Të hipnotizuar nga kulti i dhuratave… » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 11/01/2016

Të hipnotizuar nga kulti i dhuratave…

Share
nga Klodiana Kola
Jan 11, 2016
Klodiana Kola është një profesioniste e komunikimit marketing me një eksperiencë mbi 10 vjet në këtë sektor. Ekspertiza
lexo me teper >

Ky është shkrimi im i parë për vitin 2016. Shumë pak idera kam rreth parashikimeve për të ardhmen (përveç dëshirave), apo për ato që kemi lënë pas. Për më tepër shumë prej figurave udhëheqëse të marketingut dhe komunikimit në botë i kanë shkruar parashikimet e tyre dhe mua më ka mbetur në mendje vetëm njëri:

“We live in the era of disengagement. It’s a world where society has lost faith in the system (politics, work, faith and corporations) but not in the people.” (Alberto Brea, Engagement Planning at Ogilvy One Worldwide) … le të shpresojmë që të jetë i vërtetë ky përfundim shpresëdhënës.

E prekur nga ky shkrim i publikuar në Dhjetor 2015 në Linkedin në vigjiljen festive të fundvitit, e super bombarduar nga teknologjia dhe media përmes spoteve televizive lokale, fletëpalosjeve, e-mail marketing, web banners etj. etj., pas një filtrimi jo shumë të gjatë të përmbajtjes dhe mesazheve në secilin prej tyre  u vendosa përballë një mëdyshje: cili është raporti i shoqërisë shqiptare me “të njerëzishmen”? A kemi ngritur ne një kult ashtu sikurse shoqëritë perëndimore? A janë opinionet profesionale dhe shpresat tona të njëjta me ato që ka Alberto Brea në lidhje me marketingun dhe fenomenin e “desingagement”?

Nuk e di me siguri, por mendoj se ia kemi “dalë mbanë” ta ngremë një kult në fushën e marketingut (konsumizmit).

Si një konsumatore e thjeshtë e vendosur nën presionin e egër të festave, isha e apeluar nga një mori kompanish përmes “ofertave dhuratë”, “kredive për dhurata”, “udhëtimeve dhuratë”, “dhuratave festive”, “rimbushjeve dhuratë”… pra me pak fjalë çdo objekt/shërbim potencialisht i shitshëm në Shqipëri marketohet si një element surprizues apo që duhet bërë patjetër dhuratë.

Në këtë pikë nuk mund t’ia vë fajin vetëm festave. Në çdo sezon festiv ose jo, ti mund të dhurosh edhe llampa ndriçimi, parkete, tualete, abazhure…. madje mund të dhurosh edhe një apartament….

“…nëse nuk ma jep dikush një bonus, do t’ia jap unë vetes time një bonus”!

Besoj që epoka e dhuratave modeste ka vdekur. Shumë kontradiktore duket në një vend të mbushur me kredi të këqia dhe marrëdhënie kleringu.

Në fakt kjo është filozofia jonë e kaosit dhe e keqpërdorimit të forcës që ushtron apelimi (slogani) konsumist në Shqipëri. A mund ta llogarisni efektin e kësaj mendësie marketuese që distancohet nga tiparet parësore të produktit si funksionaliteti, fleksibilitetit, përfitimi, emocioni që zgjon përdorimi i tij nga konsumatori (user experience) dhe fokusohet vetëm tek argumenti “dhuratë”?  A mos vallë marketerët shqiptarë janë hipnotizuar pas këtij kulti kaq mediokër, apo kanë rënë pre e “professional desingagement”?

Duket sikur kjo strategji marketimi është shpërndarë qetësisht dhe në mënyrë të njëtrajtshme.

Për vitin 2016 ndoshta duhet të përpiqemi që lokalisht ta reformojmë konceptin e dhuratës duke e zbritur nga piedestali dhe duke mos rënë pre e marketingut hibrid të ngjizur në rrethana emergjente. Ta zëvendësojmë kultin e dhuratave me fytyra njerëzore serioze që konceptojnë marketing të përgjegjshëm në funksion të një biznesi jetëgjatë. Edhe në mos qoftë serioz, të paktën të jetë seriozisht ngacmues.

Ajo çka më shkakton më shumë shqetësim është fakti që ne si shoqëri akoma nuk jemi në një nivel me ato shoqëri të cilave Alberto Brea i tërheq vëmendjen për një botë ndryshe ku në thelb është ndërveprimi njerëzor