Vetëpunësimi, mundësi për të përfituar të ardhura shtesë. Si ta realizojmë nga ideja deri në zbatim vetëm në 27 ditë? » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 02/09/2018

Vetëpunësimi, mundësi për të përfituar të ardhura shtesë. Si ta realizojmë nga ideja deri në zbatim vetëm në 27 ditë?

Share
nga Odeta Terpini
Sht 02, 2018

Nëse dëshironi të lexoni tregimet e njerëzve të vërtetë që gjetën pemën e parave dhe e bënë atë të lulëzojë, libri i shkrimtarit dhe sipërmarrësit Chris Guillebeau “ Side Hustle” është për ju.

Faqja e tij e internetit: http://ChrisGuillebeau.com vizitohet nga një milionë njerëz në muaj.

Sipas autorit, nëse nuk keni guximin të lini një punë që nuk e doni, por doni të mësoni, eksperimentoni dhe provoni veten ose, edhe nëse e doni punën tuaj, të pasurit e një ose më shumë se një burim të ardhurash, do t’ju japë më tepër siguri dhe liri për të zgjedhur midis mundësive të ndryshme. Kërkoni një udhërrëfyes të detajuar me shembuj, për të nisur një ide që do t’ju bëjë të fitoni para shtesë dhe, duke shfrytëzuar aftësitë dhe pasionet tuaja, ndoshta do të keni sukses në ndryshimin e jetës suaj,.

Së pari, duhet të kuptoni sesi të krijoni ide fitimprurëse. Sekreti është veprimi. Viheni në zbatim idenë tuaj para se të jeni plotësisht të gatshëm, pastaj përsoseni atë pas vlerësimit të rezultateve fillestare.

Konceptimi i Side Hustle

Si mund ta përkufizojmë çfarë është Side Hustle? Mund ta përcaktojmë atë si projekt apo mënyrë për të përftuar të ardhura shtesë.

Jemi të gatshëm të heqim dorë nga një punë e qëndrueshme me një pagesë të rregullt dhe të krijojmë një burim shtesë të të ardhurave (me investime të zvogëluara të kohës, parave dhe përpjekjeve) pa cënuar sigurinë e një pune me kohë të plotë?

Ky libër do t’ju tregojë sesi ta realizoni pikërisht këtë në vetëm 27 ditë, duke ju udhëzuar hap pas hapi nga ideja deri te zbatimi. Kur të ardhurat tuaja vijnë nga burime të ndryshme, keni më shumë zgjedhje dhe nuk jeni më të varur nga tekat e një punëdhënësi të vetëm.

Java e parë: Duhet të ndërtoni një arsenal të ideve

E gjitha fillon me një ide: Javën e parë do mësoni sesi të krijoni ide të biznesit që funksionon.

Dita 1: Parashiko të ardhmen

Filloni menjëherë të mendoni për të ardhmen tuaj, një punë dytësore mund të përmbushë tre objektiva kryesore: 1) të fitoj para shtesë për një qëllim të caktuar; 2) të krijoj një burim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të të ardhurave që vërtet sjellin një ndryshim në cilësinë e jetës; 3) të zëvendësoj ose tejkaloj të ardhurat e punës aktuale.

Dita 2: Mëso si rriten paratë në bimë

Qëllimi juaj është të filloni një projekt ose të gjeni një mënyrë që do të fitoni para në një periudhë të shkurtër kohore. Nëse mendoni për idenë tuaj, e nuk ndiheni të ngazëllyer, nëse nuk prodhon të ardhura, nëse duhen tre vjet për ta realizuar, braktiseni atë. Një ide me fuqi të lartë duhet të jetë e realizueshme, fitimprurëse dhe bindëse. Për të kuptuar nëse është e tillë, bëni pyetjet e mëposhtme:

A mund ta përshkruani këtë ide me një fjali? A ka ndonjë mënyrë të qartë dhe të dukshme për të fituar para me këtë ide? A zgjidh problemet e dikujt? A mund të transformohet lehtë në realitet? Mund të siguroni të ardhura të vazhdueshme?

