Servilizmi nuk është e vetmja mënyrë për t'u punësuar » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 31/07/2019

Servilizmi nuk është e vetmja mënyrë për t’u punësuar

Share
nga Eridon Elshani
Kor 31, 2019
-Manages Business Mag Kosovo -Studies Philosophy at University of Prishtina
lexo me teper >

Nga Albesa Aliu

Sot bisedova me një shoqe në Kosovë. Më tha se nuk po dinte se në çfarë programi të Masterit të regjistrohet. Biseduam në përpjekje për ta gjetur një drejtim që i përshtatet. Një që ka potencial për punë. Kur e pyeta se si po vendosë, më tha që po i bashkohet një partie. U habita fort. Më dëshpëroi se e njoh për principe e dinjitet në studime. Gjatë tërë këtyre viteve, ajo i ka rezistuar thirrjeve për servilizëm që shumë parti i ofrojnë në Kosovë.

Nuk është që nuk kam dëgjuar për raste të tilla më herët. Shumë të rinj që s”kanë depërtuar në tregun e punës, po edhe shumë të tjerë që veçse janë të punësuar, servilizmin e shohin si të vetmen mënyrë për të bërë karrierë. Nuk po flas për ambicie politike që zhvillohen nëpërmjet pjesëmarrjes e zhvillimit politik por për anëtarësim instrumental e servil për t’u punësuar. Duke e pasur në mendje shoqen time, këtë shkrim ua dedikoj atyre që në këtë kohë zgjedhjesh janë ftuar t’i bashkohen forumeve, atyre që servilizmin e shohin si të vetmen mënyrë të punësimit dhe atyre që nuk dinë si të arrijnë deri te punësimi.

Ta kesh të qartë që ky shkrim nuk është një raport i suksesit për punësim, është vetëm një tentativë për t’i përmbledhur disa praktika që i kam parë në vende të ndryshme. E di që kontekstet shoqërore, kulturore dhe politike ndryshojnë nëpër vende. Mirëpo, përsëri, dikush mund të pyesë, a nuk ka aspekte të cilat një i ri mund t’i përmirësojë në vete? Pra, është fjala për përmirësime në raport me punësimin edhe atëherë kur ambienti në të cilin jeton nuk është i favorshëm.

Sipas UNDP -Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, papunësia e të rinjve në Kosovë mes moshës 15-24 vjeç është 57.7 %. Kjo të duket pak kur e mendon se sa të rinj sheh pa punë. Prej rrethit të shoqërisë time të mëparshme, shumë prej atyre që punojnë në institucione publike janë ata që kanë qenë në forumet rinore politike. Po flas për ata që shkojnë në forume me pjesëmarrje servile, sepse atyre që reagojnë ndaj padrejtësive shpejt u hapet dera e përjashtimit. Pas tërë këtyre viteve, shumicës prej shokëve e shoqeve ‘forumistë’ gati u ka ardhë rendi. Njëri është në komunë, tjetri në administratë, tjetra në qeveri, tjetri lidhje pas lidhje në sektor privat, mirëpo prapë nëpërmjet partisë. Kjo nuk është vetëm një ankesë e vjetruar, por një e vërtetë që demonstrohet çdo ditë.

Nuk ka sfidë më të madhe se të gjesh motivim në një shoqëri që nuk ka shpresë. E kam parë edhe vetë për një vit sa isha në mes të Prishtinës e Gjilanit duke punuar me të rinj. Një rreth i pashpresë të afekton edhe ty, edhe pak ata vullnet që e ke. Sidoqoftë, qëllimi i këtij shkrimi është që t’ia gjejmë vetes rrugën e zhvillimit, edhe në vështirësi. Në fund të fundit, jemi vetë përgjegjës për rrethanat që i krijojmë apo si ju përgjigjemi atyre që nuk i kemi në kontroll. Ka mjaft resurse që nuk shfrytëzohen. Ka mjaft potencial për të krijuar resurse që nuk ekzistojnë në shumicën e qyteteve, në përjashtim me Prishtinën që ofron më shumë resurse për të rinj. Pra, qendra që u ndihmojnë të rinjve t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre, jo vetëm profesionale, por edhe individualitetin e tyre. Këto resurse e qasje të zhvillimit individual po i ndaj në tri kategori: rutinë e organizuar, rrjetëzim e pjesëmarrje, dhe qytetari aktive. Këto i kam zbërthyer nga përvojat që i kam parë. Janë mundësi, por s’do të thotë që aplikohen në të gjitha rastet apo se vlejnë për të gjithë të rinjtë. Megjithatë, ia vlen të lexohen si për fillim.

