shtëpisë edhe se janë të papaguara? E keni menduar ndonjëherë sa orë në muaj i jepni vetes në argëtime dhe hobi, udhëtime, palestër, një teatër, kinema apo çfarëdo lloj aktiviteti tjetër argëtues?

Një pjesë e mirë nuk ka financa për të përballuar argëtimin ose hobin dhe një pjesë nuk ka kohën për ta përballuar atë.

Pra, në fund të ditës je aq ngushtë i lidhur me vendin e punës, siç ka qenë dhe dikur bujkrobi me tokën e tij.

Atëherë një përkufizim për punonjësin, i cili në shumicën e rasteve nuk trajtohet si kapital human, por si rob i kompanisë, i cili shfrytëzohet prej saj, që nuk ka asnjë të drejtë mbi kompaninë, mbi asetet e kompanisë, mbi prodhimet dhe shërbimet e saj dhe shumicën e rasteve, të drejtat e tyre janë lehtësisht të kërcënueshme si “e drejta e shpërblimit”, “e drejta e pushimit” apo “e drejta e organizimit në sindikata”.

Ajo që shumica e njerëzve duan është një punë që paguan një pagë të denjë dhe ofron si kënaqësi ashtu edhe siguri. Siguri, e cila u mungon shumë prej nesh dhe për të cilën të gjithë e kemi domosdoshmërinë për të vazhduar jetën.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0