Dita 3: Shpik, merr hua apo kopjo idetë

Qëllimi juaj është ta ktheni një ide në diçka që ka vlerë reale dhe që prodhon të ardhura me kalimin e kohës. Kushtojini vëmendje gjithçkaje rreth jush, merrni parasysh të gjitha mundësitë e mundshme kudo që të shkoni. Gjithmonë bëni pyetje si: Çfarë po bëjnë këta njerëz? Për çfarë kanë nevojë?

Ekzistojnë 3 lloje themelore të Side Hustle: shitja e një produkti, dhënia e një shërbimi ose veprimi si ndërmjetës

Nëse nuk keni idenë, ju mund të merrni një shembull nga kjo listë: shitni produktet tuaja artizanale në internet; ofroni shërbime on-line ( të drejtpërdrejtë) të mësimit në fushën tuaj të ekspertizës; bëni dhe shisni një udhërrëfyes turistik për qytetin tuaj ose krijoni një burim interneti për turistët të mbështetur nga reklamuesit; krijoni një kurs online (ose offline) në një temë që e njihni mirë; vizitoni tregjet ose dyqanet e dorës së dytë dhe blini artikuj për rishitje; menaxhoni mediat sociale për bizneset e vogla; krijoni një faqe interneti ku njerëzit paguajnë një tarifë për anëtarësim; të kenë qasje në informata të dobishme për një temë të veçantë; merr me qira një dhomë në Airbnb; dhe kështu me radhë.

Dita 4: Pesho pengesat dhe mundësitë e çdo ideje

Tani që ju keni disa ide, shqyrtojini ato në mënyrë më të hollësishme për të nxjerrë përfundimin, të mirat dhe të këqijat e tyre. Përgatitni një listë të mundësive dhe pengesave për çdo ide, duke iu përgjigjur pyetjeve, si: Çfarë duhet të filloj dhe sa kushton? Çfarë pengesash do të gjej në fillimin e kësaj ideje? Sa e vështirë do të jetë shitja ime e parë? A ka ndonjë që ka bërë tashmë të njëjtën gjë? Cili do të jetë fitimi?

Dita 5: Parashiko fitimin në anën e pasme të një pecete

Për të vlerësuar fitimin e projektit nuk keni nevojë për një diplomë në ekonomi, vetëm një fletë, një stilolaps dhe fuqinë e vëzhgimit. Krahasoni fitimin e mundshëm të ideve tuaja të ndryshme për të parë se cili është më i dobishmi për t’u angazhuar dhe braktisur të tjerët.

Java e dytë: Zgjidhni idenë më të mirë

Mësoni t’i klasifikoni menjëherë dhe t’i krahasoni idetë në mënyrë që të jeni të sigurt për të vazhduar në drejtimin me probabilitetin më të lartë të suksesit.

Dita 6: Krahaso idetë

Mësoni të aplikoni logjikën për të zgjedhur idenë më të mirë për atë çast. Krijoni një tabelë të thjeshtë për çdo ide, duke treguar në njërën anë karakteristikat themelore të një ideje të mirë ( i mundshëm, fitimprurës, bindës, i frytshëm etj.) dhe tjetri një votë ( të ulët, të mesëm dhe të lartë) për çdo karakteristikë. Ideja që do të marrë notat më të larta do të jetë fituesja.

Nëse ju nuk mund të vendosni, mbani mend se nuk jeni duke marrë një vendim për jetën; ju jeni vetëm duke zgjedhur idenë e duhur për kohën e duhur.

Dita 7: Bëhu hetues

Ndërsa përparoni me idenë tuaj, inspektoni terrenin, studioni çfarë bëjnë konkurrentët tuaj (vëreni faqet e tyre të internetit, lexoni kritikat e konsumatorëve) për të parë se çfarë funksionon dhe ku kanë bërë gabime, në mënyrë që të përpiqeni të bëni më mirë apo ndryshe.