Ditë e organizuar

Çdo ditë sjell potencial e mundësi për ata që dinë ta shfrytëzojnë kohën. Nëse je student dhe nuk studion të paktën tre orë në ditë, kjo tregon mungesë përkushtimi e menaxhim jo të mirë të kohës. Kjo dikur do të reflektohet. Një student që nuk është i përkushtuar në mësime gjithmonë do ta ketë më të vështirë që të angazhohet në punë apo të krijojë vend pune për vete. Këtu po i anashkaloj parashutistët e forumeve për të cilët gjithmonë do të ketë punë, por punë pa dinjitet. Nuk shkohet në shkollë për të mbytur monotoninë por për ta ndihmuar veten dhe përfundimisht shoqërinë me profesionin që keni zgjedhur. Pa organizim të kohës e një rutine strategjike të studimeve, është e vështirë të përmbushen synime të tilla. Nëse shumica e kohës gjatë ditës investohet duke humbur shpresën në kafene, gjasat janë që aty do të jetë e ardhmja.

Në anën tjetër, sa të rinj mbajnë praktikë gjatë studimeve? Pak, larg asaj sa do të duhej. E shpeshherë praktikën e shohim si obligim që duhet të kryhet, e jo si mundësi strategjike për punësim. Ajo bëhet për të fituar sa më shumë përvojë e shkathtësi të cilat do të kërkohen pothuajse në secilën punë që aplikojmë. Sa isha jashtë vendit gjatë studimeve në nivelin bachelor por edhe më vonë, shumica e studentëve shfrytëzonin pushimet sezonale për të bërë praktika në organizata e institucione të ndryshme. Sado të pakta të ishin ditët e pushimeve. Derisa të vijë koha e diplomimit, një student atje përfundon të paktën dy praktika si parapërgatitje për punësim. Përveç shkathtësive, praktika ndihmon në rrjetëzimin me profesionistë të tregut në të cilin duam të angazhohemi.

Pastaj, për të shpresuar për punësim, kërkohet çdo ditë përpjekje e aplikim për të arritur aty. Realisht, të kërkosh punë në mënyrë aktive është punë në vete. Kur erdha në Kanadë, në një qendër punësimi më sugjeruan se duhet t’i dërgoj rreth 70 aplikacione të targetuara për punëdhënësin, që të shpresoj për tri intervista. Të aplikoj vetëm aty ku kam shkathtësi dhe kualifikime, pra vetëm në pozita që ka probabilitet punësimi. Është fjala për një qytet në Kanadë që ka mjaft mundësi punësimi. Të njëjtin përkushtim, mos edhe më shumë, do të duhej ta dyfishojmë me taktika lokale për t’u punësuar në qytetet tona në Kosovë. Organizimi, praktika, e kërkimi aktiv, janë hapat fillestarë të punësimit, por rrjetëzimi e pjesëmarrja janë ato që na njoftojnë e informojnë më së miri rreth asaj se çfarë duam të bëjmë.

Jo me njoftësi, por me rrjetëzim e planifikim

Gjatë adoleshencës e më tutje, të rinjtë mundohen ta kuptojnë veten dhe rolin e tyre në shoqëri. Kjo kuptohet duke qenë pjesë e grupeve, gjatë shkollës, shoqërisë, e familjes. Në shumë vende të botës të rinjtë fillojnë punë vullnetare, anëtarësohen në ndonjë klub që i përshtatet interesave, pra bëhen pjesë e një komuniteti shoqëror ku mund ta gjejnë veten. Pa qenë pjesë e një grupi që ofron vlera për ty është vështirë të zhvillohesh si karakter apo ta njohësh vetën në raport me të tjerët. Ti për momentin nuk e di se çfarë duhet të përmirësosh, nuk e di se ku duhet të investosh më shumë. Është vështirë të krijosh parime personale kur asnjëherë nuk ke qenë pjesë e hapësirave që stimulojnë mendimin kritik. Në hapësirat ku shkëmbehen e reflektohen zhvillimet shoqërore e kulturore. Pa këto vende që ofrojnë kapital shoqëror është vështirë ta njohësh individualitetin tënd, të sfidosh përtej vlerave të kaluara nga familja, e të krijosh një vizion autentik për të ardhmen tënde.

Fatmirësisht, Prishtina ka një numër komunitetesh në të cilat të rinjtë mund ta gjejnë veten. Po e filloj me Termokissin, klubin ‘Bonu burrë’, aktivitetet e S’bunkerit, koncertet, shfaqjet teatrale, klubet e leximit, vrapimit, e shumë të tjera që nuk është vështirë t’i gjesh. Në Prizren është kinemaja “Lumbardhi” dhe “Dokufesti” i cili zhvillohet gjatë verës. Në Pejë “Anibari”, e në Gjakovë qendra “BoneVet”, të cilët po bëjnë punë të mrekullueshme me të rinj. Resurse më të pakta ka në qytetet tjera. Po flas për aq sa kam parë gjatë viteve të kaluara, sidomos në komunat më të vogla si Kamenica, Vitia, Gjilani e Besiana. Shpeshherë projektet qendrore zhvillohen atje për një kohë të caktuar, mirëpo shumica prej tyre nuk janë të qëndrueshme. E ato iniciativa të cilat lindin organikisht nga të rinjtë e këtyre vendeve, shuhen nga mungesa e fondeve apo aftësia për të konkurruar me OJQ-të e mëdha qendrore që mundohen t’i marrin të gjitha fondet.

