“The monkey talents” » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 26/11/2015

“The monkey talents”

Share
nga Klodiana Kola
Nën 26, 2015
Klodiana Kola është një profesioniste e komunikimit marketing me një eksperiencë mbi 10 vjet në këtë sektor. Ekspertiza
lexo me teper >

Arësyeja që më shtyn të shkruaj këtë rradhë është më shumë se një arësye…. Janë një milion arësye në fakt që lidhen me perceptime dhe qasje të deformuara pas interesave momentale që krijojnë më pas modelin “kap ç’të kapësh në biznes”.

Më kujtohet sesi disa vite më parë kur punoja për industrinë Advertising arrita pas shumë peripecish ta definoja qartësisht klientin “e keq”, madje e kristalizova aq mirë saqë tani pas kaq kohësh më mjafton vetëm ta dëgjoj në argumentime dhe diskutime (dhe jo në vepra fatmirësisht) për ta klasifikuar si të tillë…

Të koordinosh palët ndërvepruese si Account Manager në një Agjenci dhe të finalizosh një detyrë në mënyrë të suksesshme kërkon përveç aftësive profesionale edhe disa “monkey skill”, të cilat unë me shumë dëshirë dhe stoicizëm i kam refuzuar ti bëj pjesë të filozofisë time të punës .

Imagjinoni për një moment një klient që përfaqësohet nga një Manaxher Marke ose Manaxher Marketingu, me shumë pak edukim në Advertising.

Ai vazhdimisht i kërkon Agjencisë të realizojë shërbime të ndryshme të marketingut dhe komunikimit. Ky individ nuk e njeh konceptin e një Brief-i, nuk njeh komunikimin formal me e-mail. Por kjo metodë pune nuk është e rastësishme, është një metodë e paramenduar në favor të tij, sepse ku ka më mirë sesa të drejtosh gishtin për mangësitë e markës tënde apo për marketingun e dështuar kundrejt një pale përgjegjëse siç është Agjencia.

Lind pyetja: A u pëlqen Agjencive kjo lojë e pakuptimtë “macesh dhe minjsh” ku klienti edhe pse dukshëm i paedukuar sërish trajtohet si mbret?

Nëse klienti refuzohet do të jetë një klient më pak në llogaritë e Agjencisë, do të ketë më pak të ardhura të arkëtuara … do të ketë më shumë Account Managers të frustruar. Peshorja anon drejt mosrefuzimit të këtij klienti të paedukuar: madje as mund ta çosh nëpër mend që të ekzistojë një iniciativë edukuese ku në një tryezë të rrumbullakët  (nga ato të vërtetat dhe jo të kafeneve), përmes një Workshop-i Agjencia dhe klienti të mund të ballafaqojnë opinionet e tyre rreth procesve të punës për t’u përmirësuar të dyjat palët.

Ata që e njohin teorinë e quajtur “The weakest link” që lidhet me identifikimin e hallkave të dobëta në procesin operacional, i çfarëdolloj fushe qoftë ky biznes, besoj do të bien dakord me mua se “klienti i keq” duhet ndërgjegjësuar, se “monkey talents” janë konturet e kotësisë në të gjithë procesin operacional dhe se mediokriteti në thelb të tij është i kapur fort pas “kap ç’të kapësh”.

Unë aspiroj për dritën në fund të tunelit, jam mjaft optimiste dhe besoj në edukimin e biznesit përmes teorive të provuara botërisht. Realisht e vë në dyshimin filozofinë që të vepruarit  vetëm lokalisht me mendësi të ngushtë “wannabe”  do t’i japë stimulin e duhur biznesit lokal.

Do të duhet shumë profesionalizëm, talent dhe seriozitet për ta edukuar “klientin e keq”, por natyrisht nëse palët nuk punojnë për një qëllim të përbashkët kjo do të jetë një sfidë e ngurtësuar në nivel monumental për industrinë dhe për biznesin lokal në tërësi.