Dita 8: Pi një kafe imagjinare me klientin tënd ideal

Ekziston një person që përfaqëson klientin tuaj të përsosur, “avatarin” tuaj, ai që ka nevojë të dëshpëruar për atë që ju duhet të ofroni. Pyesni veten se çfarë mund të mësoni ju nga ai, çfarë dëshiron me të vërtetë ai, cilat janë shpresat, ëndrrat, dobësitë e tij. Përgjigjet do t’ju udhëheqin për të përgatitur një nisje që ka ndikim shumë të madh.

Dita 9: Kthe idenë tënde në një ofertë

Që ideja juaj të funksionojë në botën reale, duhet ta ktheni atë në një ofertë. Një ofertë e plotë duhet të përfshijë elementet e mëposhtme: një premtim (në ç’mënyrë ideja juaj do të ndryshojë jetën e klientëve tuaj), një prezantim (për çfarë arsye ata duhet ta blejnë/regjistrojnë tani) dhe një çmim (sa kushton për ta blerë/regjistruar dhe si ta bëni). Premtimi duhet të jetë një deklaratë e shkurtër që tërheq vëmendjen dhe menjëherë parashtroni përfitimet për konsumatorin. Paraqitja apo njohja e parë duhet të sigurojë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe të përcjellë një urgjencë. Çmimi duhet të tregojë sa kushton produkti ose shërbimi, çfarë saktësisht përfshin dhe si duhet ta bëjë këtë (thirrje për veprim).

Dita 10: Krijo historinë e origjinës tënde

Mos u jepni klientëve fakte të thjeshta, tregohuni atyre një histori, një tregim bindës dhe nxitës përse ka lindur biznesi juaj. Një histori e mirë, zakonisht, paraqet një pikë kthese, një transformim në të cilin karakteri zhvillohet në mënyrë të konsiderueshme. Tregoni arsyen që ju çoi të filloni biznesin tuaj dhe shkakun pse e zgjodhët atë mes shumë ideve të tjera, kur ju ka ardhur frymëzimi, hollësitë personale do t’ju ndihmojnë të lidheni me klientin tuaj ideal.

Java e tretë: Përgatituni për ngritje

Tashmë e keni zgjedhur idenë, e keni kthyer atë në një ofertë dhe e dini se kush është klienti juaj ideal. Tani ju duhet të siguroheni që klienti juaj nuk mund të bëjë më pa ofertën tuaj, pa u futur në detaje të parëndësishme.

Dita 11: Mblidh gjithçka

Shkathtësia është aftësia më e çmuar në një projekt dytësor. Nëse nuk mund të gjeni gjithçka që ju nevojitet, ndërtojeni vetë. Nëse hasni një problem, gjeni një mënyrë për ta zgjidhur atë. Nëse e dini se çfarë doni, do të gjeni gjithashtu një mënyrë për ta bërë atë të ndodhë. Aspektet praktike të biznesit tuaj (dhe ato administrative) janë vetëm hollësi, shpesh një konsultim, është i mjaftueshëm. Më e rëndësishme është të kuptohet nëse një ide është e realizueshme, sesa të dini se cilin software duhet të përdorni.

Dita 12: Vendos çmimin e ofertës tënde

Për sa kohë që nuk ju paguajnë, ju keni një dëshirë, jo një veprimtari. Dita e vëzhgimit (dita 7) do t’ju mësojë se cili është çmimi për produktet ose shërbimet e ngjashme me tuajat. Po në qoftë se ideja juaj është e re? Çmimi duhet të jetë mjaft i ulët, në mënyrë që klientët të mos tërhiqen dhe të jetë aq i lartë saqë veprimtaria të jetë e vlefshme. Përdorni modelin kosto-plus, që është: kostoja e prodhimit, plus shtesa, që do të jetë fitimi juaj. Nëse shitni një produkt, ju duhet të kuptoni se cili është fitimi më i vogël i pranueshëm për artikull ose për shitje; nëse ofroni një shërbim, ju duhet të përcaktoni se cila është kostoja më e ulët e pranueshme në orë ose ajo bazë.