Mungesa e komuniteteve të tilla në shumë vende tregon për nevojën e potencialin për t’i krijuar ato. E ato që janë duhet të forcohen e t’u shërbejnë të rinjve. Pra, po flas për aktivitete e komunitete me vlera në të cilat zhvillohen të rinjtë, e jo vetëm pjesëmarrje servile, ku për një pleskavicë e koka kola, u ofrohet mbështetje zaptuesve që bëjnë premtime të rrejshme apo organizatave që duan t’u marrin vetëm nënshkrimet. Pjesëmarrja shoqërore e kulturore është e mangët pa pjesëmarrje politike. E qytetaria aktive është ajo e cila e përmbush këtë mozaik.

Ankesa po, veçse konstruktive e në adresë të duhur

Sa herë që i kam inkurajuar shumë shokë e shoqe të punojnë vullnetarisht për ndonjë kauzë, jam ballafaquar me përqeshje e cinizëm për një sugjerim të tillë. Si ka mundësi që nuk i kuptojnë të mirat që mund t’i përfitojnë nga një nismë, grup apo komunitet, nëpërmjet punës vullnetare? Pra, të shfrytëzojmë mundësinë për të mësuar shkathtësi të reja, për të krijuar kontakte të reja, e për ta zhvilluar veten. Një i ri i papunësuar, me kohë të mjaftueshme, çka tjetër mund të bëjë më mirë sesa të zhvillojë ndonjë shkathtësi duke i ndihmuar të tjerëve e duke përvetësuar shkathtësi që do t’i duhen në profesionin e tij. Për shembull, unë njoh shumë të rinj që nuk dinë të punojnë me ‘Excel’ e ‘Word’, programe të cilat thuajse janë bazike për secilën punë në ditët e sotme. Hezitojnë e u duket shaka që këto njohuri t’i marrin duke iu bashkuar ndonjë iniciative vullnetare apo thjesht duke e krijuar një të tillë. Duke u përfshirë në aktivitete të komuniteteve të cilave i takojmë, njihemi me njerëz, krijojmë kontakte, miqësi, e investime të tjera shoqërore që gjithsesi do të na nevojiten.

Është përgjegjësi të jesh qytetar apo banor i një vendi. Parregullsitë, padrejtësitë, shkeljet e rendit, si ato nga individët apo institucionet e ndryshme duhet të monitorohen e raportohen. Ne jemi vetë përgjegjës për çdo parregullsi në komunitetet në të cilat jetojmë, përderisa nuk shprehim interesim në monitorimin apo rregullimin e tyre. Është përgjegjësi ta ngrehim zërin ndaj padrejtësive e të parandalojmë shkeljet e tilla. Pastaj, përgjegjësi qytetare është të pranosh vetëm punën për të cilën je kompetent, të shkruash të dhëna të sakta në CV, të bashkëpunosh e të mos bëhesh sikurse individët të cilit i kritikon vazhdimisht. Ka shumë njerëz në Kosovë që më motivojnë me përkushtimin e tyre qytetar. Ditëve të fundit, gazetari Milot Hasimja mori një mirënjohje për përkushtimin e tij në organizimin e komunitetit. Ai e shfrytëzon fuqinë e tij si gazetar për t’i adresuar padrejtësitë e lagjes së tij në Prishtinë. Organizimi i tij rreth ambientit të gjelbër si dhe temave të tjera, shpeshherë e sjell vëmendjen e institucioneve, pra ai bën pikërisht atë që të gjithë duhet ta bëjmë.

Kur kujdesemi e interesohemi për vendin në të cilin jetojmë, kur investojmë në një shoqëri të drejtë e përgjegjëse, vetëm në këtë mënyrë shmangen padrejtësitë ndaj individëve, sidomos për ty që je i preokupuar më punësimin tënd.

Për ta përfunduar, nuk është e lehtë të ëndërrosh në vendin tonë, por të jesh i drejtë është gjithmonë një zgjedhje. Ata të cilët përkushtohen, studiojnë e punojnë me dinjitet janë ata që i mbajnë shpresat në këtë vend. Pra, janë ata të cilët i kemi në mendje si krahasim i së mirës sa herë që kritikojmë dikë. Kur nepotizmi e servilizmi bëhen normalitet, vetëm qytetaria aktive, rrjetëzimi, dhe organizimi i duhur i përditshmërisë sonë mund t’i luftojnë ato. Kjo është fusha jonë e ndikimit, kjo është diçka që vërtet mund ta bëjmë.

Burimi: Sbunker



Evente

Data & Technology Meetup

Shtator 11, 2019
19:00