Dita 13: Bëj një listë të shpenzimeve

Ideja juaj do të ketë nevojë për burime dhe mjete të veçanta; mësohuni të gjeni, të ose të krijoni gjithçka që ju nevojitet për të sjellë ofertën tuaj në treg. Receta e duhur për projektin tuaj do të jetë unike dhe origjinale, por disa përbërës janë të përbashkët për të gjithë: një faqe interneti, profilet e mediave sociale, mjetet e planifikimit (për veprimtaritë që llogariten ne bazë të kohës që i kushtoni), administrimin e rrjedhës së punës dhe, së fundi, një sistem pagese.

Dita 14: Vendos një mënyrë pagese

Para se të vazhdoni, sigurohuni që të keni përgatitur një sistem konkret për t’u paguar për punën tuaj. Bëjeni atë sa më të thjeshtë që të jetë e mundur për klientin tuaj. Fillojeni me një teknologji të thjeshtë, mund ta përmirësoni metodën më vonë, në rast se ideja jep frute dhe veprimtaria zhvillohet.

Dita 15: Planifiko vërshimin e punës

Jeni gati për të nisur idenë tuaj, në këtë rast përgatisni një listë, duke renditur të gjitha veprimtaritë dhe proceset që do të hasni përgjatë rrugës për të përfunduar projektin. Lista, do të përmbledhë të gjitha veprimet që klienti do të duhet të bëjë nga zbulimi i idesë suaj, deri në blerje: kjo listë quhet vërshimi i punës. Për t’i parandaluar dhe për t’u gjetur zgjidhje gabimeve të parëndësishme, drejtojeni vetë procesin.

Dita 16: Shpenzo 10% më shumë kohë në detyrën më të rëndësishme

Mos humbni kohë në hollësi të parëndësishme, shmangni këtë kurth nga fillimi, përqendrohuni vetëm në dy gjërat më të rëndësishme: të ndryshoni jetën e njerëzve dhe të bëni më shumë para. Për të përmirësuar përvojën e klientëve tuaj, ju duhet të shkoni përtej pritshmërive të tyre, t’u përgjigjeni nevojave të tyre të pashprehura për të nxjerrë në pah rezultatet pozitive. Për të rritur fitimet tuaja, ju mund të planifikoni rritje të rregullt të çmimeve, të rrisni ofertat, të filloni një projekt të ri.

Java e katërt: Provoni idenë tuaj tek njerëzit e duhur

Pas planifikimit të kujdesshëm, ju jeni gati për të sjellë ofertën tuaj në treg.

Dita 17: Publiko ofertën tënde

Koha më e mirë për të nisur idenë dhe për të parë se çfarë ndodh është kur nuk jeni plotësisht gati. Në fakt, nuk e dini nëse një ide do të funksionojë, derisa ta shihni atë në veprim dhe, sa më shpejt që të merrni një përgjigje nga klientët tuaj, aq më mirë do të jetë. Nëse jeni duke kërkuar përsosmërinë, programi juaj në 27 ditë do të bëhet një plan njëzetvjeçar.

Dita 18: Gjej strategjinë e duhur për shitjen

Edhe nëse ju ofroni një produkt apo shërbim të mirë, paratë nuk bien nga qielli; keni nevojë për një strategji për të shitur dhe është mirë që të jetë e natyrshme dhe jo agresive. Mos harroni se klienti juaj ideal po kërkon, ju duhet të siguroheni që të jeni. Përparësitë e ofertës suaj duhet të jenë të qarta, të veçanta dhe t’i përgjigjen një nevoje emocionale; duhet të përmirësojnë jetën, ta thjeshtojnë atë. Mos harroni të tregoni histori që tregojnë se sa e vlefshme është oferta juaj, e dobishme dhe fantastike.

Dita 19: Kërko ndihmë 10 personave

Asnjë projekt nuk mund të lulëzojë pa ndihmën e miqve dhe mbështetësve. Mos u kërkoni ndihmë të përgjithshme, por gjëra të veçanta njerëzve që kanë kompetencë dhe pozitë për t’i bërë ato.

Dita 20: Vazhdo testimin

Kur ju jeni në fillim të një projekti, nuk e dini ende se cila do të jetë qasja më e frytshme, për ta gjetur atë, provoni mënyra të ndryshme testimi, duke marrë parasysh rezultatet, të dhënat nuk gënjejnë. Testi më i thjeshtë për të bërë është një test A/B; d.m.th, ofroni dy versione të një produkti ose një oferte dhe kontrolloni se cili është më i përzgjedhuri. Tri gjërat themelore për t’u testuar janë: produkti/shërbimi, oferta dhe çmimi.

Dita 21: Inkurajo konsumarorët për të blerë

Shitjet, marrëveshjet, paraqitjet, zbritjet dhe ofertat speciale janë arma sekrete për të inkurajuar konsumatorët për të blerë. Mos harroni dy variantet psikologjike që ndikojnë: perceptimi i pamjaftueshmërisë (burimet dhe mundësitë janë të kufizuara, ka vetëm disa në dispozicion) dhe ndjenjën e urgjencës (burimet dhe mundësitë nuk do të jetë në dispozicion përgjithmonë, por vetëm për një periudhë e shkurtër kohe).

Dita 22: Vër në kornizë bankënotën tënde të parë

Merrni pak kohë për të festuar rezultatet e para. Ende ka shumë punë për të bërë, por një fitore e vogël mund të jetë jashtëzakonisht e kënaqshme.

Java e pestë: Riorganizo dhe përsos

Ideja juaj është atje në treg. Urime! Tani, le të shohim se çfarë mund të bëni për të rritur fitimin.

Dita 23: Gjurmo përparimin dhe vendos hapat e ardhshëm

Për të vlerësuar nëse projekti juaj ka arritur rezultatet e dëshiruara, duhet të mbani nën kontroll informacionet që do të grumbulloni në tri fushat më të rëndësishme: fitim (të ardhura me pak shpenzime), rritje (numri i klientëve të rinj), koha (orë në javë që shpenzoni për të bërë punën e projektit), pastaj vendosni nëse ia vlen të vazhdoni në të njëjtin drejtim.

Dita 24: Kultivo atë që funksionon dhe lër pjesën tjetër

Ndërsa puna juaj rritet, ka mundësi të panumërta për t’u zgjeruar.

Identifikoni ose njëjtësoni se çfarë funksionon dhe përqendrohuni në të. Për shembull, nëse shisni tre sende dhe njëra nga këto është duke shkuar më mirë se të tjerat, përkushtohuni për rritjen e shitjeve të artikullit më të shitur dhe braktisjen e të tjerëve. Pyesni veten sesi mund të zhvilloni dhe përmirësoni atë që funksionon: nëse punon përsëri, bëni më shumë, bëjeni më mirë.

Dita 25: Gjej ku qëndrojnë lekët

Një nga mënyrat më të lehta për të rritur programin është zgjerimi horizontal. Përsërisni ofertën tuaj, konsideroni të shtoni një variant tjetër të idesë suaj: një variant premium, një nivel tjetër, një vëllim të dytë të ofertës ose diçka tjetër: një shërbim i ri plotësues të atij ekzistues.

Dita 26: Hiqe nga mendja

Çdo projekt ka modele të ndryshme, disa prej tyre i ruani në kokën tuaj. Do të ishte e mira ta dokumentoni punën tuaj, organizoni procedurat, e përsërisni procesin, krijoni rrjedhat e punës për secilin rezultat, shënoni çdo hap të nevojshëm për të zhvilluar një ide.

Dita 27: Kthimi në të ardhmen

A keni arritur në fund të rrugës, apo është vetëm fillimi? Tani mund të vendosni nëse do të vazhdoni të rritni idenë tuaj dhe ta ktheni atë në një burim të të ardhurave të vazhdueshme ose ta braktisni atë dhe të provoni diçka tjetër.

Koha më e mirë për të filluar ishte dje.

*Nëse doni të lexoni tregimet e njerëzve që gjetën pemën e parave dhe e bënë atë të lulëzojë ky artikull është për ju.